23 Prill 2024

Kërkesa për gjendjen e jashtëzakonshme e paarsyeshme, e panevojshme

Prishtinë, 18 mars - Gjatë një konference për media Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Qeveria e re e Republikës së Kosovës është shembull në rajon në ballafaqimin e suksesshëm në parandalimin e përhapjes së pandemisë së koronavirusit.

“Si Qeveri e re e Republikës së Kosovës jemi shembull jo vetëm në rajon por edhe më gjerë për ballafaqimin e suksesshëm në parandalimin e përhapjes së pandemisë Covid-19”, është shprehur Kurti.

Propozimi i presidentit për shpallje të Gjendjes së Jashtëzakonshme sipas Kurtit është i paarsyeshëm dhe i panevojshëm.

Ai tha se presidenti Hashim Thaçi ishte parapërgatitur që të insistojë  mbrëmë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit që të shpallet Gjendje e Jashtëzakonshme, që sipas Kurtit, nuk ka nevojë për një hap të tillë.

“Në ditën e djeshme kishim zhvillim të pazakontë meqë presidenti u angazhua për t’u shpallur Gjendja e Jashtëzakonshme në Republikën tonë. Kishim mbledhje të Këshillit të Sigurisë raportet ditore të së cilit unë i marr përditë si kryeministër i Kosovës. Në këto raporte ka një gjë të përbashkët: te konkluza mbi gjendjen e sigurisë është ngjyra e verdhë. Është e vërtetë që nuk është ngjyra e gjelbër si para një muaji, por nuk është as ngjyrë portokalli dhe as ajo e kuqja, por ajo e verdhë – situata është nën kontroll dhe e menaxhueshme”.

“Por, përkundër kësaj pikërisht në Këshillin e Sigurisë u propozua që të kemi shpallje të Gjendjes së Jashtëzakonshme nga ana e presidentit. Për bindjen time të fuqishme kjo është e paarsyeshme, e palogjikshme, e panevojshme dhe e padobishme”.

“Edhe në konsultën me presidentin pardje, edhe në mbledhjen e mbrëmshme, e përsërita qëndrimin se kemi marrë të gjitha masat e nevojshme dhe nuk jemi në shfrytëzimin e të gjitha masave të mundshme për parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit. Kishim insistim të parapërgatitur me tekste të gatshme që me çdo kusht të shkohet në shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme”.

“Mbledhjet e Këshillit të Sigurisë i udhëheq kryeministri. Unë isha shumë koperativ, meqë mbledhjen që u kërkua mbrëmë, brenda pak orëve e thirra në orën që ishte kërkuar edhe pse nuk kishte urgjencë për një gjë të tillë. E dimë që jemi në pritje të përgjigjes së Kuvendit për kërkesën e presidentit për dekretin e tij për shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme”.

“Edhe sot jam i bindur se nuk ka nevojë për shpallje të Gjendjes së Jashtëzakonshme. Është  e mundshme që një nevojë e tillë të shfaqet në javët në vijim. Unë punoj, uroj dhe lutem që kjo të mos ndodhë, por jam i bindur se as mbrëmë dhe as sot nuk kemi arsye për një gjë të tillë”.

Kurti ka theksuar se vazhdon komunikimin me të gjithë krerët e insititucioneve pasi kam obligim si kryeministër.

"Dua të theksoj se pas mbledhjes së mbrëmshme nuk kam ndjekur menjëherë deklarimet, por ato i kam parë në mëngjes e në mesin e tyre kryesore ishte ajo e ministrit të Brendshem, Agim Veliu, i cili në mesnatë në një tv të vendit ka përhapur panik duke thënë se numri i të infektuarve po rritet nga ora në orë", ka nenvizuar Kurti.

Natyrisht që sipas tij këta të infektuar nuk ishin për 19 orë po për disa ditë. Të flasesh pa kurrfarë raporti zyrtar të thuash ashtu është e papërgjegjshme e kur ke përgjegjësi ekzekutive është e dënueshme.

"Pra nuk e kam zëvendësuar ministrin me dikë që mund ta preferoj, por zëvendësimin e tij me dikë tjetër. Është tradhti ndaj vetë policisë së Kosovës deklarata e Veliut pasi vetë policia nuk është në gjendje të jashtëzakonshme."

"Ai vetëm një mbledhje ka mbajtur për mospërhapjen e virusit. Tradhtia e tij është dyfish ndaj Qeverisë kur ishte anëtare dhe ndaj Policisë në krye të së cilës ishte, kjo nuk mund të tolerohet", pohoi me tutje Kurti.

Pak orë pasi LDK-ja njoftoi se do të iniciojë mocion mosbesimi për rrëzimin e Qeverisë, Kryeministri Albin Kurti doli në konferencë të jashtëzakonshme për media të cilën, për habinë e shumë kujt, e nisi me lëvdata për menaxhimin e situatës për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

“Si qeveri e re e Republikës së Kosovës jemi shembull jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë, për ballafaqimin e suksesshëm në parandalimin e përhapjes së pandemisë koronavirus dhe për këtë gjë unë dua që t’i falënderoj të gjithë qytetarët e Republikës që kanë respektuar vendimet e qeverisë dhe kanë ndjekur udhëzimet e ekspertëve”.

“Kemi pasë dhe vazhdojmë të kemi një disiplinë shoqërore dhe qytetare e cila ka bërë që sot në Kosovë të kemi jo më shumë se 20 të testuar pozitivisht me koronavirus nga të cilët vetëm njëri – burrë i moshuar 77 vjeçar – ka maskë oksigjeni, por jo makinë respiratori derisa të gjithë të tjerët nuk janë as për së afërmi në rrezik jete”.

“Dy prej tyre janë liruar dje në shtëpi për trajtim shtëpiak në vetizolim, derisa katër të tjerë këtë e kanë bërë më herët”.

“U jam mirënjohës dhe falënderues mjekëve dhe infermierëve, policëve dhe ushtarëve, farmacistëve dhe të gjithë punëtorëve në markete që shesin gjësende ushqimore, shpërndarësve të ushqimit dhe barnave, doganierëve dhe inspektorëve dhe i falënderoj punëtorët në prodhim dhe ata në ndërtimtari të cilët në njërën anë po e mbrojnë shëndetin e njerëzve dhe në anën tjetër po e mirëmbajnë shëndetin e ekonomisë tonë. Edhe shëndeti i njerëzve dhe ekonomisë janë në fokus të qeverisë së re të Republikës së Kosovës”.

“Republika e Kosovës ka 130 respiratorë dhe për fat të mirë nuk kemi asnjë rast të rëndë që ndonjëri prej tyre të përdoret”.

“Duke pasë parasysh se në çfarë gjendje e kemi gjetur sistemin shëndetësor, parandalimi është jetik  – vetizolimi në njërën anë dhe higjiena në anën tjetër. Qytetarët kanë treguar kulturë dhe vetëdije të lartë. Unë ju bëj thirrje që edhe të vazhdojmë ta mbajmë atë, por edhe ta rrisim edhe më tej në mënyrë që ta ruajmë veten dhe ta mbrojmë njëri-tjetrin”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)