01 Dhjetor 2020

Kuvendi të enjten do të mblidhet në seancë plenare

Prishtinë, 26 tetor - Kuvendi i Republikës së Kosovës, të enjten do të mblidhet në seancë plenare, për të votuar për pikat e mbetura nga seancat e kaluara, ndërsa më pas, në po të njëjtën ditë, do të mbajë seancë të re.

Kështu vendosi Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e sotme, të drejtuar nga kryetarja Vjosa Osmani, me prezencën edhe të kryetarëve të grupeve parlamentare.

Votimi për pikat e papërfunduara do të bëhet nga ora 10:00, ndërkaq seanca e re do të fillojë në orën 11:00, me pikat e zakonshme: deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare.

Tutje, seanca do të vazhojë më shqyrtimin e parë të Projektligjit për të Drejtat Pronësore të shtetaseve të huaj në Republikën e Kosovës, për të vazhduar me zgjedhjen e drejtorëve të Bordit të NP KOSTT-it nga radhët e komuniteteve jo shumicë dhe kuotës gjinore, si dhe zgjedhjen e dy anëtarëve të Bordit për Ankesa të Mediave.

Pikë e rendit të ditës së kësaj seance do të jetë edhe shqrytimi i Programit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, raporti i Auditimit për vitin 2019, si dhe kërkesa e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës për miratimin e buxhetit të këtij Komisioni Hetimor.

Në këtë seancë do të zhvillohen po ashtu edhe tri debate parlamentare: lidhur me problemet e banorëve shqiptarë në veri të Mitrovicës dhe komunave të tjera në pjesën veriore të Kosovës lidhur me pengesat që u bëhen për tu kthyer në pronat e tyre dhe pengesat për renovimin e shtëpive të djegura gjatë luftës, lidhur me vazhdimin e Qeverisë së Serbisë që të mbaj të fshehur të vërtetën për fatin e mbi 1600 civilëve shqiptarë, të rrëmbyer nga ky shtet gjatë luftës gjenocidare në Kosovë, që ende konsiderohen të zhdukur, sipas kërkesës së deputetit Endrit Shala, mbështetur nga 6 deputetë tjerë, si dhe debat lidhur me sensibilizimin dhe masat që duhet të ndërmerren nga Qeveria dhe institucionet përgjegjëse në luftën kundër kancerit të gjirit, sipas kërkesës së deputetes Albena Reshitaj, mbështetur edhe nga 14 deputetë tjerë.

Dy interpelancat e paralajmëruara të kryeministrit, ajo për çështjen “Përfshirja dhe ndarja e liqenit të Ujmanit me Serbinë në dokumentin e zotimeve të 4 shtatorit 2020”, sipas kërkesës së deputetit Liburn Aliu, mbështetur edhe nga 6 deputetë të GP të LVV-së, si dhe interpelanca, sipas kërkesës së deputetes Saranda Bogujevci, mbështetur edhe nga 6 deputetë të GP të LVV-së, për çështjen “Trajtimi i dëmshëm i temës së të pagjeturve në zotimet e 4 shtatorit, duke e kushtëzuar me personat e zhvendosur”, pritet të mbahen gjatë javës së ardhshme. ​

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 1 Dhjetor 2020

- Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë në të cilën do të behët plotësimi i listës së dëshmitarëve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 9:00)

- Drejtorit të AKI-së raporton para Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë lidhur me gjendjen e sigurisë në vend. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 9:30)

- Campus France, Ambasada Frnceze në Kosovë, Aleanca Franceze e Prishtinës dhe Universiteti i Prishtinës organizojnë Panairin e tretë Universitar Francez në Kosovë. (online -https://tourneebalkanskosovo.com, ora 10:00)

- Mbahet edicioni i 5-të virtual i Green Business Expo. (Businessexpo.greenkosovo.com, ora 10:30)

- Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj raporton para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me raportin e auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare të vitit 2019, për Ministrinë e Shëndetësisë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 11:00)

- Komisioni për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike diskuton lidhur me rekomandimet e dala nga “Raporti për vendin për vitin 2020, i Komisionit Evropian” me të ftuar ministrat dhe përfaqësuesit e agjencive të pavarura. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N506, ora 11:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës interviston drejtorin e Departamentit të mjedisit dhe ujërave Muhamet Malësiu dhe drejtorin e Autoritetit të Rajonit të Pellgjeve Lumore, nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, Gani Berisha lidhur me lejet e lëshuara për operimin e dy hidrocentraleve nga kompania “Kelkos Energy”. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N225, ora 11:00)

- Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëkohësisht, kryetari i Degës së PDK-së në Prizren, Shaqir Totaj, i shoqëruar nga deputetja Eliza Hoxha, mbajnë konferencë për media në të cilën do të flasin për shtatoren e re të Skënderbeut, punën e dobët artistike dhe lokacionin jo adekuat. (Zyret e PDK-së në Prizren, ora 11:00)  

- Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës interviston kryetarin e Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N225, ora 13:00)

- Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Prishtinë, do të mbajë konferencë për medie. (Te stacioni i autobusëve urbanë “Katedralja”, ora 13:00)

- Zyrtarët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë raportojn para Komisionit për Bujqësi, Pylltari, zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis rreth importimit të vajit të palmës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 13:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon diskutimin online "Kuvendi përballë dialogut Kosovë-Serbi”, me deputetët e Kuvendit të Kosovës. (Paltforma Zoom dhe Live në faqen e KDI-së në Facebook, ora 13:00)

- Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) mban diskutimin “Rimëkëmbja nga viti 2020: Si të rindërtojmë ekonominë dhe politikat sociale në vitin 2021?”. (Hotel Sirius, ora 17:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti mban konferencë për media lidhur me menaxhimin e situatës me pandeminë Covid-19. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 17:00)