20 Prill 2024

Kuçi: S'kemi pse të kërkojmë falje

Prishtinë, 9 mars - Qeveria e Kosovës është e gatshme të bisedojë me NATO-n për të ashtuquajturin incident me FSK-në, por edhe do të mbrojë pozicionin shtetëror në çdo rast.


 KFOR-i ka sinjalizuar se gjatë ditës së sotme mund të ketë zhvillime të reja në lidhje me mosmarrëveshjet mes këtij misioni dhe FSK-së.

“Më kanë thënë se deri tash nuk ka asgjë konkrete. Mbase, gjërat do të zhvillohen gjatë ditës. Ka pasur bisedime dje dhe mendoj se ka edhe sot diskutime me institucionet e Kosovës dhe do të shohim se çka do të ndodhë më vonë”, ka thënë zëdhënësi i KFOR-it, Hans Peter Buh.

Raportet mes KFOR-it dhe FSK-së janë acaruar që nga e premtja e kaluar, kur në ceremoninë “Epopeja e UÇK-së” u paraqit e pajisur me armë Garda e FSK-së. Pas këtij veprimi, komandanti i KFOR-it ka pezulluar përkrahjen, mentorimin dhe trajnimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës për afat të pacaktuar.

Ndërkohë, partitë opozitare në Kosovë i kanë sugjeruar Qeverisë që t’i kërkojë falje KFOR-it në lidhje me këtë mosmarrëveshje. Por, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka hedhur poshtë një mundësi të tillë, duke vazhduar të mbrojë paraqitjen e Gardës së armatosur më 5 mars.

“Ky kërkim i faljes është ritual religjioz më shumë. Ata që shkojnë në xhami apo kishë, kanë nevojë të kërkojnë falje. Në këtë rast, nuk mendoj se është ndonjë arsye për të kërkuar falje. Është një arsye për sqarime të domosdoshme. Ne i kemi pasur sqarimet e duhura, do t’i bëjmë edhe tjerat”.

“Por, po ju përsëris, Kosova është shtet, i ka institucionet e veta. Do ta respektojmë çdo njeri, qoftë vendor ose ndërkombëtar, që ka dhënë kontribut për lirinë dhe pavarësinë tonë. Por, askush në këtë botë nuk mund të kërkojë nga ne që të mos i respektojmë heronjtë tanë”, ka thënë Hajredin Kuçi.

KFOR-i ka argumentuar se paraqitja në stilin ushtarak, nuk përkon me statusin joushtarak të FSK-së. Megjithatë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka kujtuar se 5 marsi nuk ishte dita e parë kur FSK-ja është paraqitur e armatosur. Sidoqoftë, Kuçi ka thënë se nuk ka ndonjë betejë mes KFOR-it e Qeverisë.

“Këtu nuk ka betejë mes KFOR-it, FSK-së apo qeverisë. Ajo çka dua të them se kemi marrëdhënie të shkëlqyera. Por do të vazhdojmë t’i respektojmë heronjtë tanë dhe të kaluarën tonë . Mos të mendon dikush që përmes këtij rasti ta mohoj të drejtën tonë për shtet . Përndryshe garda ka qenë me armë edhe kur kanë ardhur edhe kryeministra të ndryshëm dhe nuk u bë kiameti që kanë dal edhe atë ditë. Jemi të gatshëm që të bisedojmë me këdo, por jemi të gatshëm që ta mbrojmë pozicionin tonë në çdo rast”, tha Kuçi.

“Mos të mendojë dikush që, përmes një rasti të tillë, mund ta mohojë të drejtën tonë për shtet, ta mohojë të drejtën për t’i respektuar vlerat tona kombëtare, kur e dimë të gjithë ne orientimin tonë për vlerat euroatlantike”.

“Ky ka qenë një rast i mirë për të sqaruar pozicionin tonë, por jo rast i mirë për ndonjë konfrontim. Përndryshe, Garda ka qenë me armë edhe kur kanë ardhur kryeministrat e ndryshëm, kur kanë ardhur edhe nënkryetarët e ndryshëm. Nuk është bërë kiameti që ka dalë me armë edhe atë ditë”, ka thënë Kuçi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)