16 Shtator 2019

Maria Suokko merr detyrën si Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së në Kosovë

Prishtinë, 17 qershor - Znj. Maria Suokko nga Finlanda është emëruar Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së në Kosovë dhe ka filluar punën sot, më 17 qershor.

Ajo zëvendëson Znj. Alessandra Roccasalvo, e cila ka qenë në këtë detyrë nga 1 janari 2019.

Para emërimit në këtë detyrë, znj. Suokko ishte këshilltare e lartë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Finlandës në Helsinki që nga shtatori 2017.

Ajo gjithashtu shërbeu si Udhëheqëse për Bashkëpunim pranë MPJ të Finlandës në Myanmar (2014-2017) dhe Këshilltare e Lartë në MPJ të Finlandës (2012-2014).

Përvoja e saj me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) përfshin postin e Specialistes të Programit në Byronë Rajonale për Azi dhe Paqësor (2006-2010), Ndihmës Përfaqësuese e Përhershme në UNDP Kinë (2001-2005), Menaxhere e Programit Mjedisor të UNDP-së në Kamboxhia (2000- 2001) dhe Zyrtare e Programit në UNDP Tajlandë (1998-2000).

Ajo ka një diplomë Master në Shkencat Sociale (Ekonomi) nga Universiteti i Helsinkit.

Pas emërimit të saj si Përfaqësuese e Përhershme në zyrën e UNDP-së në Kosovë, znj. Suokko tha: "Unë po e marr këtë detyrë në një moment shumë të rëndësishëm pasi zyra po shënon 20 vjetorin e bashkëpunimit të suksesshëm në Kosovë.

Me padurim pres që të takoj të gjithë partnerët tanë kosovarë dhe ndërkombëtarë dhe të vazhdojmë përpjekjet tona të përbashkëta në mbështetjen e rrugës së zhvillimit që do të sigurojë një të ardhme të qëndrueshme për të gjithë".

Përveç gjuhës finlandeze, Maria gjithashtu flet anglisht, suedisht, si dhe, deri në një masë, frengjisht dhe gjermanisht. Asaj I pëëqejnë shetitjet në natyrë dhe pret me padurim të eksplorojë natyrën e bukur në Kosovë dhe më gjerë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 16 shtator 2019 - Fillon edicioni i dytë i konferencës më të madhe për zhvillimin e qëndrueshëm në rajon më temë 'Mbrojtja e mjedisit: kërkim për qeverisje të mirë dhe thirrje për bashkëpunim rajonal'. (Hotel Emerald, ora 9:30)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, do të marr pjesë në përurimin ei analizave të reja laboratorike në QMF-në në Reçane, ku i pranishëm do të jetë edhe drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë, Visar Shehu.(Reçane, ora 9:30)

- Nën moton “Pjesëmarrja“, për të 11-in vit me radhë, Kuvendi i Republikës së Kosovës shënon Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë ku qytetarë, studentë dhe nxënës do të vizitojnë ndërtesën e legjislativit të vendit dhe do të njihen me punën e përfaqësuesve të tyre të zgjedhur. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 9:30)

- Komuna e Prizrenit bën hapja e Javës 'Shtigjeve të Lirisë' ku do të ketë fjalë rasti edhe nga kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka. (Prizren, ora 10:30)

- Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë bëhet hapja e panairit të organizatave të shoqërisë civile. (Oborri i Kuvendit, ora 10:50)

- Partia Demokratike dega në Prizren, do të mbajë një koferencë për media. (Zyrët e PDK-së në Prizren, ora 11:00)

- Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë mbahet kuizi i demokracisë. (Holli i Kuvendit, ora 11:30)

- Lëvizja FOL organizon diskutimin e parë në kuadër të Forumit FOL Hapur me kandidatët për Kryeministër/e të Kosovës. E ftuara e parë do të jetë znj. Vjosa Osmani, Kandidate për Kryeministre nga Lidhja Demokratike e Kosovës. (Zyrat e Lëvizjes FOL, ora 12:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, do të marr pjesë në aktivitetin në Nashec tek lapidari i komandantit Remzi Ademaj. (Nashec, ora 12:00)

- Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, do të pres në takim Ministrin e Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor nga Republika e Maqedonisë së Veriut, Naser Nuredini, me të cilin do të bisedojnë rreth bashkëpunimit mes dy shteteve në fushat përkatëse. (Kabineti i Ministrit Matoshi, ora 12:30)

- Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë mbahet debat publik “Transparenca dhe pjesëmarrja qytetare në Kuvend”.  (Ndërtesa e Kuvendit, salla 405, ora 13:30)

- Mbahet ceremonia e varrimit të veprimtarit të shquar romë, Nexhip Menekshe. (Varrezat e Prizrenit, ora 16:00)

- Mbahet ceremonia solemne e hapjes zyrtare të zyrës së re qëndore të Bankës Raiffeisen. (Zyra e re ndodhet në rrugën Robert Doll, ora 17:30)