26 Shkurt 2021

Kosova do të vazhdojë të ketë stabilitet institucional dhe fiskal

Prishtinë, 28 dhjetor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti në një bisedë telefonike me Komisionerin për Fqinjësi dhe Zgjerim Oliver Varhelyi, ka diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend dhe situatën me pandeminë Covid-19.

Kryeministri Hoti e ka siguruar Varhelyi,  se Kosova do të vazhdojë të ketë stabilitet institucional dhe fiskal, do ta trajtojë me prioritet menaxhimin e pandemisë Covid-19 dhe do t’i kryej të gjitha obligimet që dalin karshi procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Kryeministri Hoti me këtë rast e ka falënderuar Varhelyi, edhe për përkrahjen në lansimin dhe zbatimin e Agjendës për Reforma Evropiane ERA 2.

Sa i përket sigurimit të vaksinës kundër Covid-19, Varhelyi e siguroi kryeministrin Hoti se një sasi e saj do të arrijnë në Kosovë në të njëjtën kohë sikurse në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Të dy bashkëbiseduesit ngritën shqetësimin për hyrjen ilegale të vaksinës kundër Covid-19 në Kosovë, pa procedura të rregullta të importit apo donacionit për produkte medicinale, për të cilat nuk dihet as origjina.

 Kjo sjellje e Republikës së Serbisë u konsiderua e papranueshme dhe institucionet e Kosovës  kanë inicuar veprimet  e nevojshme ligjore ndaj personave të përfshirë në këto veprime.

Kryeministri Hoti e siguroi komisionerin Varhelyi se në kuadër të planeve për vaksinim janë përfshirë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pa asnjë dallim.

Kryeministri Hoti falënderoi  gatishmërinë e Institucioneve të Bashkimit Evropian, që të vazhdojnë mbështetjen e pakursyer për institucionet dhe qytetarët e Kosovës, në menaxhimin e krizës të cilën e ka shkaktuar pandemia Covid-19.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 26 Shkurt 2021

- Mbahet mbledhja e dytë e rregullt e Kuvendit Komunal të Rahovecit. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal në objektin e ri të komunës, ora 10:00)

- Këshilli Organizues ''Pranvera Shqiptare 81'' do të bëj nderime dhe do të vendos lule te varri i varri i Adem Demaçit. (Velani, ora 11:00)

- Organizata Etea, përmbyllë fazën e parë të projektit “Biblioteka Qarkulluese me strategjitë e lexim kuptimit”. (Kino Armata, ora 11:00)

- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit organizon ceremoninë e ndarjes së çmimeve në fushën e trashëgimisë kulturore. (Parku arkeologjik "Ulpiana", ora 12:00)

- Këshilli Organizues ''Pranvera Shqiptare 81'' organizon tryezëm përkujtimore për Adem Demaçin në 85 vjetorin e lindjes. (Instituti Albanologjik në Prishtinë, ora 13:00)

- Partia Socialdemokrate do të mbaj një aktivitet pranë objektit të Komunës së Prishtinës. (Objekti i Komunës së Prishtinës, ora 13:00)

- Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike platformë e themeluar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike mban konferencën për media me rastin e dorëzimit të Padisë për Konflikt Administrativ kundër Lejes Ujore për Hidrocentralin Brezovica në Shtërpcë të Lëshuar nga Autoriteti Rajonal i Pellgjeve Lumore në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit. (Para Pallatit të Drejtësisë, Ndërtesa A, ora 14:00)

- Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi mban konferencë lidhur me progresin në procesin e rinumërimit dhe të aktiviteteve tjera që po zhvillohen në këtë qendër. (Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, ora 15:00)