18 Shtator 2018

KDI: Një vit pas, qytetarët të pakënaqur me punën e ekzekutivit dhe legjislativit

Prishtinë, 13 shtator - Përmes një konference për media, përfaqësues të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), kanë bërë sot prezantimin e gjetjeve nga hulumtimi për matjen e opinionit publik në Kosovë lidhur me gjendjen aktuale politike, kënaqshmërinë me punën e institucioneve publike, si dhe preferencat politike të qytetarëve për zgjedhjet e ardhshme. 

Eugen Cakolli nga KDI, ka theksuar se rezultatet e këtij sondazhi tregojnë se 74% e të anketuarve mendojnë që gjërat në Kosovë janë duke shkuar në drejtimin e gabuar. “Po ashtu qytetarët janë pyetur konkretisht për kënaqshmërinë e tyre me punën e Qeverisë së Kosovës. Sipas rezultateve të hulumtimit, 72% e qytetarëve janë të pakënaqur me punën e Qeverisë, ndërsa vetëm 26% janë deklaruar të kënaqur me punën e saj”, ka bërë të ditur ai.

Bazuar në sondazh papunësia mbetet problemi kryesor me të cilin ballafaqohen shumica e qytetarëve të Kosovës dhe është evidentuar në 61.3% të rasteve. Pastaj vjen mungesa e liberalizimit të vizave  (42.8%), mungesa e sundimit të ligjit (33.3%), gjendja e keqe në sektorin e shëndetësisë (28.9%), si dhe mungesa e arsimit cilësor (19.6%).

Siguria në trafik është një problem i ri i evidentuar nga qytetarët, por që më parë nuk ka qenë pjesë e shqetësimeve të tyre. Me këtë çështje, në gjashtë muajt e fundit janë ballafaquar rreth 13% e qytetarëve.

Në kuadër të këtij hulumtimi, Cakolli ka thënë se qytetarët janë pyetur edhe për kënaqshmërinë e tyre me punën e Kuvendit të Kosovës. Vetëm 26% e të anketuarve janë deklaruar të kënaqur me punën e Kuvendit, kurse 72% e tyre janë deklaruar të pakënaqur.

53.5% e qytetarëve kanë vlerësuar se deputetët nuk janë aspak llogaridhënës ndaj votuesve të tyre, pas marrjes së mandatit. “Vetëm 19.1% e të anketuarve kanë deklaruar se kanë pasur mundësi për të komunikuar me ndonjë deputet/e që nga zgjedhjet e fundit parlamentare”, ka plotësuar Cakolli.

Ai ka thënë se qytetarët janë pyetur edhe lidhur me pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje parlamentare, nëse këto të fundit do të mbaheshin këtë të diele. “Mbi 70% të anketuarve kanë deklaruar se do të merrnin pjesë në zgjedhje, rreth 20% që nuk do të merrnin pjesë, ndërsa pjesa tjetër nuk kanë qenë të vendosur, apo kanë refuzuar të përgjigjen”, theksoi ai.

Subjekti politik i cili do të votohej më së shumti nga qytetarët nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diele, del të jetë Lidhja Demokratike e Kosovës me 23.8%, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës me 18.4%, Lëvizja Vetëvendosje me 17.6% dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 8.8% të të anketuarve. 4.1% e qytetarëve të anketuar kanë deklaruar se do të votonin për Listën Serbe.

NISMA Socialdemokrate, Partia Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Alternativa, del se sipas deklarimit të qytetarëve në këtë hulumtim, nuk do të arrinin që të kalojnë pragun zgjedhor prej 5%.

Cakolli ka shtuar se 15.6% e të anketuarve kanë refuzuar të deklarojnë se për cilin subjekt do të votonin.

Në fund, të anketuarit që kanë deklaruar se për cilin subjekt politik do të votonin në zgjedhjet e ardhshme, janë pyetur edhe lidhur me koalicionet e mundshme mes atij subjekti dhe subjekteve tjera.

Trendet e përgjithshme të këtyre rezultateve tregojnë se shumica e elektoratit në Kosovë preferon që subjektet e tyre të garojnë të vetme në zgjedhje.

Të ndarë sipas secilit subjekt politik, këto janë preferencat e votuesve lidhur me koalicionet, të paraqitura në përqindje kumulative:

Votuesit e LDK-së do t’a preferonin më së shumti një koalicion me VV-në (27%), kurse janë më së shumti kundër një koalicioni me PSD-në (60%);
   
Votuesit e PDK-së do t’a preferonin më së shumti një koalicion me PSD-në (25%), kurse janë më së shumti kundër një koalicioni me VV-në (86%);

Votuesit e VV-së do t’a preferonin më së shumti një koalicion me LDK-në (33%), kurse janë më së shumti kundër një koalicioni me PDK-në (61%);

Votuesit e PSD-së do t’a preferonin më së shumti një koalicion me AAK-në (13%), kurse janë më së shumti kundër një koalicioni me VV-në (65%);
   
Votuesit e AAK-së do t’a preferonin më së shumti një koalicion me Nismën (28%), kurse janë më së shumti kundër një koalicioni me LDK-në (66%);
   
Votuesit e Nismës Socialdemokrate do t’a preferonin më së shumti një koalicion me PDK-në (16%), kurse janë më së shumti kundër një koalicioni me VV-në (70%);

Subjektet si AKR dhe Alternativa, që kanë përqindje më të vogël të votuesve, janë subjekte të preferuara për të qenë në koalicion, për shumicën e votuesve të partive tjera. Mirëpo për shkak të përqindjes së ulët të votuesve që janë deklaruar se do të votonin për to nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diele, këto subjekte nuk janë përfshirë në këtë tabelë.

Hulumtimi u zhvillua në kuadër të programit për zgjedhje të lira dhe të drejta, përkatësisht projektit “Çdo votë vlen!”.

Ky hulumtim është realizuar me përkrahjen e projektit Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).

Përmbajtja e këtij hulumtimi është përgjegjësi e KDI-së dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i SDC-së, DANIDA-së apo KCSF-së.
 

Kalendari

Ngajrjet e datës 18 shtator 2018

- Ambasadori gjerman, Christian Heldt dhe ambasadori francez, Didier Chabert, do të mbajnë  ligjeratë në hapjen e ketij sesioni të Universiteti Veror  gjermano-francez. (Fakulteti Juridik i  Universitetit të Prishtinës, ora 8:30)

- Në Kuvendin e Republikës së Kosovës vazhdon mbledhja e pestë e Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE-Kosovë. (Salla e mbledhjeve plenare të Kuvendit, ora 9:00)

- Oda Ekonomike e Kosovës do të mbajë konferencën e rradhës për media në të cilën do të flitet për iniciativën “ Komiteti i biznesit dhe zhvillimi i sportit”. (Objekti i Odës Ekonomike të Kosovës, ora 9:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim në të cilën do të behët shqyrtimi i Planit të punës së Komisionit për sesionin vjeshtor 2018. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 10:00)

- Kryeparlamentari Kadri Veseli pret në takim Ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie. (Kabineti i Kryeparlamentarit, ora 10:00)
 
- Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka viziton Telekomin e Kosovës me ç’rast do të pritet nga Kryeshefi i kësaj kompanie Gent Begolli dhe Bordi i Drejtorëve. (Telekomi i Kosovës, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës në të cilën do të behët shqyrtimi i Planit të punës së Komisionit për sesionin vjeshtor 2018. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 225, ora 10:00)

- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pret në takim Ministren e Mbrojtjes së Republikës së Italisë, Elisabetta Trenta. (Kabineti i Presidentit, ora 10:30 vetëm pamje)

- Kryeministri Ramush Haradinaj pret në takim ministren e Mbrojtjes së Italisë, Elisabetta Trenta. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 11:00)


- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi  mbanë konferencë për media. (Kabineti i Presidentit, ora 11:15)

- Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal se  bashku me  Zyren e Rregullatorit për Energji dhe Federaten e Sindikatave të Pavarura ElektroKosova diskutojn lidhur me "Raportet Konsultative për përcaktimin e të Hyrave të Lejuara Maksimale" si dhe "Raportin Konsultativ për përcaktimin e Faktorit të efikasitetit". (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 11:00)

- Hapet e dyqani i tretë të bamirsisë "Teshavesha" në Ferizaj. (Ferizaj, rr. Ahmet Kaqiku, afër stacionit të autobusave, ora 12:00)

-  Mbahet ceremonia e ndarjes së çmimit letrar "Beqir Musliu". Ky çmim ndahet tashmë tradicionalisht dhe është ndër çmimet e veçanta në fushën e letërsisë. (salla e Kuvendit të Komunës së Gjilanit, ora 12:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor në të cilën do të behët shqyrtimi i Planit të punës së Komisionit për sesionin vjeshtor 2018. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 12:00)

- Të dy kryesuesit e Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE-Kosovë mbajn konferencë për shtyp. (Holli i Kuvendit, ora 12:30)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 14:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentari Kadri Veseli, organizojnë pritje lamtumirëse për ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 18:00)