29 Mars 2024

Krasniqi: Së shpejti Ligji për Avokatin e Popullit

Prishtinë, 2 prill - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, i shoqëruar nga deputetë të Kuvendit dhe këshilltarët e tij, ka vizituar sot institucionin e Avokatit të Popullit, me ç’rast është pritur nga Avokati i  Popullit, Sami Kurteshi, me bashkëpunëtorë dhe stafin e administratës.

Kryeparlamentari Krasniqi ka thënë se qëllimi i kësaj vizite është njoftimi nga afër me punën e një institucioni të pavarur i cili i përgjigjet Kuvendit. Avokati i Popullit, sipas tij, është njëri nga institucionet më kredibile në mbrojtje të qytetarëve të Republikës së Kosovës, kur të drejtat dhe interesat e tyre shkelen nga institucionet e tjera. Kreu i Kuvendit të Kosovës e ka përgëzuar institucionin e Avokatit të Popullit për punën që po e bën në shërbim të qytetarëve. 

“Ju po e bëni funksional një institucion i cili ka një mision të shenjtë dhe fisnik. Nuk ka mision më të shenjtë se sa të mbrohen qytetarët”, ka thënë Krasniqi. 

Pasi është njoftuar me ambientet e punës së këtij institucioni, Krasniqi ka thënë se puna e tij bëhet në kushte mjaft të vështira, por ka shfaqur shpresën se së shpejti, në Kuvendin e Kosovës do të miratohet ligji për Avokatin e Popullit, i cili do të krijojë mundësi të tjera për këtë institucion të rëndësishëm dhe të pavarur. 

Duke ofruar mbështetje, kryeparlamentari Krasniqi ka thënë se është i vetëdijshëm edhe për kërkesat që i adresohen institucionit të Avokatit të Popullit, sikur të ishte institucion që e ndan drejtësinë. Në këtë pikëpamje, kryetari i Kuvendit ka vlerësuar se Avokati i Popullit është institucion tjetër, i cili do të duhej të kërkonte edhe nga gjyqësori që t’i kryej detyrat e tij me përgjegjësi, përderisa ky i fundit, sipas Krasniqit, ende nuk është i reformuar në kuptimin më të mirë të fjalës. 

“Ne do të dëshironim që Avokati i Popullit, si institucion i pavarur, në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të qytetarëve të Kosovës, të ketë sa më pak punë. Duke pasur sa më pak punë, atëherë institucionet e tjera kryejnë detyrat e tyre më me përgjegjësi dhe konform kushtetutës e ligjeve që janë në fuqi”, ka theksuar Krasniqi. I pari i legjislativit të vendit ka thënë se Kuvendi i Kosovës, institucionet e pavarura të tij i mbikëqyr përmes raporteve të punës që dorëzojnë ato, dhe në mesin e tyre, si institucion kushtetues, është edhe Avokati i Popullit, i cili i raporton Kuvendit. 

Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, nga ana e tij, e ka njoftuar kryeparlamentarin Krasniqi me punën dhe funksionimin e institucionit që ai udhëheq, ndërsa vizitën e ka konsideruar si shenjë të drejtpërdrejtë dhe konkrete të mbështetjes për institucionin e Avokatit të Popullit. Sipas Kurteshit, kjo dëshmon se jo vetëm Kushtetuta, e cila e ngrit institucionin e Avokatit të Popullit në kategori kushtetuese, por edhe institucionet, sidomos Kuvendi, këtë ngritje të tij e merr shumë seriozisht, dhe kjo vizitë e dëshmon këtë. “Unë shpresoj shumë që Kuvendi e ka marrë shumë seriozisht çështjen e institucionit të Avokatit të Popullit”, ka thënë Kurteshi. 

Gjatë kësaj vizite, kryeparlamentari Krasniqi ka zhvilluar një bashkëbisedim edhe me stafin e këtij institucioni. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)