28 Mars 2024

Kriteret për liberalizim të vizave, veçse janë përmbyllur

Prishtinë, 18 tetor - Në mbledhjen e Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të kryesuar nga Zylfije Hundozi, mori pjesë ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi. Ai raporti para anëtarëve të komisionit lidhur me arritjet në përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave me BE-në.

Ministri Rexhepi theksoi se procesi i liberalizmit të vizave ka filluar shumë më herët dhe është punuar mjaft. “Përveç luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, procesi i liberalizmit të vizave ka qenë prioriteti i dytë i një rëndësie të posaçme për Qeverinë dhe MPB-në”, tha Rexhepi, duke shtuar se të gjitha ato që janë kërkuar veçse janë përmbyllur.

Gjatë këtij takimi ministri Rexhepi sqaroi se kanë qenë tri çështje kryesore që janë kërkuar për të marrë udhërrëfyesin apo strategjinë për liberalizimin e vizave. 


“Ligji për Ripranim ka kaluar të gjitha procedurat dhe ka hyrë në fuqi. Po ashtu edhe Strategjia për Riintegrimin e Personave të Riatdhesuar ka kaluar të gjitha procedurat dhe është në fazën e implementimit”, tha Rexhepi. 

Sipas tij Strategjia për Rintegrimin e Personave të Riatdhesuar përmban politika dhe aktivitetet që obligojnë institucionet e ndryshme në nivel qendror dhe lokal që të ofrojnë shërbime për qytetarët që kthehen, si dhe lehtësojnë riintegrimin e tyre në Kosovë. Ai bëri të ditur se Qeveria e Kosovës ka ndarë 500.000 euro për zbatimin e kësaj strategjie për vitin 2010, ndërsa për vitin e ardhshëm ka zotim për ndarje të 3.500.000 euro shtesë për implementimin e kësaj strategjie. Më tej Rexhepi ka folur edhe për Planin e Veprimit.

“Këto janë tri dokumentet kryesore që janë kërkuar nga Komisioni Evropian. Këto kanë qenë kërkesë dhe kusht që ne të marrim Strategjinë për liberalizmin e vizave. Ne, në kohën e duhur i kemi plotësuar kriteret. Kështu na është premtuar publikisht, por kjo nuk ka ndodhur. Kjo ka qenë jo korrekte. Jemi të pakënaqur me qasjen e Komisionit Evropian, sepse ne i kemi plotësuar kushtet që janë kërkuar. Pavarësisht se jemi të pakënaqur  ne do të vazhdojmë punën me udhërrëfyesin tonë vetanak dhe nuk do të dekurajohemi që të vazhdojmë punën tonë të mëtejmë, në mënyrë që t’i plotësojmë  kushtet teknike”, tha Rexhepi.

Më tej ai tha se është duke u bërë përgatitja me pajisje për pasaportat biometrike, në mënyrë që të jenë të nivelit më të lartë. Me qëllim të përgatitjes së kushteve dhe infrastrukturës për fillimin e lëshimit të pasaportave biometrike është punuar në avancimin e sistemit të marrjes dhe përpunimit të të dhënave biometrike. Ka përfunduar studimi përkatës i fizibilitetit dhe është krijuar një Task Forcë në kuadër të MPB-së, përgjegjëse për bashkërendimin e aktiviteteve në lidhje me lëshimin e pasaportave biometrike, e cila ka përgatitur termat e referencës për tenderin e pasaportave biometrike. Ndërsa, tenderi, sipas Rexhepit pritet të shpallet deri në fund të muajit tetor të këtij viti.
 
Ministri i MPB-së po ashtu deklaroi se është optimist se deri në fund të këtij viti do të kompletohet edhe regjistri civil. “Jam optimist se deri në fund të vitit do t’i plotësojmë të gjitha kriteret teknike”, tha me këtë rast Rexhepi.

Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, me këtë rast u është përgjigjur pyetjeve të shumta që shtruan anëtarët e komisionit, për çështje të ndryshme, që kanë të bëjnë me përgjegjësitë e kësaj ministrie.

Kryetarja e komisionit Zylfije Hundozi po ashtu sqaroi se gjatë ditës së mërkurë Kosovën do ta vizitojë përfaqësuesja e Parlamentit Evropian, Tanja Fajon, e cila aktualisht është e angazhuar rreth procesit të udhërrëfyesit të vizave.

Në vazhdim të mbledhjes anëtarët e komisionit shqyrtuan dhe përkrahën dy projektligje: Projektligjin për rezervat shtetërore të mallrave dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 2004/33 për blegtorinë e Kosovës, me amendamentet e komisioneve funksionale. Anëtarët e komisionit vlerësuan së projektligjet në fjalë janë në përputhshmëri me legjislacionin e BE-së.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)