03 Dhjetor 2020

Integrimi evropian mbetet prioritet

Prishtinë, 28 tetor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, së bashku me Zëvendëskryeministrin, Driton Selmanaj, mbajti një tryezë konsultative me OSHC (Organizata të Shoqërisë Civile) për prioritetet e Agjendës së re të Reformave Evropiane (ERA II), ku i pranishëm ishte edhe Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, ambasadori Tomáš Szunyog.

Kryeministri Hoti, theksoi se Dialogu i Nivelit të Lartë BE – Kosovë për ERA II, nuk do të mbetet në nivel konsultimi me OSHC-në, por do të avancojë tutje, duke i bërë ata pjesë të bashkëpunimit në hartimin e planeve të veprimit dhe mbikëqyrjes.

“Integrimi evropian mbetet prioritet, krahas çështjeve me të cilat po merremi në baza ditore, veçanërisht me menaxhimin e pandemisë dhe problemet ekonomike e sociale që i ka shkaktuar ky infeksion”, tha Kryeministri Hoti.

Ndërsa Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj, i cili njëherit është i ngarkuari i Kryeministrit Hoti për integrime evropiane dhe menaxhimin e instrumentit ERA II, paraqiti prioritetet e Qeverisë në këtë proces.

“Qëllimi i ERA II është që të shërbejë si një instrument për të shtyrë përpara zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) dhe reformave tjera fundamentale që do të avancojnë procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian”, deklaroi  Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj.

Qasja e re e Qeverisë për përfshirje të përfaqësuesve të OSHC-së, u mirëprit dhe u vlerësua e domosdoshme për hartimin e planit të veprimit për zbatimin e Agjendës së Reformave Evropiane (ERA II).

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 3 Dhjetor 2020

- Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, Handikos mban konferencën lansuese të Raportit vlerësues mbi qasshmërinë e fëmijëve me aftësi të kufizuara në ndërtesat shkollore të nivelit fillor dhe të mesëm të ulët në Kosovë. (Qendra e Resurseve të Handikos në Veternik, ora 9:30)

- Gjykata Themelore në Ferizaj mban seancën kundër të pandehurit Ibrahim Mustafa Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar. (Gjykata Themelore në Ferizaj, ora 9:30)

- Kuvendi i Kosovës mban seancë te veçantë në të cilën do të mbahet debat parlamentar për gjendjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara në Republikën e Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

-  Komisioni për Integrim Evropian shqyrton Projektligjin për rimëkëmbjen ekonomike – COVID-19, me amendamentet e Komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

-  Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim shqyrton Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike - COVID-19, me raport amendamente të Komisionit funksional për Buxhet dhe Transfere. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303 Koha: 10:00  

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen ku shpall rezultatet përfundimtare të jashtëzakoshme për Kryetar të Komunës së Podujevës dhe Mitrovicës së Veriut, të cilat u mbajtën më 29 nëntor 2020. (Ndërtesa e KQZ-së, kati 4, ora 10:00)

- Për nder të Ditës Ndërkombëtarë për Personat me Nevoja të Veçanta, ushtruesja e detyres Presidentja, dr.Vjosa Osmani bashkërisht me ambasadorin Britanik, Nicholas Abbott dhe ministrin e Arsimit, Ramë Likaj  nënshkruajnë panon e zotimit për gjithëpërfshirje. Oborri i Kuvendit të Republikës së Kosovës (hyrja nga sheshi, ora 11:30)

- OJQ EC Ma Ndryshe organizon aktivitetet ndërgjegjësuese që ka qëllim të përcjell porosinë vetëdijësuese për eliminimin e pengesave që janë krijuar për shkak të mungesës së gjithëpërfshirjes. (Parku i Qytet në Prizren, ora 11:00 - Keji përballë xhamisë së “Sinan Pashës”, ora 12:00 - Marash, ora 13:00)