25 Shkurt 2021

Kërkohet miratimi i menjëhershëm i Projekt Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal

Prishtinë, 23 nëntor  Me qëllim të zgjidhjes së problemit të financimit të shërbimeve sociale për fëmijët dhe qytetarët në nevojë, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve - KOMF me 31 organizatat anëtare, publikon “Qëndrimin për Grantin Specifik për Shërbime Sociale”.

Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, në vijim të kërkesave drejtuar Qeverisë së Kosovës për zgjidhjen afatgjatë të financimit të shërbimeve sociale si dhe për sigurimin e një financimi të qëndrueshëm e të drejtë të këtyre shërbimeve, kërkon krijimin e Grantit Specifik për Shërbime Sociale përmes miratimit të Projekt Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal.

Ky Projekt Ligj ka mbetur pezull prej muajsh tashmë, dhe asnjë hap nuk është ndërmarrë në drejtim të miratimit të tij.

Me hyrjen në fuqi të këtij Projekt Ligji, pritet të fillojë edhe implementimi i Grantit Specifik për Shërbime Sociale, i cili do të sigurojë një minimum të qëndrueshëm të financimit të shërbimeve sociale në Kosovë.  

Në anën tjetër, në vitin 2019, nga gjithsej 466.7 milionë Euro që ishte buxheti total i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, pjesa dërrmuese është ndarë për skema dhe transfere.

Ndërkohë që për shërbime sociale, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka ndarë vetëm 3 milionë Euro apo vetëm 1 përqind të buxhetit të saj, shumë e cila është e pamjaftueshme për të adresuar dhe mbuluar nevojat e grupeve të cenueshme në vend.

Për më tepër, kujtojmë se gjendja aktuale e shërbimeve sociale është rënduar edhe më shumë si pasojë e pandemisë Covid-19, ku shumë fëmijë të cenueshëm kanë mbetur pa shërbime.

Në mungesë të financimit, shumë prej ofruesve të shërbimeve sociale janë mbyllur ose rrezikojnë të mbyllin shërbimet e tyre.

Nisur nga kjo, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve - KOMF, i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të procedojë sa më shpejt me miratimin e Projekt Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal, i cili parasheh krijimin e Grantit Specifik për Shërbime Sociale, me qëllim sigurimin e minimumit të financimit të shërbimeve sociale.

Qëndrimi për Grantin Specifik për Shërbime Sociale është qëndrim i përbashkët i Koalicionit të OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve - KOMF, Institucionit të Avokatit të Popullit dhe Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Ky qëndrim është hartuar në kuadër të projektit “Aksioni i Përbashkët për Decentralizim”, financuar nga Bashkimi Europian, menaxhuar nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe implementuar nga Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF në partneritet me Organizatën për Fëmijët pa Kujdes Prindëror – OFAP, SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë dhe KMOP.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 25 Shkurt 2021

- Projekti “Përkrahje e BE për Konkurrueshmërinë e Sektorit Kosovar të TIK”, financuar nga BE dhe implementuar nga WEglobal në konsorcium me Prishtina REA dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, organizon ceremoninë e certifikimit për rundin e parë të programit trajnues për shkathtësi digjitale dhe të TIK. (Hotel Amazona në Milloshevë, ora 9:45)

- Mbahet mbledhja e dytë e rregullt për vitin 2021 të Kuvendit Komunal të Prizrenit. (Salla për mbledhjet e Kuvendit të Komunës, tek “Shtëpia e Bardhë”, ora 10:00)

-  Mbahet mbledhja e dytë e rregullt për vitin 2021 e Kuvendit të Komunës së Prizrenit. (Salla për mbledhjet e Kuvendit në Shtëpinë e Bardhë, ora 10:00)

- Rrjeti i Pajtimit KOMRA (RrPK) prezanton rezultatet e hulumtimit të vendeve të paraburgosjes në Bosnje dhe Hercegovinë dhe të personave të zhdukur në lidhje me luftën në Kosovë. Pjesëmarrës Natasha Kandiq, Bekim Blakaj etj. (Zoom, ora 11:00)

- Mbahet dëgjimi publik në lidhje me raportin e vlerësimit të ndikimit në mjedis për ndërtimin e hidrocentralit “EcoDri” në lumin Drini i Bardhë. (Restorant “Ura” në Dobrushtë, ora 11:00)

- Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim publikon "Raportin e Monitorimit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë 2" ku do të publikohen të dhëna nga procesi i akreditimit gjatë vitit 2020, si dhe informata të tjera të rëndësishme rreth sfidave me të cilat është përballur Agjencia e Kosovës për Akreditim dhe Këshilli Shtetëror i Cilësisë. (Zyrët e ORCA's, ora 13:00)

- Mbahet takimi i 196-të i Këshillit Prokurorial të Kosovës. (Takimi do të organizohet nëpërmjet videokonferencës, ora 13:00)