04 Dhjetor 2020

Macron rikonfirmon mbështetjen për Kosovën dhe vizitën në vendin tonë

Prishtinë, 19 nëntor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, zhvilloi sot një video konferencë me Presidentin e Republikës së Francës,  Emmanuel Macron.

Presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron, fillimisht e falënderoi kryeministrin Hoti dhe ambasadorin Gashi për mbështetjen që i kanë dhënë Francës, me rastin e sulmeve të fundit terroriste në Paris.

Kryeministri Hoti ndërkaq, vlerësoi lartë kontributin e çmuar që ka dhënë Republika e Francës në mbështetje të shtet ndërtimit dhe forcimit të institucioneve demokratike të Republikës së Kosovës.

Ai e njoftoi Presidentin Macron me veprimet e fundit nga Dhomat e Specializuara që sollën edhe dorëheqjen e Presidentit Thaçi.

Kryeministri Hoti e siguroi Presidentin Macron se, Qeveria e Republikës së Kosovës me përkushtim do t’i kryej të gjitha obligimet dhe përgjegjësitë e parapara me Kushtetutë dhe do të jetë bashkëpunues konstruktiv me bashkësinë ndërkombëtare. Ndërkohë që partitë politike parlamentare janë të gatshme për të gjetur zgjidhje në përputhje me ligjet dhe kushtetutën.

Presidenti Macron përshëndeti sjelljen me dinjitet, pjekurinë e kulturën e lartë politike të qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, pas veprimeve të fundit nga Dhomat e Specializuara.

Kryeministri Hoti dhe Presidenti Macron biseduan edhe për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, për arritjen e marrëveshjes përfundimtare, me njohe reciproke, në kufijtë aktual.

Të dy bashkëbiseduesit u dakorduan që të organizohet edhe një takim i nivelit të lartë rreth ecurisë së procesit të dialogut, sipas formatit të Samitit të Parisit.

Lidhur me liberalizimin e vizave, Kryeministri Hoti dhe Presidenti Macron, u dakorduan  që ditëve në vijim, si pjesë e mekanizmave për verifikim, të zhvillohen takime në nivel të ekspertëve që do të pasoheshin me takimin në nivel politik midis ministrave të brendshëm të të dyja vendeve.

Presidenti Macron, ju përgjigj pozitivisht ftesës së kryeministrit Hoti, për vizitë shtetërore në vendin tonë.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 4 Dhjetor 2020 - Mbahet seanca fillestare për rastin e vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, departamenti Special - krimet e rënda me c'rast avokati mbrojtës do te jep deklaratë për mediet pas seancës. (Gjykata Themelore në Prishtinë, ora 9:30)

- Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti do të mbaj një takim virtual me presidentin e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit Alexis Mourre dhe Drejtoreshën e Komisionit të Arbitrazhit për Evropë, Laetitia de Montalivet. (Takim virtual, ora 10:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Emilja Redzepi, do të bëjnë nënshkrimin e kontratave me përfituesit e thirrjes për përkrahjen e OJQ-ve dhe individëve në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit. (Shtëpia e Bardhë në Prizren, ora 10:00)

- Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale, dhe Hulumtime organizon aktivitetin “Tuneli i Fundit” në përkujtim të grave të vrara si pasojë e dhunës në familje në pesë vitet e fundit në Kosovë, dita e dytë. (Përballë ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, ora 10:00)

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton shkresën e Artan Qerkinit përfaqësues i Malcolm Simmons, ish kryetar i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, “Përgjigje në ftesën për të dëshmuar para Komisionit për Legjislacion” si dhe njoftohet me shkresën e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian, Tomas Szunyong, për emërimin e Karin Hernmark Ahliny, Ambasador i Suedisë, anëtar i Bordit  Mbikëqyrës  të Agjencisë Kosovare për Verifikim dhe Krahasim të Pronës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N506, ora 10:15)

- Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës interviston Ministrin e Ministrisë së Infrastrukturës Arban Abrashin. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 11:00)

- Mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit te Kosovës në të cilën do të behët shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike - COVID-19. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 11:00)

- Organizata Etea dhe Aleanca Franceze në Prishtinë me mbështetjen e Ambasadës Franceze do të mbajnë takimin e parë të huazimit të librave. (Tek objekti i Aleancës Franceze, ora 11:00)

- Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) mban konferencë për medie lidhur me një hetim ndaj ndërmarrjeve që operojnë në tregun e energjisë elektrike. (Ish-objekti i Bankës së Lubjanës, ora 11:15)

- Kryetari i Delegacionit të Kosovës, Ibrahim Makolli dhe ai i delegacionit të Serbisë Veljko Odalovic do të mbajnë konferencë për media lidhur me varrezën masive në Kizhevak të Serbisë. (Lokacioni i varrezës masive në Kizhevak  të Serbisë, ora 12:00)

- Shpallet aktgjykimi ndaj të akuzuarit N. M., i cili akuzohet nga Prokuroria Themelore e Gjilanit, për veprën penale “vrasje e rëndë” pasi qe në  fshatin Berivojcë, komuna e Kamenicës, i pandehuri dyshohet që pas mosmarrëveshjeve familjare, me një mjet të fortë - shufër metalike, godet bashkëshorten e tij në kokë dhe pjesë të tjera të trupit, me ç’rast të ndjerës i ka shkaktuar plagë të cilat kanë qenë vdekjeprurëse. (Gjykata Themelore Gjilan, ora 13:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës interviston drejtoren e Insitutit Hidrometeorologjik të Kosovës Letafete Latifi. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 13:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë plotëson listën e dëshmitarëve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 13:00)

- Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike mban konferencë për media me rastin e dorëzimit të padisë për konflikt administrativ kundër vendimeve të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit dhe Zyrës së Rregullatorit për Energji”. (Para Pallatit të Drejtësisë, ndërtesa A, ora 14:00)

- Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla pret në takim ministrin në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj ku pjesë e takimit do të jenë edhe përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. (Objekti i MPJD-së, ora 14:00)