20 Prill 2024

Kosova i takon familjes euroatlantike

Prishtinë, 6 shtator - “Ambasadorët kanë mjaft tema dhe procese me të cilat ata mund të prezantojnë Kosovën në vendet ku shërbejnë dhe duhet të punojnë në këtë drejtim”, kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në fjalën e tij në Konferencën e Pestë të Ambasadorëve, të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Me këtë rast, Kryeministri Haradinaj tha se ambasadorët janë krijues, ata e ndjejnë vendin e vet, temat e tyre, përderisa u kërkoi atyre që të mos përtojnë t’i kryejnë punët në vendet ku shërbejnë.

“Është i pazoti ai ambasadorë i cili thotë se Prishtina nuk u dërgon instruksione. Nuk keni të drejtë”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se Kosova është e vendosur që të zhvillojë miqësinë me të gjitha vendet dhe popujt që kanë orientim euroatlantik.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri kujtoi vështirësitë e Kosovës si një shtet në tranzicion, duke thënë se beteja për vendin tonë nuk është e lehtë.

“Kosova është një vend me shumë vështirësi dhe në tranzicion. Ky tranizicion i ka edhe dhimbjet e veta, dhe vërtet beteja për Kosovën ndodhë edhe në Kosovë, por edhe në gjithë globin. Sigurt që edhe atje ku jeni ju, edhe në Kosovë nuk është lehtë beteja për Kosovën. Kosova është vlerë e re e globit, dhe pozicionimi i Kosovës në planin global nuk është një proces i lehtë për ju dhe as për ne”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se është fat i mirë që Kosova e ka qartësinë se cilës familje i takon, pra familjes euroatlantike.

“Kosova është e vendosur t’i takojë koalicionit të luftës kundër terrorizmit në botë. Kosova poashtu është aleate, besnike e aleatëve të vetë, edhe për këtë krenohemi”, u shpreh kryeministri Haradinaj.

Më tej, kryeministri Haradinaj foli për konsolidimin e brendshëm të Kosovës, për të cilin tha se është proces jo i lehtë, për faktin se tani aprovohen ligje të cilat kanë munguar vendit tonë tash e 17 vite, siç është ligji për pagat, por edhe për faktin që po zhvillohen shumë projekte që janë prolonguar prej vitesh.

Po ashtu, kryeministri Haradinaj tha se qeveria po vazhdon projektet madhore në infrastrukturë, energji, duke kërkuar përkrahjen e gjithëve që një projekt kaq madhor të ecë përpara, projekt ky që e bën Kosovën të pavarur në energji.

Më tej, kryeministri Haradinaj tha se do të gjenden mënyra që Kosova të mos mbetet vetëm absorbuese e ndihmës së aleatëve tanë, por duke qenë edhe partner i tyre.

Ai tha se vlerë e re është edhe kontributi i Kosovës në luftën kundër krimit transnacional, duke potencuar gjithashtu faktin se është logjikë e gabuar e Serbisë që të pengojë anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL.

 Në këtë konferencë, kryeministri Haradinaj foli edhe për gatishmërinë e Kosovës për procesin e tranzicionit të FSK-së në ushtri, duke thënë se tashmë janë kryer të gjitha proceset paraprake të rëndësishme për këtë tranzicion.

“Falënderojmë KFOR-in, NATO, qeveritë veç e veç, atashetë ushtarak, ata që kanë kontribuar që FSK të jetë ndër forcat më të vlerësuara në rajon”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj, foli edhe për procesin e dialogun me Serbinë, duke thënë se duhet të arrihet një marrëveshje ligjërisht e obligueshme me shtetin fqinj.

Nga një fjalë në Konferencën e Pestë të Ambasadorëve, kanë mbajtur edhe presidenti Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.

Të pranishëm në këtë konferencë ishin diplomatët e Kosovës që shërbejnë në misione jashtë vendit, ambasadorë të akredituar në Kosovë, zëvendëskryeministra, ministra, deputetë dhe përfaqësues të tjerë institucional.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)