06 Dhjetor 2021

Kuvendi i Kosovës dhe Fakulteti Juridik nënshkruan memorandum bashkëpunimi

Prishtinë, 16 tetor - Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në një takim dekanin e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Avni Puka, me të cilin ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi ndërmjet këtyre dy institucioneve.

Nëpërmjet këtij memorandumi hapet rruga për bashkëpunim profesional ndërmjet trupave punuese të Kuvendit dhe Fakultetit Juridik.

Nënshkrimin e memorandumit, kryetarja Osmani e vlerësoi të rëndësishëm për Kuvendin, pasi që sipas saj, ky institucion ka nevojë për hulumtime në disa fusha, ndaj për këtë çështje do të kenë mundësi të përdoren ekspertët e Fakultetit Juridik.

“Përderisa Kuvendi ka nevojë shumë për hulumtime në shumë fusha, tanimë e kemi bashkëpunimin e drejtpërdrejtë dhe nuk i kemi problemet me të cilat jemi ballafaquar në të kaluarën, kur, nëse kemi dashur ta angazhojmë një profesor të një fushe të caktuar, është dashur që nëpërmjet OJQ-ve t’u bëjmë thirrje atyre që të angazhohen në këto hulumtime të Kuvendit të Kosovës”, tha Osmani.

Sipas kryetares Osmani, Memorandumi e krijon bazën që në të gjitha këto komunikime dhe këto kërkesa të jenë drejtpërdrejt kuadrot e Fakultetit Juridik.

Nga ana tjetër dekani i Fakultetit Juridik, Avni Puka, tha se nëpërmjet një marrëveshjeje si kjo, mundësohet që ekspertiza e Fakultetit Juridik t’i ofrohet Kuvendit dhe njëkohësisht të ketë aktivitete të përbashkëta në mes të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe këtij fakulteti. ​

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 6 dhjetor 2021

- Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 11:00)

- Shërbimi Korrektues i Kosovës organizon ceremoninë e njëzetedyvjetorit të themelimit të  Shërbimit Korrektues të Kosovës. (Objekti i ish-Pallatit të Shtypit, “Rilindja”, Amfiteatri i Madh, ora 11:00)

- Mbahet ceremonia e pranim dorëzimit të detyrës të Kryetarit të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj. (Shtëpia e Bardhë, ora 11:00)

- Komuna e Prishtinës prezenton hulumtimin “Vlerësimi i nevojave të familjeve të skemes sociale”, qëllimi i të cilit është paraqitja e një pasqyre të qartë të gjendjes sociale reale në Prishtinë, dhe ndërtimi i politikave për përmirësimin e gjendjes aty ku ka nevojë. (objekti i vjetër i Komunës së Prishtinës, ora 11:30)

- Gupi i iniciatives “Dikur ja sheh hajrin” të udhëhequr nga të rinjtë e Gjakovës organizojnë aktivitet sensibilizues për mungesën e hapësirave për të rinjtë në komunën e Gjakovës. (Gjakovë, ora 12:30)

- Hapet ekspozita me dokumente arkivore dhe fotografi ekskluzive nga jeta dhe vepra e Hasan Prishtinës. (Biblioteka Kombëtare, ora 15:00)

- Mbahet mbledhja e parë inaguruese e Kuvenit të Komunës së Istogut. (Salla e Kuvendit të Komunës së Istogut, ora 16:00)

- Promovohet libri “200 Këngë nga opusi muzikor i kantautorit Ilir Shaqiri” me autor Korab Shaqiri. (Salla e Përurimeve në librarinë Dukagjini në Prishtinë, ora 18:00)