20 Prill 2024

Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve sfidohet nga zbatimi në praktikë

Prishtinë, 23 qershor - Lëvizja FOL me rastin e Ditës Botërorë të Sinjalizuesve ka mbajtur sot diskutimin me temën “Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve – Sfidat e zbatimit në praktikë”, me ç ‘rast u prezantua edhe raporti me gjetjet konkrete sa i përket zbatimit të këtij ligji.

Mexhide Demolli-Nimani, drejtore e Lëvizjes FOL tha se që nga viti 2019 kur edhe ka hy në fuqi Ligji për Mbrojtën e Sinjalizuesve, FOL ka monitoruar zbatimin e tij.

“Qëllimi i këtij ligji është mundësimi i sinjalizimit të shkeljeve në sektorin publik dhe privat dhe mbrojtja e sinjalizuesve. Ky ligj pavarësisht që ka hyrë në fuqi tash e 1 vit e gjysmë, ende nuk është duke u zbatuar si duhet në praktikë."

"Ministria e Drejtësisë ka dështuar që të  hartoj aktet nënligjore që dalin nga ky ligj, në afatin e paraparë dhe si rrjedhojë Agjencia Kundër Korrupsion nga ajo që na është thënë vazhdon të ketë vështirësi në mbikëqyrjen e zbatimin të këtij ligji në plotni për shkak të mungesës së rregullores”, tha Demolli-Nimani.

Yllka Buzhala, hulumtuese në Lëvizjen FOL, tha se gjatë procesit të monitorimit FOL ka arritur në disa gjetje të cilat i kemi prezantuar në raportin “Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve - Sfidat e zbatimit në praktikë”.

“FOL ka identifikuar sfida të ndryshme në zbatimin e këtij ligji duke filluar nga emërimi i zyrtarit përgjegjës. Nga Zyra e Kryeministrit dhe ministritë, vetëm 73% e tyre e kanë emëruar zyrtarin përgjegjës kurse institucionet tjera nuk janë përgjigjur. Sa i përket Agjencive në kuadër të Zyrës së Kryeministrit dhe të Ministrive, 27% prej tyre e kanë emëruar zyrtarin përgjegjës ndërsa 73% nuk janë përgjigjur fare."

"Nga institucionet e pavarura të themeluara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, 78% prej tyre e kanë emëruar zyrtarin përgjegjës dhe 22% prej tyre nuk janë përgjigjur fare. Kurse sa i përket nivelit komunal, 61% e komunave kanë emëruar zyrtarin përgjegjës dhe 39% e tyre nuk janë përgjigjur fare’, tha Buzhala.

Shaip Havolli, drejtor i Agjencisë kundër Korrupsion tha se nga hyrja në fuqi e këtij ligji AKK ka rikonstruktuar Agjencinë me krijimin e një divizioni për LMS-në.

“Asnjë sinjalizues, ndonëse nuk ka rregullore, nuk iu ka mohuar mundësia për raportim. 186 Zyrtarë Përgjegjës janë të caktuar nga institucionet. Kemi mbajtur takime në AKK si dhe përmes PECK kemi përgatitur një udhërrëfyes për ZP-të. Ne si AKK kemi dhënë sugjerime. Shume prej ZP-ve nuk kanë pranuar të jenë të tillë për vet faktin se nuk duan të bëhen publik emrat e tyre prandaj edhe ne nuk e kemi publikuar listën.

Sa i përket trajnimeve, është e vërtet që nuk kanë përgatitje adekuate, mirëpo sado të pakta që janë trajnimet, ato kanë ndodhur.

“Në parim ligji po zbatohet, mirëpo edhe sinjalizimi i ka kriteret e tij, që duhet të zbatohen edhe nga sinjalizuesi”, tha Havolli, duke shtuar se nuk kanë arrit të përfundojnë raportin vjetor për shkak se vetëm 2 apo 3 zyrtar përgjegjës kanë raportuar në AKK”. 

Qemajl Marmullakaj, sekretar i përhershëm në Ministrinë e Drejtësisë tha se ndonëse mund të kenë bërë më shumë, ata kanë informuar çdo institucion.

“Ligji përcakton edhe hartimin e rregullores, mirëpo Ministria e Drejtësisë është vonuar në këtë aspekt. Por pa marrë parasysh mungesën e rregullores, ligji është i qartë dhe tregon thellësisht për zbatimin e tij."

"Ministria ka formuar grupin punues dhe kemi mbajtur takime ku është prezantuar draft rregullorja por për shkak të pandemisë na është dashur të pezullojmë punën në këtë drejtim”, tha Marmullakj, duke shtuar se ministria e Drejtësisë përveç rregullores, ka marrë iniciativë të trajnimit obligativ për zyrtarë.

Arian Zeka kryetar i Odës Ekonomike Amerikane tha se në përgjithësi sektori privat ka informim më të mangët sa i përket ligjeve të reja. “Shumë prej tyre nuk janë në dijeni për ekzistimin  e mekanizmave të tillë”.

Me apo pa Ligj OEA ka folur për nevojën për raportimin e tillë të rasteve të korrupsionit apo parregullsive tjera.

“Është edhe nevoja e largimit të stigmatizimit ku shumica prej zyrtarëve përgjegjës heqin dorë nga titulli në mënyrë që të mos publikohet emri i tyre dhe të konsiderohen tradhtarë”, tha Zeka.

Yll Zekaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tha se kemi parë një dështim të institucioneve sa i përket zbatimit të këtij ligji.

“Në moszbatimin e këtij ligji kemi parë mos raportimin e rasteve në AKK por edhe mosndëshkimin e këtyre rasteve nga AKK, e cila është e përcaktuar me ligj. Deri më tani nuk ka asnjë kundërvajtje rreth kësaj. Tek sinjalizuesit ekziston problemi i mos besimit në institucione për shkak se sinjalizuesi pas raportimit është i persekutuar nga institucioni”, tha Zekaj.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)