29 Mars 2024

IKD kërkon urgjentisht propozimin dhe miratimin e Ligjit kundër COVID-19

Prishtinë, 6 korrik - Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) shpreh zhgënjim të thellë lidhur me qasjen e institucioneve për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.

Lidhur me menaxhimin e situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, IKD vazhdimisht ka bërë thirrje që të krijohet infrastruktura e nevojshme ligjore më qëllim të garantimit të sigurisë juridike për qytetarë dhe ofrimit të mundësisë për institucionet ligj zbatuese në Kosovë për ushtrimin e mandatit, kompetencave dhe përgjegjësive të bazuara në ligj.

Që nga shpallja e kësaj pandemie nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, institucionet në Kosovë kanë dështuar në miratimin e kornizës ligjore adekuate, duke ndikuar që menaxhimi i kësaj pandemie të bëhet duke shkelur vazhdimisht dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe duke cënuar rëndë të drejtat dhe liritë e njeriut në Kosovë.

Për nevojën e kësaj qasje, IKD vazhdimisht ka alarmuar ish-Qeverinë Kurti, duke i bërë thirrje për shkeljet kushtetuese të vendimeve të domosdoshme Anti-Covid-19, të cilat shkelje ishin vërtetuar edhe nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës.

Fatkeqësisht, edhe qeveria Hoti ka vazhduar avazin e vjetër, duke injoruar vendimet e Gjykatës Kushtetuese të cilat janë të obligueshme për tu zbatuar nga të gjitha intsitucionet publike dhe qytetarët e Kosovës.   Qeveria Hoti në kundërshtim me Kushtetutë, praktikën e ndërtuar nga Gjykata Kushtetuese ka vazhduar në miratimin e vendimeve lidhur me masat për parandalimin dhe luftimin e COVID-19.

Lidhur me nxjerrjen e masave kufizuese, me qëllim të parandalimit të pandemisë COVID-19, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës kishte nënvizuar se “Gjykata  konstatoi  se  kufizimet  që  përmban  Vendimi  i  kontestuar  i  Qeverisë përkitazi me të drejtat dhe liritë themelore kushtetuese të lartcekura, nuk janë të “përcaktuara me ligj”, andaj bien në kundërshtim me garancitë që përmbajnë nenet 35, 36 dhe 43 të Kushtetutës në lidhje me nenet respektive të KEDNJ-së, dhe me nenin 55 të Kushtetutës, i cili në paragrafin e tij të parë përcakton qartë që  të  drejtat  dhe  liritë  themelore  të  garantuara  me  Kushtetutë,  mund  të kufizohen vetëm me ligj”.

Për më tepër, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës e kishte shtyrë edhe periudhën e hyrjes në fuqi të aktgjykimit të saj, me qëllim që “Gjatë kësaj periudhe kohore dhe në kuptim të nenit 55 të Kushtetutës përkitazi me “kufizimin” e të drejtave dhe lirive themelore, institucionet  relevante  të Republikës  së  Kosovës,  dhe  në  radhë  të  parë  Kuvendi,  duhet  të  ndërmarrin masat e duhura për tu siguruar që kufizimet e nevojshme të të drejtave dhe lirive themelore më qëllim të ruajtjes së shëndetit publik, janë bërë në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe këtë Aktgjykim”.  Në aktgjykimin pasues mbi kushtetutshmërinë e vendimeve për parandalimin e COVID-19, Gjykata Kushtetuese kishte gjetur se Kuvendi me mos miratimin/plotësim-ndryshimin e ligjit, nuk kishte respektuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Deri më sot, Qeveria Hoti nuk e ka proceduar në Kuvend Ligjin për Luftimin dhe Parandalimin e COVID-19, apo ndryshimin e ndonjë ligji për këtë qëllim, si dhe as Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk ka miratuar një ligj të tillë.

Me këtë qasje, Qeveria Hoti dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës janë duke shkelur vazhdimisht Kushtetutën si dhe nuk janë duke respektuar kërkesat e aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Për më tepër, një qasje e tillë paraqet edhe mos zbatim të detyrimeve pozitive të institucioneve në drejtim të mbrojtjes së të drejtës në jetë të qytetarëve të Republikës së Kosovës, si dhe paraqet vështirësi në menaxhimin e pandemisë.

Fatkeqësisht, polarizimi i skenës politike në Republikën e Kosovës ka shkuar deri në atë nivel sa nuk ka konsensus as për tema të një rëndësi të veçantë, siç  është pandemia COVID-19, përkatësisht shëndeti dhe jeta e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Në këtë drejtim, me qëllim të zhvillimit efikas dhe efektiv të luftës kundër COVID-19, dhe që kjo luftë të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, IKD bënë përsëri thirrje që Qeveria Hoti të propozojë, dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës të miratojë Ligjin për Parandalimin dhe Luftimin e pandemisë COVID-19.

Për më tepër, IKD i rikujton Qeverisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës detyrimet e tyre pozitive për mbrojtje të së drejtës në jetë, për mos zbatim të së cilave detyrime, institucionet e Republikës së Kosovës në një rast ishin shpallur përgjegjës për shkelje të së drejtës në jetë.

Po ashtu, krahas dëmeve në shëndetin publik dhe jetën e qytetarëve, pandemia COVID-19 po shkakton edhe dëme të mëdha ekonomike. Lidhur me këtë pjesë, Qeveria e Republikës së Kosovës duhet urgjentisht që të zhvillojë një strategji nacionale, gjithëpërfshirëse dhe praktike për të rimëkëmbur ekonomike vendore. Në këtë drejtim, është shumë e rëndësishme që në këtë strategji të përfshihen edhe mekanizmat e kontrollit të zbatimit të së njëjtës, në mënyrë që e njëjta mos të mbetet një strategji në letër, por të maten vazhdimisht rezultatet praktike që krijon kjo strategji.

Në të njëjtën kohë, IKD në asnjë rrethanë nuk konteston nevojën e ndërmarrjës së masave adekuate dhe mëse të domosdoshme për të parandaluar përhapjen e COVID-19 dhe menaxhimin e kësaj pandemie që për qëllim ka ruajtjen e shëndetit publik në Kosovë.

IKD fton qytetarët që të respektojnë masat që ndërlidhen me parandalimin e kësaj pandemie, duke përfshirë bartjën e maskave, respektimin e distancës sociale dhe mbajtjën e higjienës.

Sikurse, IKD, kërkon nga Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi i Kosovës që në pajtim me kompetencat dhe përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore, në mënyrë urgjente të procedoj me miratimin e Ligjit për Parandalimin e COVID-19, dhe të zbatoj në praktikë rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)