13 Gusht 2020

Kërkohet reformë e thellë e shërbimeve sociale dhe familjare për qytetarë

Prishtinë, 9 korrik - Me qëllim të realizimit të reformës së shërbimeve sociale dhe familjare, Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF (me 31 organizatat anëtare), Institucioni i Avokatit të Popullit, Asociacioni i Komunave të Kosovës dhe Lidhja e Qendrave për Punë Sociale të Kosovës, publikojnë “Qëndrimin e përbashkët me propozimet për hartimin e Draft Ligjit të ri për Shërbime Sociale dhe Familjare”.

Qeveria e Kosovës ka paraparë të hartojë dhe miratojë Ligjin e ri për Shërbime Sociale dhe Familjare deri në Nëntor të këtij viti. Prandaj, KOMF, Institucioni i Avokatit të Popullit, Asociacioni i Komunave të Kosovës dhe Lidhja e Qendrave për Punë Sociale të Kosovës, ofrojnë propozimet për hartimin e Draft Ligjit të ri për Shërbime Sociale dhe Familjare, për Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale e cila është bartëse e procesit të hartimit të draft ligjit, Qeverinë, Kuvendin dhe institucionet e tjera që janë pjesë e procesit.

Konsiderojmë se përfshirja e propozimeve është urgjente duke pasur parasysh gjendjen e rëndë të shërbimeve sociale në Kosovë,  e cila është rënduar edhe më shumë gjatë pandemisë Covid-19.

 

KOMF ka zhvilluar një seri konsultimesh me organizatat anëtare dhe partnerët për të sjellë qëndrimet e akterëve kyç lidhur me hartimin e Ligjit të ri për Shërbime Sociale dhe Familjare. Qëndrimi dhe propozimet janë po ashtu të bazuara në raportin e monitorimit të KOMF për shërbimet sociale për vitin 2020, i cili sjell evidenca nga terreni mbi gjendjen e rëndë të shërbimeve sociale në vend.

Theksojmë që ligji në fuqi për shërbime sociale dhe familjare nuk parasheh shërbime gjithëpërfshirëse sociale sikurse shërbimet e parandalimit dhe re integrimit, si rrjedhojë sistemi trajton dhe menaxhon rastet e rënda emergjente të cilëve u rrezikohet jeta apo mirëqenia apo “rastet pasi kanë rënë viktimë e ndonjë forme të abuzimit”. Për pasojë, vetëm një pjesë e vogël e qytetarëve në nevojë kanë mundësinë të përfitojnë nga shërbimet sociale. Ligji në fuqi nuk përcakton qartë mekanizmat e llogaridhënies, përfshirë monitorimin dhe nuk parasheh aplikimin e masave, gjobave dhe sanksioneve nga Njësia e Inspektimit. Ligji në fuqi nuk parashikon licencimin e shërbimeve publike të ofruara nga QPS-të apo institucionet e tjera publike dhe nuk parashikon mënyrën e akreditimit të programeve për shërbime sociale. Për më tepër ligji në fuqi nuk parasheh integrimin e shërbimeve sociale me shërbimet shëndetësore dhe ato të arsimit.

Me qëllim të sigurimit të shërbimeve cilësore sociale për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, KOMF, Institucioni i Avokatit të Popullit, Asociacioni i Komunave të Kosovës dhe Lidhja e Qendrave për Punë Sociale, kërkojnë publikisht që Ligji i ri për Shërbime Sociale dhe Familjare të përfshijë dhe adresojë propozimet si më poshtë:

·       Zhvillimin e reformës të shërbimeve sociale, duke përcaktuar shërbimet e parandalimit, mbrojtjes, rehabilitimit dhe re integrimit, si dhe duke i klasifikuar shërbimet në tri kategori / nivele: primare, sekondare dhe terciare, duke garantuar kështu të drejtën në shërbime sociale për të gjithë qytetarët në nevojë, pa marrë parasysh nivelin e urgjencës apo rrezikshmërisë.

·        Integrimin e shërbimeve sociale dhe familjare me shërbimet shëndetësore dhe arsimore.

·       Riorganizimin e shërbimeve sociale dhe fuqizimin e një skemë të hapur të ofrimit të shërbimeve në mes të ofruesve publik, joqeveritar dhe privat, përcaktimit të qartë të shërbimeve sociale të cilat mund të kontraktohen nga sektori jo qeveritar dhe privat, shërbimeve që mund të ofrohen në bashkëpunim me ofrues të tjerë dhe shërbimeve që nuk mund të kontraktohen por ofrohen ekskluzivisht nga sektori publik.

·     Fuqizimin e shërbimeve në familje dhe shërbimeve me bazë në komunitet, zgjerimin e formave të mbrojtjes, posaçërisht: a) Zhvillimin e strehimit familjar pas arritjes së moshës 18 vjeçare b) Zhvillimin e formës së mbrojtjes “Jetesa e pavarur e mbikëqyrur.

·       Rritjen e cilësisë së shërbimeve sociale përmes a) ri organizimit dhe profilizimit të punëtorëve social sipas kategorive të përfituesve të shërbimeve; b) licencimit të shërbimeve publike të ofruara nga QPS, licencimit të shërbimeve të sektorit privat; c) akreditimit të programeve për shërbime sociale dhe edukim të vazhdueshëm.

·      Rritjen e llogaridhënies përmes përcaktimit të qartë të mekanizmave të monitorimit dhe inspektimit, dhënies së kompetencave ekzekutive njësisë së inspektimit, vendosjen e masave, gjobave dhe sanksioneve si dhe monitorimit dhe vlerësimit e jashtëm nga sektori joqeveritar dhe privat.

·       Sigurimin e financimit të qëndrueshëm të shërbimeve sociale përmes hartimit të formulës së financimit dhe krijimit të Grantit Specifik për Shërbime Sociale.

Qëndrimi për Ligjin për Shërbime Sociale dhe Familjare është prodhuar në kuadër të projektit “Aksioni i Përbashkët për Decentralizim”, financuar nga Bashkimi Europian, menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë dhe implementuar nga KOMF në partneritet me Organizatën për Fëmijët pa Kujdes Prindëror – OFAP, SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë dhe KMOP.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 13 Gusht 2020

- Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Rrahman Rama raporton para Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 9:00)

- Vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Salla e Kuvendit, ora 10:00)

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, viziton Komunën e Deçanit. (Objekti i Komunës se Deçanit, ora 10:00)

- Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, do të nënshkruaj memorandum bashkëpunimi për financimin e projekteve infrastrukturore me kryetarin e komunës së Istogut, Haki Rugova. (Komuna e Istogut, ora 10:00)

- Policia e Kosovës organizon ceremoninë e prerjes së shiritit të objektit të Stacionit Policor për Mbikëqyrje të Kufirit në Radavc ku pjesëmarrës do të jenë Drejtori i Përgjithshëm i PK-së, përfaqësues të ICITAP-it Amerikan dhe personalitete të larta vendore, përfshirë epror të PK-së. (Radavc, rruga Vitomiricë - Kullë, ora 11:00)                                              

- Drejtoria e Shëndetësisë e Komunës së Prizrenit do të bëjë hapjen e pjesës së renovuar të QKMF-së, ku do të punojë ndërrimi i tretë ku i pranishëm do të jetë kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe drejtoresha e DSH-së, Narqize Arënliu Hoxhaj. (QKMF në Prizren, ora 12:00)