23 Prill 2024

KDI: Marrëveshjet me Serbinë të aprovohen fillimisht nga Kuvendi

Prishtinë, 24 nëntor - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në bashkëpunim me Komisionin për Integrime Evropiane të Kuvendit të Republikës së Kosovës mbajti diskutimin publik me temën “Dialogu Kosovë-Serbi dhe BE: A duhet të ratifikohen marrëveshjet e Brukselit në Kuvend?”.

Në këtë diskutim u bë gjithashtu prezantimi i analizës ligjore lidhur me këtë çështje i përkrahur nga KDI dhe i përgatitur nga Dr. Kushtrim Istrefi.
 
Pjesë e panelit diskutues ishin përfaqësuesit e Komisioneve të Kuvendit: Blerta Deliu-Kodra, kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane, Vjosa Osmani-Sadriu, kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike,  Korab Sejdiu anëtar i Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit dhe Kushtrim Istrefi, ligjërues i së drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Në hyrje të këtij debati, Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) deklaroi se ky debat synon t’i kontribuoj diskutimit rreth nevojës së bashkërendimit ndërinstitucional për procesin e dialogut Kosovë-Serbi dhe transparencës rreth marrëveshjeve të arritura.

Ajo shtoi se një pjesë e marrëveshjeve të dialogut Kosovë- Serbi ende nuk janë publike, si plani zbatues i marrëveshjes së drejtësisë, i cili po mbahet i fshehtë nga publiku dhe për të cilin KDI, ka bërë kërkesë ndaj institucioneve përkatëse për qasje në këtë dokument por ende s’ka marr përgjigje pozitive.

Kushtrim Istrefi, autori i hulumtimit parlamentar “Roli i kuvendit në dialogun Kosovë-Serbi dhe rrugëtimi drejt BE-së”, ndau me të pranishmit analizën ligjore e cila vë në pah nevojën për rritjen e bashkërendimit institucional, veçanërisht në rastin e marrëveshjeve ndërkombëtare, ku duhet të ketë pëlqim paraprak të kuvendit për të arritur te një qëndrim shtetëror të të gjitha institucioneve.

Ai shtoi se ekzekutivi duhet të tregoj qartë se çfarë marrëveshje janë këto të nënshkruara në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, nëse janë marrëveshje ndërkombëtare, traktate apo marrëveshje me mirëbesim.

Istrefi deklaroi se MSA parasheh masa ndëshkuese në rast të moszbatimit të marrëveshjeve të dialogut Kosovë-Serbi, në kuadër të së cilës komisionet parlamentare dhe Kuvendi kanë rol të shtuar në mbikëqyrjen e procesit të dialogut. Ai shtoi se edhe dy shtete të cilat nuk e njohin njëra tjetrën mund të nënshkruajnë marrëveshje ndërkombëtare detyruese.

Kryetarja e Komisionit për Integrime Europiane, Blerta Deliu-Kodra, vlerësoi se mungesa e transparencës së procesit të dialogut paraqet një nga të metat kryesore të këtij procesi.

 Deliu-Kodra kërkoi një përfshirje më të madhe të deputetëve në dialogun Kosovë-Serbi për t’i dhënë legjitimitet këtij procesi, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së shoqërisë civile dhe qytetarëve.

Vjosa Osmani-Sadriu, kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme vlerësoi se lidhur me procesin e dialogut Kosovë-Serbi kanë mbizotëruar paqartësi nëse marrëveshjet e arritura duhet të ratifikohen ose jo në Kuvend.

Ajo vlerësoi hulumtimin si një udhërrëfyes për vlerësimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut dhe theksoi nevojën e amandamentimit të ligjit për marrëveshjet ndërkombëtare.

Korab Sejdiu, anëtar i Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, vlerësoi se dialogu ka filluar në mënyrë të gabuar duke mos u bazuar në nevojat e Kosovës por vetëm në ato të Serbisë.

Ai vlerësoi se qasja e shtetit të Kosovës ndaj marrëveshjeve ndërkombëtare po cenon shtetësinë e vendit. Ai shtoi se nuk duhet të ketë marrëveshje të reja në kuadër të dialogut pa zbatimin e marrëveshjeve tashmë të arritura.

Ky diskutim u organizua në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit të nënshkruar në mes të KDI-së dhe Kuvendit që synon rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi si dhe fuqizimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit ndaj Qeverisë, me financimin e Ambasadës së Zvicrës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)