16 Prill 2024

Kosova dhe Mali i Zi nënshkrun deklaratë të përbashkët për demarkacionin

Prishtinë, 16 shkurt - Republika e Kosovës dhe Mali i Zi kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës inkurajohet ratifikimi i Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit ndërmjet dy vendeve.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka bërë të ditur se marrëveshja është nënshkruar nga ai dhe homologu i tij nga Mali i Zi, Filip Vujanoviq.

Presidenti Thaçi, ka thënë se falë vullnetit të mirë të palës malazeze dhe përkushtimit të lidershipit të Kosovës, “kemi nënshkruar deklaratën e përbashkët, e cila adreson të gjitha shqetësimet e partive politike dhe të opinionit publik lidhur me shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi”.

Siç është specifikuar në këtë deklaratë, ka thënë Thaçi, “jemi pajtuar për të adresuar dhe korrigjuar gabimet eventuale të përcaktuara në deklaratën e përbashkët për shënimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi”.

Në një konferencë për media, presidenti Thaçi ka lexuar disa nga pikat që përmban deklarata.

“Të udhëhequr nga dëshira që në mirëbesim të përmbushim obligimet që rrjedhin nga karta e Kombeve të Bashkuara, në veçanti duke pasur respektimin e parimeve të sovranitetit, integritetit territorial, pavarësisë dhe zgjidhjeve të mosmarrëveshjeve me mjete paqësore, pa kërcënime ose përdorim të forcës, në përputhje edhe me strategjinë e Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor. Republika e Kosovës dhe Mali i Zi kanë nënshkruar në Vjenë më 26 gusht 2015-të Marrëveshjen për kufirin shtetëror, tash e tutje duke ju referuar si marrëveshja”, lexoi Thaçi një pjesë të deklaratës së nënshkruar.

“Duke konfirmuar se në nenin 12 të Marrëveshjes ceket shprehimisht se Marrëveshja i nënshtrohet ratifikimit dhe hyn në fuqi në ditët e pranimit të njoftimit të fondit të dërguar, nëpërmjet kanaleve diplomatike në të cilën palët njoftojnë njëra-tjetrën, që kanë përmbushur procedurat e tyre të brendshme ligjore dhe të nevojshme për hyrjen në fuqi”, theksoi ai.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka qenë kundër marrëveshjes aktuale, ka përshëndetur deklaratën e arritur në mes Prishtinës dhe Podgoricës zyrtare.

Në një postim në Facebook, kryeministri Haradinaj ka shkruar se “është i lumtur që u arrit aneks-marrëveshja për ratifikimin, rishikimin dhe korrektimin e demarkacionit me Malin e Zi. Sot u vulos që sektorët në drejtim të Çakorrit dhe Zhlepit do të rishikohen dhe korrektohen”.

Me këtë deklaratë, ka thënë ai, “Kosova përfundon obligimin e fundit për liberalizim të vizave dhe po hapim një kapitull të ri në lirinë e lëvizjes për qytetarët tonë”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)