03 Tetor 2022

Kur Serbia flet për vrasje e dhunë, flet për vete e jo për Kosovën

Prishtinë, 12 gusht - Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se kur zyrtarët në Beograd, përfshirë presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, flasin për dhunë dhe vrasje në Kosovë, ata flasin për vete, “flasin për imagjinatën e mendimet e tyre”.

Ky reagim vjen një ditë pasi presidenti serb, Vuçiq deklaroi në Beograd se ka informacione për plane se në veri të Kosovës po përgatitet “likuidimi i popullit tonë”, duke iu referuar popullsisë serbe që jeton në Kosovë.

Por, Kurti pas një vizite që i bëri Doganave të Kosovës më 12 gusht, tha se Kosova është për paqe dhe stabilitet.

“Kur ata flasin, nuk janë duke folur për neve, por për vete. Ne jemi për paqe, siguri, stabilitet afatgjatë dhe duhet që me shtetin tonë jo vetëm ta mbrojmë sovranitetin dhe integritetin territorial, por edhe demokracinë, kushtetutshmërinë, sundimin e ligjit dhe progresin”, tha Kurti.

Ai sërish akuzoi Serbinë se ka nxitur rritjen e tensioneve në veri të Kosovës më 31 korrik dhe 1 gusht, kur serbët lokalë, duke shprehur pakënaqësinë e vendimeve të Kosovës për targat dhe dokumentet serbe, bllokuan rrugët në veri.

“Dita e 1 gushtit do të shkonte tërësisht paqësore dhe do të ishte dita e parë e punës së muajit të tetë të vitit. Mirëpo, më 31 korrik u ngritën ato barrikada prej njerëzve që kishin nxitur, planifikuar, përgatitur e financuar strukturat ilegale që u bën banda kriminale nëpër rrugën në veri të Kosovës”, tha Kurti.

Kurti tha se Kosova ka shënuar progres në shumë fusha, përfshirë edhe në mbledhjen e të hyrave dhe parandalimin e kontrabandës, duke theksuar se vetëm gjatë këtij viti, të hyrat nga Doganat janë rritur për 14 për qind krahasuar me vitin e kaluar.

Gjatë konferencës për media, Kurti u pyet edhe për një nismë të qytetarëve në rrjetet sociale, të cilët po kërkojnë që të shfuqizohet një udhëzim administrativ, që ndalon bartjen e shamisë në shkollat e Kosovës.

Shefi i ekzekutivit tha se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) po punon për të adresuar këtë shqetësim të qytetarëve, teksa shtoi se ai është kundër ndalimit të shamisë për vajzat nga mosha 16-vjeçare.

“Qëndrimin tim unë e kam thënë para shumë vjetësh, e qëndrimi është që nuk duhet të ketë ndalim të shamisë dhe të elementeve të tjera fetare në jetën publike të qytetarëve. Por, gjithashtu kam thënë se mosha 16-vjeçare është pragu”, tha Kurti.

Në Kosovë, që nga viti 2010 ekziston një udhëzim administrativ që ndalon bartjen e shamisë në shkolla.

Nga MASHTI kanë thënë se kjo ndalesa e uniformës fetare në shkolla bëhet për shkak se shkolla është sekulare.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 3 tetor 2022  - Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit interviston kandidatët për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 9:00)

-  Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione diskuton lidhur me procesin e nxjerrjes së akteve nënligjore, bazuar në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës me të ftuar, Habit Hajredini - Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë, Ahmet Kryeziu - Drejtor i Sawe the Children për Kosovë, dhe Naser Lajqi – përfaqësues i OJQ “Syri i Vizionit”. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)
 
- Avokati i Popullit organizon dëgjim publik lidhur me hetimin e përgjithshëm për shëndetin riprodhues. (Salla e Kuvendit Komunal në Gjakovë, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C301, ora 10:00)

- Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 11:00)

- Kryetari i Komunës së Prishtinës, Perparim Rama përuron hapjen e Sahat Kullës e cila edhe do t'i ndez dritat e Sahat Kullës, duke ndriçuar kështu këtë monument magjepsës të trashëgimisë kulturore në Prishtinë. (Prishtinë, ora 19:00)