21 Shtator 2020

Kryeministri Hoti, ministrat Veliu dhe Likaj raportojnë në seancën e Kuvendit

Prishtinë, 17 shtator - Kuvendi i Republikës së Kosovës mban sot seancën e parë për këtë sesion me pikat e mbetura nga seancat e kaluara.

Në këtë seancë do të votohet Propozim-Rezoluta lidhur me menaxhimin e Pandemisë COVID-19, të propozuar nga GP i LVV-së si dhe votimi i rekomandimeve lidhur me menaxhimin e Pandemisë COVID-19, të propozuar nga GP i PDK-së.

Gjatë kësaj seance po ashtu do të votohet Propozim-rezoluta nga debati parlamentar për situatën financiare të Telekomit  të Kosovës, pas lejimit të  përmbarimit të Vendimit Përfundimtar OEN nr. 20990/MHM, të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit pranë Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Paris, të propozuar nga GP i LVV-së, votimin e në parim i Projektligjit për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së, si dhe votimi në parim i Projektligjit nr.07/L-016 për Rimëkëmbjen Ekonomike - COVID-19.

Me pas ndërkaq, do të fillojë seanca e rregullt plenare, me pikat e rëndomta të rendit të ditës: deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare.

Më pas, para deputetëve do të paraqitet kryeministri Avdullah Hoti, për të raportuar në lidhje me takimin me palën serbe në Washington më 4 shtator.

Seanca me pas pritet të vazhdojë me interpelancën e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, sipas kërkesës së nënkryetares së Kuvendit, Arberije Nagavci, e nënshkruar edhe nga 7 deputetë tjerë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me përgatitjet për fillimin e vitit shkollor në kushte të pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës,

Ndërsa me pas seanca vazhdon edhe me interpelancën e ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratë Publike, Agim Veliu, sipas kërkesës së deputetes Fatmire Mullhaxha-Kollçaku, e nënshkruar edhe nga 9 deputetë tjerë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me hyrjen dhe patrullimin e pjesëtarëve të uniformuar të Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, përkatësisht në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës.

Dy projektligje, ai për masat e përkohshme për ta lehtësuar efektin e Pandemisë “COVID-19”, si dhe Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 03/L-048 për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, i plotësuar dhe i ndryshuar me Ligjin nr. 03/L-221, me Ligjin nr. 04/L-116, me Ligjin 04/L-194, me Ligjin 05/L-063, dhe me Ligjin 05/L-007, do të shqyrtohen për herë të parë nga deputetët.

Shqyrtimi i rekomandimeve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike në lidhje me Raportin e Auditimit të pasqyrave vjetore financiare të Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe sporteve për vitin 2019, do të pasohet me zgjedhjen e dy anëtarëve joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, zgjedhjen e gjashtë anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, si dhe propozimin e GP të PDK-së për zëvendësimin e anëtarëve në Komisionin Hetimor Parlamentar  në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit “COVID-19” nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 21 Shtator 2020

- Mbahet mbledhja e Qeverisë së Republikë së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 8:30)

- Fillon Shkolla Verore e BE-së në të cilën do të shtjellohet temat për zhvillimin ekonomik, qëndrueshmërinë mjedisore dhe shfaqjen e pandemisë globale. (Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ora 9:00)

- Mbahet mbledhja e komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione në të cilën do të votohet raporti i panelit përzgjedhës për shqyrtimin e aplikacioneve, intervistim dhe listën e ngushtë të kandidatëve për Avokat të Popullit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj Stublla takohet me Ambasadorin japonez, Mizutani Akira. (Kabineti i ministres Haradinaj Stublla, ora 10:00 - pa prezencen e mediave)

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, pret në takim delegacionin e Qeverisë së SHBA-ve, të udhëhequr nga Kryeshefi Ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA Adam Boehler, të cilit do t’i bashkohet edhe i dërguari special i SHBA-së për dialogun Kosovë - Serbi, Richard Grenell, përfaqësues të USAID, Kryetarin e Bankës së Eksport-Importit të Shteteve të Bashkuara, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë nga Departamentet e Energjisë dhe Tregtisë në SHBA. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 10:00)
 
- Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj Stublla dhe Ambasadori japonez, Mizutani Akira, nënshkruajnë marrëveshjen për donacionin e radhës të Japonisë për Kosovën. (Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ora 10:30)

-  Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë shqyrton listen e dëshmitarëve, përzgjedh ekspertët e jashtëm si dhe publikon adresën për dorëzimin e dëshmive nga qytetarët. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti merr pjesë në përurimin e shtatores së Heroit Ahmet Krasniqi, si dhe në inaugurimin e sheshit, i cili do të mbajë emrin e tij. (Sheshi “Ahmet Krasniqi” në Vushtrri, ora 11:00)  

- Mbahet ceremonia e dorëzimit të pajisjeve mjekësore për Sallën e Operacionit dhe Sallën e Lindjes për gratë e infektuara me COVID-19, pajisje këto të financuara nga partneri jonë Raiffeisen Bank në Kosovë dhe AMC. (QKUK, ora 11:00)

- Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi, do të takohet me U.D i Kryesuesit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji Arsim Janova, ku do të  nënshkruajnë një Marrëveshje Mirëkuptimi dhe Bashkëpunimi mes dy institucioneve, pas nënshkrimit të marrëveshjes do të ketë konferencë për medie. (Ish-objekti i Bankës së Lubjanës, kati i IV, ora 11:15)

- Seanca plenare e Kuvendit, e ndërprerë të premten do të vazhdojë sot. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 13:00) 

- Kryeministri Avdullah Hoti pret në takim delegacionin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 18:30)