24 Tetor 2021

Kryeministri Rama pritet me ceremoni shtetërore nga kryeministri Kurti

Prishtinë, 27 shtator - Me nderime të larta shtetërore, në ceremoninë e organizuar në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama.

Në vizitën e tij të parë në Kosovë, pas marrjes së mandatit të ri, kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama është pritur në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

Në takimin e përbashkët ndërmjet dy kryeministrave dhe anëtarëve të kabineteve, u theksua për mundësitë dhe potencialin për rritje të bashkëpunimit për më shumë drejtësi, barazi e mirëqenie për shqiptarët në të dy anët e kufirit dhe në të gjithë rajonin.

U bisedua për hapa konkret drejt avancimit të zbatimit të marrëveshjeve të arritura më herët ndërmjet dy shteteve.

Janë rreth 150 marrëveshje, memorandume dhe protokolle, të nënshkruara nga viti 2014, në mbledhjet e përbashkëta mes dy qeverive.

U dakorduan për themelimin e një sekretariati koordinues për marrëdhëniet bilaterale, të cilin do ta udhëheqë Gentian Sala.

U diskutuan hapa konkret për projekte të përbashkëta të cilat lehtësojnë qarkullimin e qytetarëve, për lehtësira doganore dhe lehtësira në kalimin e pikave kufitare si dhe shfrytëzimit të objekteve të përbashkëta për konsullata e ambasada.

Po ashtu, u pajtuan që të fillohet me përgatitjet nga dy kabinetet për mbledhjen e përbashkët të të dy qeverive që pritet të mbahet në fund të muajit nëntor.

Në takimin e përbashkët, për çështje konkrete në fushëveprimet e ministrive përkatëse diskutuan ministrat e Kabinetit Qeveritar të Republikës së Kosovës: Hekuran Murati, ministër i Financave, Punës dhe Transfereve, Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme, znj.Artane Rizvanolli, ministre e Ekonomisë, Liburn Aliu, ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, z.Hajrulla Çeku, ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, znj.Rozeta Hajdari, ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe znj.Edona Maloku Bërdyna, zëvendësministre në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit; me ministrat e Kabinetit Qeveritar të Republikës së Shqipërisë: Bledar Çuçi, ministër i Punëve të Brendshme. znj.Delina Ibrahimaj, ministre e Financave dhe Ekonomisë, znj.Evis Kushi, ministre e Arsimit dhe Sportit, znj.Elva Margariti, ministre e Kulturës, znj.Mirela Kumbaro, ministre e Turizmit dhe Mjedisit, znj.Elisa Spiropali, ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.

Kalendari

Ngjarjet e datës 25 Tetor 2021

- Komisioni i Pavarur i Mediave në bashkëpunim me Departamentin e Gazetarisë të UP-së, me rastin fillimit të javës globale për edukimin mbi median dhe informacionin, organizojnë tryezë diskutimi me temën: “Edukimi Medial - Përmbajtjet e papërshtatshme për fëmijë”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Nën patronatin e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi do të mbahet “Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit”, me moton “Së bashku në mbrojtje të viktimave të krimit”. (Hotelin Emerald, ora 10:00)

- GLPS mban tryezë diskutimit me temë “Meritokracia në shërbimin e jashtëm të Kosovës: një sërë rekomandimesh që duhet marrë parasysh”. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:30)

- Punëtorët e Lotarisë së  Kosovës mbajnë protestë në të cilën do të kërkohet miratimi i ligjit për Lotarinë e Kosovës. (Para ndërtesës së Qeverisë, ora 11:00)

- Mbahet konferencë për media lidhur me Festivalin e 12 -të i Filmit të Shkurtër Ballkani Përtej Kufijve. (Kino Armata, ora 12:45)

- Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës  do të mbajnë tubim për të diskutuar masat e reja. (Golden Imperial, ora 19:00)