05 Korrik 2022

Kryetarit Smajl Latifi i jepet dekorata " Qytetar Nderi i Përmetit"

Rahovec, 25 maj - Me një ceremoni solemne, organizuar nga kryetarja e Bashkisë së Përmetit Alma Hoxha, iu nda dekorata “Qytetar Nderi i Përmetit”, kryetarit të komunës së Rahovecit Smajl Latifi. 

Ceremonia u organizua në kuadër të shënimit të “Ditët e Naimit”, që është aktivitet tradicional në shënim të ditëlindjes së poetit tonë kombëtar Naim Frashëri.

Me këtë rast kryetarja Hoxha tha se bashkëpunimet Përmet – Rahovec kanë nisur vite më parë dhe kanë rezultuar me binjakëzimin e këtyre dy njësive administrative, si dhe me vëllazërimin e dy shkollave, “Nonda Bulka” në Përmet dhe “Mustafë Ibishi” në Kramovik. Po ashtu, janë realizuar vizita të ndërsjella dhe është thelluar komunikimi vëllazëror. Për të gjitha këto arritje merita të veçanta ka kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi, prandaj Këshilli Bashkiak në Përmet e ka mbështetur propozimin për dhënien e titullit “Qytetar Nderi”, këtij miku të madh të Përmetit.

Ndërsa kryetari i Rahovecit Smajl Latifi ka falënderuar ata që e nisën këtë ide, kryetarin e shoqatës atdhetare mbarëkombëtare “Vëllezërit Frashëri” z. Tomor Kotorri, ish kryetarët e Bashkisë së Përmetit Gilberto Jaçe e Niko Shupuli, si dhe kryetaren aktuale Alma Hoxha, për nderin që i kanë bërë. Ndër të tjera kryetari Latifi ka bërë thirrje që miqësia Përmet – Rahovec të kalojë nga ajo emocionale-vëllazërore në marrëdhënie me interes për qytetarët e këtyre dy njësive, respektivisht në marrëdhënie ekonomike, kulturore, arsimore, në fushën e agroturizmit dhe në sfera të tjera të jetës shoqërore.

Në fjalën e tij të rastit kryetari i shoqatës atdhetare mbarëkombëtare “Vëllezërit Frashëri” z. Tomor Kotorri, potencoi faktin se marrëdhëniet vëllazërore ndërmjet Përmetit e Rahovecit kanë dhënë e po japin rezultate konkrete, falë përkushtimit të madh të njerëzve të të dy njësive administrative.

Anila Mihali, kryetare e Këshillit Bashkiak ia dorëzoi dekoratën “Qytetar Nderi i Përmetit” kryetarit Smajl Latifi.

Më pas u mbajt Konferenca Shkencore për kontributin e vëllezërve Frashëri për çështjen kombëtare, me ç’rast me kumtesa u paraqitën akademikët Marenglen Verli dhe Beqir Meta, si dhe studiues e historianë të tjerë të shquar. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 5 korrik 2022

- Mbahet takimi në mes të delegacionit Amerikan të MCC-së dhe atij të Republikës së Kosovës në lidhje me programin Kompakt të MCC-së. (Ndërtesa e Qeverisë, Salla - P38, ora 9:00)

- Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes shqyrton propozim-amendamentet për Projektligjin për Komisionerin Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N225, ora 10:00)

- Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca mban konferencë për media me rastin e përfundimit të sezonit auditues 2021/22 dhe procesit të publikimit të 121 raporteve të auditimit. (Ambientet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, Lagjja Arbëria, ora 11:00)

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti shqyrton raportin vjetor të Autoritetit të Konkurrencës së Republikës së Kosovës për vitin 2021. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Rektori i Universiteti të Prishtinës Naser Sahiti dhe U.D Sekretari i Përgjithshëm, Besfort Krasniqi raportojnë para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me raportin e Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Universitetit të Prishtinës, për vitin 2021. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 11:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës mban konferencën për media gjatë të cilës do të shpalosën të gjeturat nga monitorimi i punës së Kuvendit për gjashtë muajt e parë të sesionit pranveror me fokus në çështjen e mungesës së kuorumit dhe shqyrtimit të projektligjeve. (Zyrat e Institutit Demokratik të Kosovës, ora 11:00)

- Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë do të lansoj edicion e 22-të të Përmbledhjes Pulsi Publik. (Salla e konferencave të UNDP-së, ora 11:00)

- UBT nënshkruan dy marrëveshje shumë të rëndësishme me dy universitete nga shteti i Iowa-s, me University of Northern Iowa dhe University of Iowa. (Kampusi i UBT-së, Lipjan, tek QMI, ora 12:00)

- Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione prezanton draftligjin për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna në Baza Gjinore, nga eksperti Hilmi Jasahri, i angazhuar nga UN Women. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 13:00)

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Inspektoratin Shëndetësor, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 13:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës njoftohet rreth ndërrimit të anëtares së PDK-së Eliza Hoxha me deputetin Abelard Tahiri si dhe diskuton rreth emrave të ekspertëve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 13:00)

- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, pret në takim ambasadorin japonez, Akira Mizutani. (Kabineti i kryetarit, 13:30 - mediat mund të marrin pamje në fillim të takimit)