10 Korrik 2020

Mali i Zi do të bashkëpunojë ngushtë me shtetin e Kosovës

Prishtinë, 26 maj - Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin e Malit të Zi, Milo Đukanović.

Në një bisedë miqësore, kryeministri Kurti e njoftoi presidentin Đukanović për luftën kundër pandemisë, duke theksuar rënien e infektimeve të reja dhe numrin e vogël të viktimave. Ai tregoi për dy pako të Qeverisë së Kosovës për ta menaxhuar situatën e krijuar ekonomike, pakon emergjente fiskale, për ta menaxhuar situatën e krijuar dhe pakon e dytë për të ndihmuar rimëkëmbjen ekonomike prej efekteve të pandemisë.

Nga ana e tij, presidenti Đukanović e përgëzoi kryeministrin në detyrë Kurti për punën e mirë në të dyja rrafshet dhe e njoftoi atë se Mali i Zi nuk ka asnjë të infektuar më me COVID-19 dhe zyrtarisht e ka përfunduar pandeminë.

"E gjithë puna e Qeverisë është e koncentruar në rihapjen e hotelierisë dhe funksionalizimin e turizmit, për t'i sanuar sa më shpejtë vështirësitë e krijuara ekonomike", tha ai.

Temë e veçantë e bisedës ishte edhe dialogu me Serbinë. Me këtë rast kryeministri në detyrë Kurti tha se është për një dialog të përgatitur mirë e me parime dhe jo për një zgjidhje të shpejtë, nën udhëheqjen e BE-së dhe ShBA-ve, të cilat nuk mund të zëvendësohen apo ta përjashtojnë njëra tjetrën.

Presidenti Đukanović theksoi se procesi i dialogut me Serbinë është një nga faktorët kyç për stabilitetin e rajonit dhe integrimin e tij në BE.

Ai u pajtua se nuk ka zëvendësim për BE-në dhe ShBA-të në rajon dhe e siguroi kryeministrin në detyrë Kurti se Mali i Zi do të jetë gjithmonë fqinj i sinqertë dhe do të bashkëpunojë ngushtë me shtetin e Kosovës.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 10 Korrik 2020

- Shoqata e Radio Taxive “Pasagjeri” organizon protestë për shkak të mosplotësimit të kërkesave nga Komuna e Prishtinës. (Nisj nga rrethrrotullimi “Te Fontana” në Ulpianë, ora 10:00)

- Drejtoria e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik do të bëjë hapjen e Qendrës Artizanale në Prizren, ku do të mbahen pesë kurse të ndryshme si: Djegie ne Dru, Reliev në letër, Rrobaqepje, Punim të Shajakut si dhe Dizajnimi i Veshjeve Moderne. (ish objektin e Megasportit në qendër të Prizrenit, ora 11:00)

- Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi do të vizitojë Komunën e Gjakovës ku do të takohet me Kryetarin e Komunës së Gjakovës Ardian Gjini. (Komuna e Gjakovës, ora 11:00)

- Vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Salla e Kuvendit, ora 11:00)

- Banorët e lagjes “Qendra” protestojnë, të pakënaqur me parkingjet dhe shërbimet komunale. (Rr.“Rexhep Luci”, ora 11:00)

- Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi dhe Kryetari i Komunës së Gjakovës Ardian Gjini vizitojnë Ndërmarrjen publike ‘’KRU Gjakova’’. (Gjakovë, ora 11:30)

- Komitetit Emergjent të Gjilanit mban konferencë për media pas 27 rasteve të reja pozitive me COVID-19. (Qendra Operative Emergjente, Qendra e Studentëve, ora 11:30)

- Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi dhe Kryetari i Komunës së Gjakovës Ardian Gjini vizitojnë Impiantin e Trajtimit të Ujërave të Ndotura projekt që është duke u realizuar në Komunën e Gjakovës. (Gjakovë, ora 11:50)

- Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi mban konferencë për media. (Ministria Drejtësisë, salla 914, ora 12:00)

- Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi dhe Kryetari i Komunës së Gjakovës Ardian Gjini vizitojnë ndërmarrjen publike Ngrohtorja e Qytetit – ndërtimi i Ngrohtores së re të qytetit Impianti I koogjenerimit me biomasë, projekt që është duke u realizuar në Komunën e Gjakovës. (Gjakovë, ora 12:20)

- Mbahet seanca plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës në të cilën raporton Kryeministri lidhur me menaxhimin e pandemisë COVID-19. (Salla e Kuvendit, ora 16:00)