12 Gusht 2020

IKD: Komisioni kundërligjshëm propozoi gjyqtarin Fahret Velija për anëtar të KGJK-së

Prishtinë, 2 korrik - Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) reagon ndaj vendimit të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsion, me të cilin i ka propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës gjyqtarin Fahret Velija për anëtar të KGJK-së.

Nga kandidatët për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) të cilët zgjedhen nga radhët e komuniteteve të tjera, Komisioni për Legjislacion i ka propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës avokaten Sadete Fazliji dhe gjyqtarin Fahret Vellija. Nga këta 2 kandidatë, Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancë plenare, me votim të fshehtë, do të zgjedhë njërin prej tyre.

Me këtë rast, Komisioni për Legjislacion i ka propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës një kandidat, i cili sipas Ligjit nr.06/L-055 për Këshillin Gjyqësor të Kosovës nuk mund të jetë anëtar i KGJK-së.

Gjyqtari Fahret Velija është dekretuar si gjyqtar nga Presidenti i Republikës së Kosovës më 31 korrik 2017.

Emërimi i gjyqtarëve me mandat fillestar bëhet për një periudhë kohore tri (3) vjeçare.

Neni 22 i Ligjit nr.06/L-055 për Këshillin Gjyqësor të Kosovës përcakton se “Presidenti emëron gjyqtarët në sistemin gjyqësor me mandat fillestar trevjeçar bazuar në propozimet e Këshillit”.

Në këtë mënyrë, gjyqtari Fahret Velija është ende gjyqtar me mandat fillestar, mandat i cili përfundon/përmbushet më 31 korrik 2020.

Neni 9 i Ligjit nr.06/L-055 për Këshillin Gjyqësor të Kosovës përcakton se “1.Anëtarësia në Këshill është i papajtueshëm kur:1.8. Gjyqtar me mandat fillestar”.

Në këtë mënyrë, zgjedhja e gjyqtarit Fahret Velija në pozitën e anëtarit të KGJK-së është në kundërshtim me ligjin për këtë këshill.

Në këtë mënyrë, Komisioni për Legjislacion i Kuvendit të Republikës së Kosovës ka dështuar që të bëjë filtrimin e duhur të kandidatëve, para se të njëjtit ti propozoj për votim në seancë plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Duke vepruar në këtë mënyrë, Komisioni për Legjislacion ka marrë një vendim të kundërligjshëm, duke dërguar në Kuvendin e Republikës së Kosovës emrin e një kandidati për anëtar të KGJK-së, anëtarësia e të cilit ligjërisht është e papranueshme.

Komisioni për Legjislacion ka ndërmarrë veprim pozitiv kur nuk ka propozuar për anëtar të KGJK-së ish-anëtaren e këtij këshilli, gjyqtaren Valdete Daka, për shkak të pengesave ligjore, por se ka ndërmarrë veprim negativ dhe të kundërligjshëm kur ka propozuar gjyqtarin Fahret Vellija për anëtar të KGJK-së.

Në këtë rast, Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk duhet që të votoj për këta kandidatë, por vendimin ta kthejë në rishqyrtim në Komisionin për Legjislacion.

Kjo pasi zgjedhja e një kandidati në pozitën e anëtarit të KGJK-së ka disa implikime, të cilat e rrezikojnë edhe gjithë procesin e zgjedhjes së një anëtari të KGJK-së nga radhët e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Fillimisht, një zgjedhje e tillë është në kundërshtim me ligjin të cilin vet Kuvendi i Republikës së Kosovës e ka miratuar.

Por në anën tjetër, zgjedhja e kandidatit Fahret Vellija në këtë pozitë dëmton edhe interesat e kundër kandidatëve të tij, të cilëve më pas u lind e drejta për ndjekjen e rrugëve ligjore, përmes të cilave rrugë mund të anulohet i gjithë procesi, e i cili anulim nuk i kontribuon Kuvendit të Republikës së Kosovës, e aq më pak KGJK-së.

Në një përgjigje për IKD-në, gjyqtari Fahret Vellija ka thënë se beson se kandidimi i tij për këtë pozitë nuk është i kundërligjshëm.

“Sa i përket Ligjit për KGJK-në, neni 9 përcakton kriteret dhe kushtet qe duhet ti plotësojnë kandidatët qe zgjedhen nga ana e gjyqësorit, dhe në këtë rast është përcaktuar që anëtari i KGJK qe vjen nga radha e gjyqësorit nuk mund te jete gjyqtari me mandat fillestar. Por nëse analizojmë nenin 10 pika 4 te Ligjit për KGJK thuhet se Kuvendi përcakton kriteret për tu zgjedh anëtar i KGJK-së që konkurojnë nga ana e Kuvendit. Në konkursin e hapur nga ana e kuvendit i plotësoj te gjitha kushtet e parapara me konkurs.  Po ashtu kam përvojë profesionale më shumë se 9 vite , andaj besoj se propozimi im si anëtar i KGJK-së nuk është i kundërligjshëm” thuhet në përgjigjen e gjyqtarit Fahret Vellija.

Por, përgjigja e gjyqtarit Fahret Vellija ka një gabim faktit sa i përket citimit të Ligjit për KGJK-në. Kjo pasi neni 9 i këtij ligji përcakton papajtueshmërinë e anëtarësisë në Këshill dhe nuk bën ndarje në mes të anëtarëve të KGJK-së të zgjedhur nga gjyqësori dhe atyre që zgjedhen nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Por, përcakton rrethanat se kur një anëtarësia në KGJK e papajtueshme.

Ndërsa, sa i përket konkursit, i njëjti shpallet si akt nënligjor, dhe duhet të jetë në pajtueshmëri me ligjin, në rastin konkret me Ligjin Nr. 06/L-055 për KGJK-në. Në këtë drejtim, pa marrë parasysh kriteret e konkursit, e domosdoshme është që Kuvendi i Republikës së Kosovës ta respektojë ligjin të cilin vet e ka miratuar, dhe për anëtarë të KGJK-së mos të zgjedhë kandidat, anëtarësia e të cilëve është e papajtueshme.

Për këto arsye, IKD i rekomandon Kuvendit të Republikës së Kosovës që mos të votoj për asnjërin nga dy kandidatët e propozuar nga Komisioni për Legjislacion për anëtarë të KGJK-së që zgjidhen nga radhët e komuniteteve të tjera, por se këtë vendim ta kthejë në rishqyrtim tek Komisioni për Legjislacion, me arsyetimin se kandidati i dytë nuk i plotëson kushtet për këtë pozitë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 13 Gusht 2020

- Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Rrahman Rama raporton para Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 9:00)

- Vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Salla e Kuvendit, ora 10:00)

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, viziton Komunën e Deçanit. (Objekti i Komunës se Deçanit, ora 10:00)

- Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, do të nënshkruaj memorandum bashkëpunimi për financimin e projekteve infrastrukturore me kryetarin e komunës së Istogut, Haki Rugova. (Komuna e Istogut, ora 10:00)

- Policia e Kosovës organizon ceremoninë e prerjes së shiritit të objektit të Stacionit Policor për Mbikëqyrje të Kufirit në Radavc ku pjesëmarrës do të jenë Drejtori i Përgjithshëm i PK-së, përfaqësues të ICITAP-it Amerikan dhe personalitete të larta vendore, përfshirë epror të PK-së. (Radavc, rruga Vitomiricë - Kullë, ora 11:00)                                              

- Drejtoria e Shëndetësisë e Komunës së Prizrenit do të bëjë hapjen e pjesës së renovuar të QKMF-së, ku do të punojë ndërrimi i tretë ku i pranishëm do të jetë kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe drejtoresha e DSH-së, Narqize Arënliu Hoxhaj. (QKMF në Prizren, ora 12:00)