19 Prill 2024

Komisioni për Legjislacion kërkon të shkurtohen disa privilegje për zyrtarët e lartë

Prishtinë, 7 mars - Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, i kryesuar nga kryetarja e Komisionit, Albulena Haxhiu, në bashkëpunim me KDI-në, mbajti sot dëgjim publik me temën: Përfitimet për ish-zyrtarët e lartë.

Fillimisht, Haxhiu, gjatë diskutimit të saj tha se çështja e përfitimeve për ish- zyrtarët e lartë duhet të trajtohet në mënyrë tejet serioze, duke shtuar se ka ardhur koha kur duhet të shkurtohen disa privilegje për këtë kategori, por edhe për zyrtarët e lartë.

Për këto ndryshime të legjislacionit që rregullon këtë fushë ekziston edhe vullneti i të gjithë anëtarëve të këtij Komisioni, sqaroi Haxhiu.

Në vijim, Visar Rashiti, përfaqësues i Demokracia Plus, prezantoi një hulumtim parlamentar, i cili është përqendruar në shqyrtimin e dispozitave ligjore relevante në Kosovë dhe në studimin krahasimor me shtetet e rajonit për sa u përket privilegjeve të zyrtarëve pas përfundimit të detyrës në të cilën janë zgjedhur apo emëruar.

Në këtë raport, u sqarua se janë identifikuar, analizuar dhe krahasuar dispozitat ligjore për përfitime të ish-zyrtarëve të lartë, gjegjësisht përfitimet e presidentit, kryeministrit, kryetarit të Gjykatës Supreme, kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, kryeprokurorit, kryetarit të Kuvendit dhe cilitdo zyrtar që hyn në kategorinë e zyrtarit të lartë, pas përfundimit të detyrës.

Ndërkaq Albert Krasniqi (KDI) duke përmendur faktin se  çështja e përfitimit të ish-zyrtarëve të lartë duhet të rregullohet përmes plotësim ndryshimit të ligjit, vlerësoi se ish-zyrtarët e lartë, por edhe zyrtarët e lartë kanë privilegje të larta krahasuar me vendet tjera që kanë zhvillim më të lartë ekonomik.

Tutje, ka folur edhe nënkryetari i komisionit, Hajdar Beqa. Veç tjerash, ai tha se duhet të rregullohet edhe çështja e pagave dhe të bëhet harmonizimi i tyre, nëpërmjet ndryshimit të Ligjit për pagat. Ndërkaq, kërkoi nga të pranishmit në këtë takim që gjatë diskutimit të tyre të japin propozime konkrete për rregullimin dhe plotësimin e ndryshimin e ligjeve që prekin këtë çështje.

Zef Shala (drejtor ekzekutiv në shoqatën “Nënë Tereze”), duke kritikuar privilegjet e ish-zyrtarëve dhe zyrtarëve të lartë, tha se sa më shumë benefite për zyrtarët e lartë, aq me i lartë po bëhet niveli i korrupsionit, i papunësisë dhe i emigracionit.

Tutje me diskutimet e tyre kontribuuan edhe këta përfaqësues të institucioneve të ndryshme dhe atyre të shoqërisë civile: Selatin Kaçaniku (shoqata Konsumatori), Shefki Zeqiri (Ministria e Bujqësisë), Gëzim Shala (Instituti Kosovar për Drejtësi), si dhe prof.dr. Mazllum Baraliu.

Këta diskutues vlerësuan se legjislacioni në fuqi për këtë çështje është i mangët dhe se kjo lejon mundësi për abuzime, që çështjet të rregullohen edhe përmes akteve nënligjore.

Pas një diskutimi të gjerë për këtë çështje, anëtarë të Komisionit për Legjislacion kërkuan nga të pranishmit në këtë takim që të dërgojnë me shkrim propozime konkrete në Komision, në mënyrë që të kontribuojnë në përmirësimin e infrastrukturës ligjore. ​

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)