29 Mars 2024

Italia përkrah proceset e integrimeve euroatlantike të Kosovës

Prishtinë, 23 prill - Marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Italisë, janë dhe do të mbeten në nivel të shkëlqyer. Italia është afër Kosovës edhe si ndjenjë edhe si gjeografi. Ky ishte konstatimi i kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë pritjes që i bëri sot ministres së Mbrojtjes të Italisë, Roberta Pinotti.

Kryeministri Haradinaj falënderoi ministren Pinotti, për kontributin e Italisë dhënë Kosovës në të gjitha etapat e zhvillimit, me theks në periudhën e pasluftës, duke kërkuar prezencën e tyre edhe më tutje përmes investimeve, pasi që Kosova ofron ambient të përshtatshëm për investimet e huaja.

Kryeministri Haradinaj tha se marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve tona, Kosovës dhe Italisë, janë dhe do të vazhdojnë të thellohen në të gjithë fushat e interesit të përbashkët, duke theksuar se edhe vizita e ministres Pinotti, e dëshmon këtë.

“I gëzohemi investitorëve italian dhe duhet thelluar bashkëpunimi ekonomik, krahas miqësisë dhe bashkëpunimit politik me këtë vend. Italia e ka një aleat, Kosovën”, tha kryeministri Haradinaj.

Gjatë takimit u bisedua edhe për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri dhe në këtë proces, kryeministri Haradinaj kërkoi mbështetjen e Italisë, pasi që kjo do të kontribuonte në forcimin e paqes dhe të stabilitetit rajonal.

Nga ana e saj, ministrja e Mbrojtjes e Italisë, Roberta Pinotti, vlerësoi angazhimin e kryeministrit Haradinaj, duke thënë se Italia do të jetë përkrahëse e proceseve në rrugën e integrimeve euroatlantike të Kosovës.

“Italia ka qenë një nga vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe një nga misionet më të rëndësishme. Ky partneritet do të vazhdojë”, tha ministrja e Mbrojtjes së Italisë. 

Në këtë takim morën pjesë edhe zëvendëskryeministri i Parë, Behgjet Pacolli, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, ambasadori italian në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi dhe komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Salvatore Cuoci.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)