18 Prill 2024

Kosova përshëndetë vrasjen e terroristit Osama Bin Laden

Prishtinë, 2 maj - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonjës Atifete Jahjaga, dhe Qeveria e Kosovës kanë përshëndetur vrasjen e kryeterroristit Osama Bin Laden. Presidentja dhe Qeveria e Kosovës konsiderojnë se prej sot bota është më paqësore.

 \"Prej sot bota është më paqësore, prej sot njerëzit janë më të sigurt të shkojnë në punë, në shkollë, të udhëtojnë me metro, me tren, me aeroplan, më të sigurt për jetën e tyre\" thuhet në deklaraten e Presidentes Jahjaga.  


Kryeterroristi Osama Bin Laden mori dënimin e merituar pas gjithë vrasjeve, vuajtjeve, dhimbjeve dhe dëmeve që i shkaktoi botës.

\"Drejtësia u vu në vend. E mira fitoi kundër të keqes. Njerëzit do të jetojnë në paqe, në përparim, të patrembur dhe të parrezikuar. Lufta kundër terrorizmit ndërkombëtar është në funksion të paqes, të prosperitetit, të sigurisë për të gjithë, në mbrojtje të jetës dhe të dinjitetit të njeriut.\"

Republika e Kosovës, populli i saj e mirëpritën lajmin për eliminimin e kryeterroristit të botës, duke qenë të ndërgjegjshëm dhe të falenderueshëm për intervenimin e NATO-s në Kosovë, disa vjet më parë, kur u ndal lufta dhe spastrimi etnik, u vendos paqja dhe stabiliteti në rajon.

Edhe Qeveria e Republikës së Kosovës përgëzon forcat amerikane për operacionin e sukseshëm dhe konsideron se vrasja e liderit terrorist të al-kaidës, Bin Ladenit shënon një moment kthese në luftën kundër terrorizmit, jo vetëm për popullin amerikan, mirëpo për të gjithë popujt e botës të cilët e duan lirinë dhe paqen.

\"Në këtë moment kthese, populli i Kosovës ndan me popullin amerikan ndjenjën e shpresës dhe solidaritetit për një jetë me të sigurtë dhe më paqësore.\"

Kjo ngjarje sipas Qeverisë së Kosovës është një moment i përkujtimit për të gjitha jetërat e humbura në luftë kundër terrorizmit, dhe një moment i shpresës se e mira do të ngadhnjejë mbi të keqën

Po ashtu edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe populli i Kosovës, ashtu si dhe mbarë bota liridashëse, e ka mirëpritur lajmin për vrasjen e udhëheqësit të organizatës terroriste Al Kaida, Osama Bin Laden.

AAK e vlerëson këtë moment si fitore të madhe të SHBA-ve, të qeverisë dhe popullit amerikan, në luftën për liri dhe paqe, në frontin e vazhdueshëm të përbashkët kundër terrorizmit dhe diktaturave në mbarë botën.

AAK konsideron se vrasja e liderit terrorist është një satisfaksion i madh për popullin amerikan e, veçanërisht, për familjet e viktimave që i humbën më të dashurit e tyre në sulmin e shëmtuar të 11 Shtatorit 2001.

Populli i Kosovës sot me të drejtë e ndanë gëzimin me SHBA-të, popullin amerikan dhe të gjithë popujt paqedashës në botë, duke e vlerësuar vrasjen e Osama Bin Ladenit moment të rëndësishëm të fitores mbi terrorizmin ndërkombëtar – si kërkcënimi dhe e keqja më e madhe shekullit XXI.

Kosova në luftën kundër terrorizmit është përkrah SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, për një botë më të mirë, në të cilën njerëzit e të gjitha besimeve, të gjitha racave, të gjitha kombeve bashkërisht do të ndërtojnë të ardhmen prosperuese.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)