03 Dhjetor 2020

Kosova përkrah SHBA-të për shqetësimin për të drejtat e njeriut në Bjellorusi

Prishtinë, 28 tetor - Republika e Kosovës i bashkohet thirrjes së bashkësisë ndërkombëtare, Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Bashkimit Evropian dhe Këshillit të të Drejtave të Njeriut, drejtuar autoriteteve bjelloruse për t'i dhënë fund dhunës dhe shtypjes, për t'i liruar të gjithë të arrestuarit dhe të burgosurit politikë, për ta respektuar lirinë e medias dhe shoqërinë civile dhe për të filluar një dialog kombëtar gjithëpërfshirës që çon në zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Me këtë rast, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Sh.S. Meliza Haradinaj-Stublla, tha se Republika e Kosovës qëndron përkrah SHBA-së dhe bashkësisë ndërkombëtare në mbështetjen e qëllimeve paqësore dhe demokratike të popullit bjellorus.

"Ne kërkojmë nga qeveria e Lukashenkos që t'i lirojë të gjithë personat e ndaluar padrejtësisht, t'i japë fund bllokadës në internet në të gjithë vendin, të zhvillojë bisedime me anëtarët e opozitës politike dhe të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme që duhet të monitorohen nga vëzhguesit ndërkombëtarë”, tha Haradinaj Stublla.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 3 Dhjetor 2020

- Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, Handikos mban konferencën lansuese të Raportit vlerësues mbi qasshmërinë e fëmijëve me aftësi të kufizuara në ndërtesat shkollore të nivelit fillor dhe të mesëm të ulët në Kosovë. (Qendra e Resurseve të Handikos në Veternik, ora 9:30)

- Gjykata Themelore në Ferizaj mban seancën kundër të pandehurit Ibrahim Mustafa Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar. (Gjykata Themelore në Ferizaj, ora 9:30)

- Kuvendi i Kosovës mban seancë te veçantë në të cilën do të mbahet debat parlamentar për gjendjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara në Republikën e Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

-  Komisioni për Integrim Evropian shqyrton Projektligjin për rimëkëmbjen ekonomike – COVID-19, me amendamentet e Komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

-  Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim shqyrton Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike - COVID-19, me raport amendamente të Komisionit funksional për Buxhet dhe Transfere. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303 Koha: 10:00  

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen ku shpall rezultatet përfundimtare të jashtëzakoshme për Kryetar të Komunës së Podujevës dhe Mitrovicës së Veriut, të cilat u mbajtën më 29 nëntor 2020. (Ndërtesa e KQZ-së, kati 4, ora 10:00)

- Për nder të Ditës Ndërkombëtarë për Personat me Nevoja të Veçanta, ushtruesja e detyres Presidentja, dr.Vjosa Osmani bashkërisht me ambasadorin Britanik, Nicholas Abbott dhe ministrin e Arsimit, Ramë Likaj  nënshkruajnë panon e zotimit për gjithëpërfshirje. Oborri i Kuvendit të Republikës së Kosovës (hyrja nga sheshi, ora 11:30)

- OJQ EC Ma Ndryshe organizon aktivitetet ndërgjegjësuese që ka qëllim të përcjell porosinë vetëdijësuese për eliminimin e pengesave që janë krijuar për shkak të mungesës së gjithëpërfshirjes. (Parku i Qytet në Prizren, ora 11:00 - Keji përballë xhamisë së “Sinan Pashës”, ora 12:00 - Marash, ora 13:00)