28 Mars 2024

KDI rekomandon lista të hapura në zgjedhje

Prishtinë, 10 tetor - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka organizuar tryezë të rrumbullakët me temën “Reforma në legjislacionin zgjedhor”, si dhe ka publikuar një analizë publike lidhur me këtë çështje. Analiza publike përmban elementet qenësore të reformimit të legjislacionit aktual zgjedhor.

Të pranishmit kanë vlerësuar se ky punim përmban kriteret bazë të një sistemi të avancuar demokratik zgjedhor, mirëpo është konstatuar se afati i shkurtër kohor dhe mungesa e  vullnetit politik, janë çështjet që po pengojnë implementimin e këtyre reformave.

Drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu, njëkohësisht anëtar i grupit punues për zgjedhje, ka prezantuar para të pranishmëve analizën publike dhe rekomandimet e KDI-së që kanë të bëjnë me: Zonat zgjedhore, fuzionimin e KZAP-it në Gjykatën Supreme, balotazhin, pragu zgjedhor, listat e hapura dhe votat me kusht.

“Jemi munduar që përderisa grupi punues për zgjedhje është duke punuar rreth procesit zgjedhor, të paraqesim një analizë të reformës zgjedhore dhe sadopak të ndihmojmë këtë proces”, ka thënë Kryeziu, ndërkohë ka potencuar se po mungon vullneti politik për të bërë reforma në këtë drejtim, ndryshime që sipas tij do të mundësojnë afrimin e qytetarëve më të zgjedhurve.

Nga ana tjetër, Lirak Qelaj, anëtar i grupit punues zgjedhor nga PDK-ja, ka shpalosur qëndrimin e partisë së tij lidhur me elementet e diskutuar për reformim, ndërkohë ka mbështetur rekomandimin e KDI-së për listat e hapura. Qelaj ndërkohë ka thënë se partia që ai përfaqëson është e gatshme ndryshimet e propozuar, nëse shumica e anëtarëve të grupit punues për zgjedhjet pajtohen.

“Listat duhet të jenë të hapura. Ne pajtohemi që të votohet edhe lideri dhe e mbështesim rekomandimin e KDI-së lidhur me këtë çështje”, ka thënë Qelaj.

Një pajtim më të plotë rreth analizës së KDI-së e ka dhënë anëtari tjetër i grupit punues për zgjedhje, Ibrahim Makolli nga AKR.

“Punimi i KDI-së tregon që shoqëria civile është më e përkushtuar për ndryshimet në legjislacionin zgjedhor”, ka thënë Makolli, duke shtuar se modeli i vitit 2004 i sistemit zgjedhor, është më i miri. Edhe Makolli ka vlerësuar se nuk ka kohë të mjaftueshme për të bërë reforma në sistemin zgjedhor.


Nga ana tjetër, të pranishmit kanë kërkuar që rekomandimet e paraqitura në analizën e KDI-së, të merren parasysh nga përgjegjësit. Ndër temat më së shumti të diskutueshme kanë qenë pragu zgjedhor dhe zonat.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)