25 Prill 2024

Koalicion qeverisës më i dobëti që ndonjëherë ka pasur Kosova

Prishtinë, 25 korrik - Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) përmes botimit të boletinit të tretë të saj ka vlerësuar se kjo legjislaturë e Kuvendit të Kosovës është duke u përballur me vështirësi.

Përplasjet dhe fjalori joparlamentar në Kuvend, që sipas LDK-së janë imponuar nga koalicioni qeverisës, janë bërë normë e punës të Kuvendit.

Avdullah Hoti, Kryetar i Grupit Parlamentar të LDK-së në Kuvendin e Kosovës ka thënë së është vlerësim i përgjithshëm se ky koalicion qeverisës është më i brishti dhe më i dobëti që ndonjëherë ka pasur Kosova.

"I formuar me koncesione joparimore ndaj partnerëve të vegjël dhe grupeve të interesit që janë bërë pjesë e qeverisë, ky koalicion është jopërfaqësues."

"Ndërkaq, funksionimi dhe vendimmarrja brenda tij karakterizohen me një qasje ad-hoc, jo programore, të motivuar nga interesa të ngushta politika dhe të grupeve të interesit", ka thënë Hoti.

Ai konsideron se përpjekja për të shfuqizuar ligjin për dhomat e specializuara të gjykatës speciale në dhjetor të vitit të kaluar e qoi Kosovën buzë izolimit ndërkombëtarë.

Një goditje tjetër sipas tij iu dha rendit, ligjit dhe të drejtave njerëzore në Kosovë me dëbimin joligjor të gjashtë shtetasve turq, përmes ndërhyrjes jokushtetuese të bartësve të institucione në këtë proces.

Komisioni hetimor parlamentar, i formuar me iniciativë të Grupit Parlamentar të LDK-së, që po e heton këtë çështje po përballet me vështirësi pasi zyrtarët shtetërorë nuk përgjigjen në kërkesat e komisionit.

Presidenti i vendit është akuzuar publikisht nga këshilltarë ndërkombëtarë për borxhet e papaguara ndaj tyre.

Këto akuza kanë ngritur dyshime për përdorim të taksave të qytetarëve për qëllime private.

Një komision hetimor parlamentar, edhe ky i krijuar me iniciativë të Grupit Parlamentar të LDK-së, po e heton këtë çështje.

Vendimet e Qeverisë për ndarje të mjeteve buxhetore pa përfillur procedurat ligjore, rritja e pagave jashtë buxhetit dhe në kundërshtim me ligjet në fuqi, falja joligjore e taksave që tatimpaguesit kanë ndaj shtetit, emërimet joligjore në ndërmarrje publike dhe institucione të ndryshme, janë bërë përditshmëri e punës së kësaj qeverie.

Në anën tjetër, çështjet e rëndësisë së veçantë, ku kërkohet përkushtim, vendosmëri dhe konsensus nacional kanë marrë drejtim të gabuar.

Dialogu për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë është nisur pa rezolutë të Kuvendit të Kosovës dhe nga bartës të institucioneve përtej mandatit të tyre kushtetues. Procesi i përgatitjes së statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe është lënë në dorë të një ekipi që nuk ka asnjë lidhje me zyrën e Kryeministrit.

Reformat në arsim e shëndetësi nuk janë në rend dite, siç nuk është as zhvillimi ekonomik. Siç është provuar në një debat parlamentar të zhvilluar në Kuvend me iniciativë të Grupit Parlamentar të LDK-së, Programi Qeverisës është dokument i pavlerë.

Në fushën e arsimit, Kosova ka rrezikuar të mbetet jashtë Regjistrit Evropian të Cilësisë për shkak të ndërhyrjeve politike dhe joligjore të Kryeministrit në Agjencinë e Akreditimit të Kosovës.

Në shëndetësi gjendja nuk ka qenë asnjëherë më keq. Në raportin e fundit për Ballkanin Perëndimor, Komisioni Evropian konstaton se gjendja sa i përket papunësisë në Kosovë gjatë këtij viti është përkeqësuar. 

Me thyerjet që kanë ndodhur brenda koalicionit qeverisës në muajin prill të këtij viti, kjo qeveri sipas LDK-se ka humbur legjitimitetin e saj për të qeverisur. Ministrat e njërin partner të koalicionit nuk marrin pjesë në mbledhje të Qeverisë, aprovojnë udhëzime administrative diskriminuese dhe ndajnë miliona euro taksa të qytetarëve.

Përpjekjet e opozitës që përmes metodave kushtetuese të luajë rolin mbikëqyrës ndaj pushtetit po hasin në arrogancë dhe indiferencë të pushtetit.

Në fillim të muajit korrik, Kryeministri ka takuar në zyrën e tij personin që përflitet si përgjegjësi kryesor për dhunën, krimin e korrupsionin në veri të vendit. Kryeministri dhe ministrat rrallë marrin pjesë në seanca të Kuvendit për tu përgjigjur në interesimet e deputetëve.

Në shumë raste, ministrat nuk paraqiten në komisione dhe përdorin gjuhë joparlamentare e injoruese ndaj kërkesave të opozitës. 

Karshi kësaj situate, Grupi Parlamentar ka bërë të ditrur së është duke u konsultuar vazhdimisht me Kryesinë e LDK-së për hapat që po ndërmerr në Kuvend për të ndaluar këtë model të qeverisjes.

"Javët e fundit, ne kemi përdorur fuqinë e votës tonë për të pamundësuar kuorumin në seancat e Kuvendit. Ne do të vazhdojmë më tutje me hapa të tjerë për të ndaluar këtë qeverisje."

"Ne jemi të vendosur në rrugën tonë për të ndaluar degradimin institucional, si dhe ruajtur liritë qytetare, demokracinë e re në Kosovës dhe miqësinë me partnerët tanë ndërkombëtarë. Ne jemi të vendosur në rrugën tonë si gardianë të shtetit të Kosovës."

"Neve na duhet mbështetje edhe më e madhe qytetare për këtë mision. Në muajt në vijim, ne do të jemi në çdo cep të Kosovës për të biseduar me qytetarë, për t’i informuar ata me sfidat që po përballemi dhe për të marrë vlerësimet dhe rekomandimet e tyre për këtë rrugëtim tonin,", ka thënë në fund Hoti.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)