25 Prill 2024

LDD: Qeveria Thaçi, qeveri dështimeve

Prishtinë, 24 gusht - Qeveria e Kosovës është Qeveri e dështimeve pasi që nuk ka realizuar asnjërin nga projektet e ashtuquajtura historike, vlerësoi nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Naser Rugova.

Nënkryetari Rugova theksoi se nuk janë realizuar projektet siç janë Strategjia për veriun, termocentrali Kosova e Re, në vitin e tretë si shtet nuk ishit në gjendje të prodhoni targa të automjeteve, dështuat në procesin e privatizimit, korrupsioni dhe krimi i organizuar lulëzon në institucione, ndërsa kanë propaganduar zero tolerancë, kanë premtuar zvogëlim të shpenzimeve qeveritare,ndërsa ato janë trefishuar dhe shumë premtime të tjera.

“Keni dështuar në reformimin e shtyllave kryesore të shtetit, drejtësi, siguri, arsim, shëndetësi, papunësi dhe rritje e shkallës së varfërisë! Kjo qeveri e ka humbur besimin dhe kredibilitetin te qytetarët e vendit, kësaj keqqeverisje duhet dhënë fund, mjaft është ngulfatur perspektiva e qytetarëve të vendit”, tha nënkryetari i LDD-së.

“Ka ardhur momenti për model të ri qeverisës, që i shërben vendit dhe qytetarëve, që i hapë rrugë zhvillimit ekonomik, përshpejton proceset integruese si dhe ngritë imazhin tonë shtetëror dhe nacional”, tha Rugova.

Lidhja Demokratike e Dardanisë vlerëson se procesi i integrimit në BE është objektiv nacional i popullit dhe shtetit të Kosovës. Parakusht dhe komponentë e rëndësishme e këtij procesi është edhe liberalizimi i vizave për qytetarët e vendit tonë, proces i cili do të ndihmonte shumë qarkullimin e lirë të njerëzve, mallrave, ideve, konkurrencës së lirë dhe zhvillimin e gjithëmbarshëm të vendit tonë, u shpreh Rugova.

“Lidhja Demokratike e Dardanisë konstaton me keqardhje se falë mungesës së vizionit, vullnetit politik dhe paaftësisë së partnerëve të koalicionit qeverisës jemi ende larg, madje shumë larg nga procesi i liberalizimit të vizave. Trumbetimet e qeveritarëve tanë se jemi afër këtij synimi, se presim në fillim të korrikut fillimin e dialogut zyrtar dhe marrjen e strategjisë për liberalizimin e vizave, korriku kaloj dhe tani përmendin fundin e shtatorit, nuk janë asgjë më pak as më shumë vetëm se një manipulim i radhës dhe mashtrim i qytetarëve të lodhur të vendit tonë”.

Ai vlerësoi se trumbetohet zhurmshëm se janë plotësuar parakushtet per liberalizim të vizave.

“Fatkeqësisht kjo është propagandë shterpe, bajate që të blejnë kohë dhe të manipulojnë opinionin. Për këtë proces të rëndësishëm është plotësuar vetëm një parakusht, ai është aprovimi i ligjit për ripranim. Ku janë strategjitë për integrim, në cilën fazë është procesi i përgatitjes së plotë të regjistrit civil, proces ky që ështe pothuajse i pamundshëm pa regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, dhe tek në fund vie prodhimi i pasaportave biometrike”.

Procesin e liberalizimit, sipas nënkryetarit Rugova e vështirëson fakti mosnjohjes së shtetit tonë nga pesë vende anëtare të BE-së, me të cilat duhet të nënshkruhen marrëveshjet bilaterale, atehere del se jemi larg nga ky proces dhe se qeveria e vendit tonë është qeveri e mashtrimeve.

“Pse nuk behën transparent me qytetarët, pse nuk tregojnë drejt se ku ka arritur ky proces, ku është këtu transparenca dhe llogaridhënia!

Duke e parë këtë situatë dhe tendenca që kjo qeveri të përshpejton procesin e prodhimit të pasaportave biometrike pa i plotësuar kriteret e nevojshme, BE-ja u detyrua që t’i dërgoj letër qeverisë që mos ta bëjë këtë hap të ngutshëm, sepse nuk janë përmbushë kriteret! Andaj kujt i shet mjegull kjo qeveri e falimentuar politikisht dhe moralisht? Populli i Kosovës po i din të gjitha”.

Rugova konstatoi se po trumbetohet edhe për projekte të bashkëpunimit ndërkufitar në kuadër të IPA-s, të cilat fatkeqësisht janë ende në fazën e përpilimit.

“Kufijtë e Kosovës janë shumë poroz, as që bëhët fjalë për menaxhim të integruar të kufinjëve, këtë e dëshmojnë më së miri dy raportet e fundit të Progresit të Komisionit Evropian, të cilat akuzojnë institucionet e vendit për mospengimin e trafiqeve të paligjshme, trafikimit të qenieve njerëzore kontrabandës dhe krimit të organizuar”.

Sipas tij argumenti më i mirë se partnerët e koalicionit qeverisës nuk duan apo që ju konvenon që kufijtë e Kosovës të jenë tranzit të kontrabandës dhe krimit ekonomik është fakti se që pesë muaj nuk po e zgjedhin drejtorin e doganave të Kosovës. Kjo nuk don koment!

Me këtë logjikë qeverisëse dhe me këtë gjendje në vendin tonë nuk ka liberalizim të vizave, tha nënkryetari Rugova.

Lidhja Demokratike e Dardanisë i bën apel qeverisë që ta bëjë punën e vet  konform  përgjegjësive kushtetuese e ligjore, sepse i ka ardhur fundi manipulimit me opinionin dhe me qytetarët e vendit tonë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)