25 Qershor 2022

Kryeministri Kurti u takua me kongresisten, Carolyn Maloney

Washington, D.C., 20 maj - Progresi në një vit qeverisje, reformat e nisura në drejtësi dhe sundim të ligjit, si dhe ruajtja e paqes dhe sigurisë në Kosovë e rajon, u diskutuan në takimin që Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pati me kongresisten amerikane Carolyn Maloney, njëherësh kryesuese e Komitetit për Mbikëqyrje dhe Reforma.

Kryeministri Kurti tha se përmirësimi i indikatorëve të demokracisë në njërën anë dhe qeverisja e mirë e luftimi i krimit dhe korrupsionit në anën tjetër, janë themeli i një rritje të qëndrueshme ekonomike që i duhet vendit.

Ai theksoi angazhimin e Qeverisë dhe përparimin në luftimin e krimit dhe të korrupsionit, duke veçuar ngritjen e Kosovës për 17 vende sipas indeksit të perceptimit të korrupsionit të Transparency International, dhe renditjen si të parët në rajon sipas “World Justice Project”.

Lidhur me dialogun me Serbinë, kryeministri ritheksoi se duhet të jetë dialog parimor që respekton barazinë e palëve në bisedime dhe që në qendër të marrëveshjes ka njohjen e ndërsjellë.

Qeveria e Kosovës angazhohet dhe është e vendosur që kushtetutshmëria, integriteti territorial, sovraniteti dhe ligjshmëria të ngelen të pacenuara, tha kryeministri Kurti.

U diskutua edhe invazioni dhe agresioni rus në Ukrainë dhe rreziku që paraqet për destabilizimin e rajonit, marrë parasysh lidhjet e afërta të Rusisë me Serbinë, e cila për dallim nga Republika e Kosovës, nuk është rreshtuar me botën demokratike në dënimin dhe sanksionimin e agresorit.

Kryeministri tha se qasja e Serbisë te fondet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës duhet të kushtëzohet me dënimin e plotë të invazionit rus dhe sanksionimin e luftës ilegale të Rusisë në Ukrainë. 

Kongresistja Maloney e falënderoi kryeministrin Kurti dhe Republikën e Kosovës, që u rreshtuan përkrah ShBA-së dhe BE-së lidhur me invazionin rus në Ukrainë dhe për ndihmën e ofruar refugjatëve afganë.


 


 



 

Kalendari

Ngjarjet e datës 25 qershor 2022 - Pishina e vetme e kryeqytetit hapë sezonin veror 2022. (Pishina në hyrje të parkut Gërmia, ora 10:00)

- Komisioni i Shëndetësisë nga Lidhja Demokratike e Kosovës - Dega Gjilan, mban konferencë për medie. (Selia e LDK-së, ora 11:00)  

- Rrjeti i OJQ-ve AVONET dhe komuniteti i biznesit në Komunën e Vitisë organizon konferencë për media lidhur me mosbashkëpunimin e Qeverisë lokale, deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, i cili ka ndikuar në ngecje të projekteve, neglizhencë, e mosadresim të tyre. (Përballë Shtëpisë së Kulturës "Gursel e Bajram Sylejmani" në Viti, ora 12:30)