30 Shtator 2022

Kuvendi mban seancën plenare të radhës të enjten

Prishtinë, 16 maj - Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, mbajti sot mbledhjen e radhës, të kryesuar nga kryetari Glauk Konjufca.  

Në këtë mbledhje, në të cilën ishin të pranishëm edhe kryetarët e grupeve parlamentare, u vendos që seanca e re plenare të mbahet të enjten, me këtë rend të ditës: deklarimet jashtë rendit të ditës, pyetjet parlamentare, miratimi i procesverbalit nga seanca plenare e mëparshme, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Turizmin, shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-113 për Policinë Ushtarake në Forcën e Sigurisë së Kosovës, si dhe shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-133 për Komisionerin Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Ndërkaq, pika për zgjedhjen e pesë (5) zëvendësve të Avokatit të Popullit, është shtyrë për një nga seancat e radhës.

Pas përfundimit të punimeve të kësaj seance, të enjten, më 19 maj do të vijohet me punimet e seancës së papërfunduar të datës 14 prill, përkatësisht me debatin parlamentar për sigurinë në vend.

Në këtë mbledhje, kryetarët e grupeve parlamentare u pajtuan që në mbledhjen e radhës së Kryesisë t’i propozojnë emrat e anëtarëve për Komisionin Ad -hoc për reformën zgjedhore, të cilët më pas do të votohen në seancë.

Në mbledhjen e sotme, Kryesia e Kuvendit shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj. ​

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 30 shtator 2022

- Në Ditën Ndërkombëtare e Personave të Moshuar UNFPA prezanton të dhenat kyqe dhe opsionet e dala nga anketa për izolimin social tek personat e moshuar në Kosovë. (Hotel International Prishtina, ora 10:00)

- Mbahet takimi i 219-të i Këshillit Prokurorial të Kosovës. (Online, ora 10:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës interviston Hekuran Murati, Minister i Financave, Punës dhe Transfereve dhe interviston Ymer Fejzullahu, Kryesues i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)

- Balkan Green Foundation me mbështjetje të Heinrich Böll Stiftung mban konferencë për media, në të cilën do të prezentohet hulumtimi: “Kriza Energjetike në Ballkanin Perëndimor: Masat e ndërmarra në kohën e rritjes së çmimeve të energjisë”. (Zyret e Balkan Green Foundation afër Librarisë Koha në Prishtinë, ora 12:00)

- Nën organizimin e organizatës gjermane GIZ, kryetarët e komunave të regjionit të Gjilanit nënshkruajnë memorandum mirëkuptimi. (Hotel Astoria në Gjilan, ora 13:00)

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Zëvendëskryeministren për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, znj. Emilija Redžepi, marrin pjesë në tryezën e rrumbullakët me komunitetin boshnjak, organizuar nga Zyra për Çështje të Komuniteteve e Zyrës së Kryeministrit. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 13:30)

- Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino do të qëndrojë në Kosovë ku mbajë edhe një konferencë për media. (Selia e Federatës së Futbollit, ora 15:00)

- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministri Hajrulla Çeku, përfaqësues të Federatës së Xhudos të Kosovës marrin pjesë në ceremoninë e lansimit të programit "Kosova, shtet i xhudos”. (Lapidariumi i Muzeut Kombëtar të Kosovës, ora 17:00)

- Qendër Telefonike për Parandalim të Vetëvrasjes Linja e Jetës organizon një koncertë për mbledhje të fondeve në mënyrë që të mos mbyllet pasi është në gjendje të rënduar financiare, ora 20:30