25 Janar 2022

Kryeministri Kurti priti në takim Presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor

Prishtinë, 29 nëntor - Përkushtimi i dyanshëm për thellim të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Sllovenisë dhe forcim të partneritetit ndërmjet dy vendeve, u theksua në takimin ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me Presidentin e Republikës së Sllovenisë, Borut Pahor.

Duke i uruar mirëseardhje, Kryeministri Kurti falënderoi Presidentin Pahor për përkrahjen e vazhdueshme të Sllovenisë, një vend mik dhe partner strategjik i Republikës së Kosovës.

Sllovenia është partneri ynë i çmuar pasi ndajmë të njëjtin interes për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë, tha kryeministri Kurti, duke u shprehur mirënjohës për kontributin e Sllovenisë në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR. Ai tha se pret me padurim avancimin e marrëdhënieve dypalëshe në mbrojtje dhe siguri.

Kryeministri Kurti theksoi përkushtimin e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe Bashkim Evropian, si dhe punën e Qeverisë në këtë drejtim. Ai kërkoi përkrahje nga Sllovenia për anëtarësimin në organizata dhe iniciativa ndërkombëtare.

Teksa foli për menaxhimin dhe situatën aktuale me pandeminë, kryeministri Kurti tha se gjatë muajit nëntor ka pasur raste njëshifrore të vdekjeve të të prekurve me COVID 19, deri tani janë administruar 1 milion e 612 mijë vaksina, me dy doza janë vaksinuar 57 për qind e të rriturve të moshës mbi 16 vjeç, ndërsa me një dozë rreth 65 për qind.

Kryeministri theksoi se përkundër faktit që kemi filluar me vonesë vaksinimin nuk kemi marrë vaksina nga Kina apo Rusia, por vetëm ato të certifikuara nga FDA dhe EMA.

Këtë vit Kosova tregoi se është e gatshme të marrë përgjegjësi të reja me kalimin nga një konsumues i sigurisë në një ofrues sigurie.

Në këtë aspekt, kryeministri veçoi se Kosova me krenari mbështeti operacionin e drejtuar nga NATO për evakuimin e refugjatëve afganë, që dëshmon se Kosova është një partner i besueshëm.

Ne ishim të gatshëm të ndihmonim sepse kjo është ajo që vendet që ndajnë të njëjtat vlera të demokracisë dhe paqes bëjnë për njëri-tjetrin, tha kryeministri.

Kryeministri foli për përkushtimin e qeverisë në luftën kundër krimit e korrupsionit. Lidhur me masat e ndërmarra, ai theksoi se gjatë këtij viti policia ka realizuar rreth 500 operacione e rreth 900 bastisje dhe ka shkatërruar 41 grupe kriminale. Nuk do të lejojmë asnjë individ apo grup të jetë më i fortë sesa shteti ligjor, tha ai.

Përmirësimi i politikave qeverisëse, ka rezultuar edhe me rritje ekonomike, tha kryeministri duke theksuar parashikimin e Bankës Qendrore të Kosovës për rritje ekonomike prej 9.9 për qind për vitin 2022. Kur nuk ka korrupsion në qeverisje, qytetarët shpenzojnë më shumë dhe i paguajnë tatimet me rregull, sepse nuk frikohen që paratë e tyre do të keqpërdoren, theksoi ai.

Presidenti Pahor e përgëzoi kryeministrin për qasjen e re në qeverisje. Ai u interesua të dijë më shumë rreth ecurisë së bisedimeve me Serbinë dhe tha se Sllovenia është e interesuar të shoh progres. Përkundër vështirësive bisedimet duhet të vazhdojnë, tha ai.

Kryeministri e vlerësoi rolin e Sllovenisë në këtë proces si shumë të rëndësishëm dhe kërkoi mbështetjen e saj për të elaboruar rëndësinë e reflektimit të Serbisë për dëmet e shkaktuara, shkatërrimet dhe luftën, krimet e kryera në Kosovë.

Ky është një parakusht për bisedime serioze dhe normalizim të marrëdhënieve, tha kryeministri, duke e ritheksuar si parësore vendosjen në qendër të bisedimeve të njohjes së ndërsjellë të Kosovës me Serbinë.

​ 

Kalendari

Ngjarjet e datës 25 janar 2022 - Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë shqyrton Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Malit të Zi në kontekstin e Aderimit në Bashkimin Evropian. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, pret në takim Komisionin për Sigurinë Kombëtare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C301, kati III, ora 10:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës mban konferencën për media, ku do të prezantohen rezultatet e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2021 nga Transparency International. (Zyrat e KDI-së, përballë Bashkësisë Islame, ora 10:00)

- Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet, Çohu! organizon tryezë, në të cilën do të publikohet raporti me titull “Online Media Monitor”. (Hotel Sirius, ora 10:00)
 
- Grupi organizativ "Protestojë" mban konferencë për media lidhur me protestën "Asnji cent ma shumë!" kundër shtrejtimit te rrymës, të paraparë të mbahet të merkurën. (Pranë ndërteses së Qeverisë, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e parë e rregullt e Kuvendit Komunal të Rahovecit për vitin 2022. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal, ora 10:00)

-  Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, KulturÑ‘, Rini dhe Sport shqyrton në parim i Projektligjin pÑ‘r Agjencinë e Kosovës për Akreditim dhe Arkivat Shtetërore. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 10:00)

- Instituti i Prishtinës për Studime Politike dhe Lëvizja FOL organizon tryezën e diskutimit me temën "Reforma në Sistemin e Drejtësisë gjatë vitit 2021: Sfidat dhe arritjet". (Hotel Swiss Diamond, ora 10:30)

- Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë raporton para Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N506, ora 11:00)

-  Komisioni për Integrime Evropiane shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shitjen e banesave për të cilat ekziston e drejta banesore, me amendamentet e Komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 11:00)

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, merr pjesë në prezantimin e aktiviteteve të Agjencisë së Kosovës për Akreditim për vitin 2021 dhe Strategjinë e AKA-së 2021-2025. (Hotel Sirius, ora 11:20)

- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, pret në takim Komisionin për Sigurinë Kombëtare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 301, ora 13:00 - Mediat mund të marrin pamje në fillim të takimit)

- Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal shqyrton në parim i Projektligjin për Sistemin e menaxhimit të performancës së komunave dhe skemën e grantit të bazuar në performancë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla 303, ora 14:00)

- Mbahet takimi i radhës së Këshillit Ekonomiko-Social. (Objekti i Qeverisë, salla Nr. P/38, ora 15:00)