28 Mars 2024

Krasniqi priti Ambasadorin e Suedisë, Lars Wahlund

Prishtinë, 27 tetor - “Kosova ka shumë vështirësi që i ka lënë historia, por tregimi i Kosovës është tregimi për të gjithë ata që e kanë mbështetur dhe që të gjithë së bashku duhet ta përfundojmë tregimin e saj”, tha Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës,  Jakup Krasniqi gjatë një takimi me ambasadorin e Suedisë, jorezident për Kosovën, me seli në Shkup, z.Lars Wahlund, i cili dorëzoi letrat kredenciale.

Në takim, z.Krasniqi falënderoi ambasadorin Wahlund për njohjen e shpejtë të Republikës së Kosovës nga Suedia dhe për ndihmën e vazhdueshme dhe të pakursyeshme që ky shtet ka dhënë dhe po vazhdon të japë për vendin tonë në të gjitha fushat.

 Ai theksoi se populli dhe institucionet e Republikës së Kosovës kanë synim të përhershëm integrimin euroatlantik, synim drejt të cilit shteti i Kosovës punon në vazhdimësi dhe pret që të ndodhë sa më shpejt dhe në këtë rrugë pret përkrahjen e Suedisë dhe të gjitha vendeve të Bashkimit Evropian.

 Ambasadori Lars Wahlund theksoi se Suedia mbështet integrimin sa më të shpejtë të Kosovës në këto struktura dhe u shpreh i gatshëm të japë gjithë ndihmesën e tij në këtë fushë.

 Ai gjithashtu u shpreh për thellimin edhe më tej të bashkëpunimit mes vendit të tij dhe Republikës së Kosovës.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)