20 Prill 2024

Kryeparlamentari Krasniqi vlerëson lartë vizitën në Londër

Prishtinë, 6 shkurt - Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i kryesuar nga kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, në përbërje të të cilit ishin edhe anëtari i Kryesisë, Ibrahim Gashi, shefi i Kabinetit, Mehmet Hajrizi dhe këshilltari për marrëdhënie me jashtë, Skënder Reçica, është kthyer sot nga vizita në Mbretërinë e Bashkuar.

Vizita është realizuar me ftesë të Asociacionit Parlamentar të Komonveltit Britanik, për të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare Parlamentare, në të cilën temë e diskutimeve ishte Ndërtimi i Paqes pas konflikteve.

Pas arritjes në Aeroportin e Prishtinës, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka folur për aktivitetet e delegacionit të Kuvendit të Kosovës gjatë qëndrimit pesëditor në Mbretërinë e Bashkuar, për pjesëmarrjen në konferencë dhe takimet e shumta me përfaqësues të shteteve të ndryshme, pjesëmarrës në këtë konferencë.

Kryeparlamentari Krasniqi njoftoi për takimet me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit Britanik, John Bercow, dhe atë të Asamblesë së Irlandës Veriore, William Hay, me të cilët janë shkëmbyer përvojat parlamentare.

Krasniqi tha se gjatë këtyre takimeve është kërkuar që të ketë komunikime të vazhdueshme për të marrë praktika dhe përvoja nga demokracia tashmë tradicionale e Mbretërisë së Bashkuar. Kreu i Kuvendit theksoi se të dy kryetarët i ka njoftuar me zhvillimet politike në Kosovë, dhe në mënyrë të veçantë me angazhimet e Kuvendit të Republikës, duke iu bërë ftesë për vizitë në Kosovë.

Kreu i Kuvendit të Kosovës veçoi takimin me drejtorin për Evropën Juglindore në Ministrinë e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Daniel Cearn, takimet me personalitete të vendeve të ndryshme, pjesëmarrës në Konferencë, duke potencuar veçanërisht atë me referuesin e konferencës, Lordin Robertson. Krasniqi tha se në këto takime ka dhënë njoftime edhe për strategjinë për veriun, duke kërkuar nga Mbretëria e Bashkuar mbështetje për të dhe procese të tjera.

Kryeparlementari Krasniqi njoftoi edhe për takimet me përfaqësues nga Pakistani, Bangladeshi, Sudani etj., nga të cilët është kërkuar njohja e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, me ç’rast janë marrë zotime se do të ndikohet te qeveritë respektive që ta kenë parasysh njohjen e Kosovës.

“Ndoshta edhe vet prezenca jonë në këtë Konferencë të organizuar nga Komonvelti Britanik, ka bërë që të ketë një interes të shtuar nga vendet anëtare të Komonoveltit”, theksoi kryeparlamentari Krasniqi.

I pyetur nga gazetarët rreth debatit mbi mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, i pari i Kuvendit theksoi se zgjedhjet nuk janë zgjidhje, ndërkaq potencoi se pozita dhe opozita duhet të punojnë në forcimin e institucioneve dhe në krijimin e një ambienti të përshtatshëm për zhvillimin dhe përmirësimin e jetës në Kosovë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)