17 Gusht 2022

Kryeministri Kurti priti në takim Sekretaren zvicerane të Shtetit, Livia Leu

Prishtinë, 28 qershor - Në takimin me Sekretaren e Shtetit e Departamentit Federal të Punëve të Jashtme të Zvicrës, Livia Leu, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës.

Kryeministri Kurti theksoi vullnetin për forcim të mëtejmë të marrëdhënieve të shkëlqyeshme bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës. Ai u falënderua për përkrahjen e Zvicrës dhënë popullit të Kosovës, që nga vitet e ‘70-ta dhe theksoi se mërgata jonë atje është ura më e mirë lidhëse mes dy shteteve tona.

Sekretarja Leu e vlerësoi miqësinë vibrante mes dy vendeve dhe shprehu mirënjohjen për kontributin e mërgatës së Kosovës në Zvicër. Tha se Republika e Kosovës është shtet prioritar për Konfederatën Zvicerane.

Ajo përgëzoi kryeministrin Kurti për përpjekjet në luftimin e korrupsionit dhe indikatorët pozitivë ekonomikë. Po ashtu potencoi rëndësinë që ka kjo në sigurinë juridike dhe ndikimin në tërheqjen e investimeve në vend.

Gjatë takimit u ritheksua gatishmëria e të dy qeverive për të konkretizuar edhe më tej bashkëpunimin në ekonomi dhe krijim të vendeve të reja të punës. U theksua se veçanërisht shkëmbimet tregtare dhe investimet në ekonomi mund të rriten.

Lidhur me situatën gjeopolitike në rajon dhe Evropë, Sekretarja Leu uroi kryeministrin për pozicionimin e qartë me demokracitë perëndimore në vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse.

U theksua zgjerimi dhe thellimi i bashkëpunimit sa më të afërt për sigurinë dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor. Sekretarja Leu tha se Ballkani është shumë i rëndësishëm për Zvicrën dhe se raporti ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është çelësi për këtë rajon.

Duke biseduar për procesin e dialogut në Bruksel, Kryeministri Kurti ritheksoi qëndrimin për një marrëveshje ligjërisht të obligueshme, që normalizon plotësisht marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, duke pasur në qendër njohjen reciproke.

Ai tha se mohimi i krimeve të kryera nga Serbia gjatë luftës së viteve 1998-99 në Kosovë dhe mosnjohja e pavarësisë se Republikës së Kosovës, janë pothuajse e njëjta gjë. Po ashtu, veçoi rëndësinë e rritjes së përpjekjeve për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës.

Kryeministri Kurti theksoi se për Qeverinë e Republikës se Kosovës, Procesi i Berlinit nuk ka alternativë, siç nuk ka alternativë anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

Në këtë takim mori pjesë edhe deputetja Jeta Statovci, drejtuese e Grupit parlamentar të miqësisë Kosovë-Zvicër.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 16 gusht 2022

- Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal organizon debatin publik për të prezantuar dhe diskutuar rreth draft Strategjisë Kombëtare dhe Planit të Veprimit për Menaxhimin dhe Kontrollin e Qenve me dhe pa Pronar 2022-2028. (Amfiteatri i Qeverisë në ish ndërtesen e Rilindjes, ora 9:00)

- Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, do të takojë Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj. (Kuvendi i Kosovës, Salla N204, ora 9:00 - Mediat mund të marrin pamje në fillim të takimit)

- Komuna e Rahovecit organizon degjim publik me biznese dhe grupe te interesit për buxhetin e vitit 2023 dhe Kornizës Afatmesme Buxhetore për vitet 2024-2025. (Salla e Kuvendit Komunal, ora 11:00)