29 Mars 2024

ICO mbështet KFOR-in, FSK: Mosmarrëveshja është tejkaluar

Prishtinë, 8 mars - Vendimit të KFOR-it për të ngrirë marrëdhëniet me Forcën e Sigurisë së Kosovës i ka dhënë mbështetjen edhe Zyra e Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtarë, që është edhe autoriteti më i fuqishëm për interpretimin e Pakos së Ahtisarit. Ende nuk dihet sa do të zgjasë ky vendim i KFOR-it. Por, gjatë ditës priten zhvillime të reja.

KFOR-i vazhdon të mbajë të ngrira raportet me Forcën e Sigurisë së Kosovës pasi Garda Ceremoniale e FSK-së u paraqit e armatosur në manifestimin “Epopeja e UÇK-së”.

KFOR-i ka thënë se një veprim i tillë nuk përkon me statusin jo-ushtarak të FSK-së dhe se është e papranueshme që flamuri i NATO-s të valonte ne ceremoni, edhe pse KFOR-i është neutral ndaj statusit të Kosovës.

Në anën tjetër, Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka bërë të ditur se mosmarrëveshja me KFOR-in, në lidhje me pjesëmarrjen e Gardës së FSK-së në manifestimin e Epopesë së UÇK-së, është tejkaluar. KFOR-i nuk e ka komentuar ende këtë qëndrim të FSK-së, ndërkohë që gjatë ditës së sotme ka përsëritur se ngrirja e raporteve KFOR-FSK po vazhdon ende.

Ende nuk janë normalizuar raportet e pezulluara mes KFOR-it dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës. KFOR-i është në pritje të sqarimit nga ana e autoriteteve të Kosovës të, siç e ka quajtur, incidentit të së premtes, kur Garda Ceremoniale e FSK-së u paraqit e armatosur në manifestimin “Epopeja e UÇK-së”.

KFOR-i ka kërkuar veprime korrigjuese, si dhe garanci se veprime të tilla nuk do përsëriten.

Në një komunikatë për opinion, Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës pohon se "çmon bashkëpunimin me KFOR-in dhe NATO-n si të domosdoshëm për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon".

"Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka bashkëpunim të shkëlqyeshëm me KFOR-in dhe NATO-n në ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në përputhje të plotë me kriteret e NATO-s dhe me ndihmën dhe nën mbikëqyrjen e mekanizmave të theksuar më lartë".

"Çështjen e diskutuar në lidhje me pjesëmarrjen legjitime të Gardës së FSK-së në manifestimin e Epopesë së UÇK-së tanimë e vlerësojmë të tejkaluar", thuhet në komunikatë.

Megjithatë, në prononcimet e mëhershme të ditës së sotme, zyrtarët e FSK-së kanë thënë se kjo forcë nuk ka shkaktuar asnjë incident. Zëdhënësi i FSK-së, Ibrahim Shala, shpjegon:

“Paraqitja e Gardës Ceremoniale në ceremoninë e Epopesë së UÇK-së nuk ishte incident, sepse pjesëmarrja e FSK-së ka qenë që në këshillin organizativ të ceremonisë. Kjo ceremoni kishte karakter shtetëror, sepse mbahej nën patronatin e kryeministrit dhe Qeverisë”.

“FSK-ja i është përmbajtur një agjende qeveritare. Kudo, në pritje të saj, Garda Ceremoniale shkon edhe me armët e veta. Në formacion të tillë ajo ka pritur shumë ministra, ka pritur presidentë dhe personalitete të larta ushtarake”, thotë Shala.

Përfaqësues të KFOR-it konfirmojnë ngrirjen e raporteve, ndërkohë që nuk komentojnë më tepër se aq sa kanë thënë në komunikatën e djeshme për media. KFOR-i ka thënë se paraqitja e Gardës Ceremoniale në manifestimin e 5 marsit nuk përkon me statusin joushtarak të FSK-së.

“Flamuri i NATO-s gjithashtu valonte gjatë ceremonisë. Kjo nuk është e pranueshme, për atë se KFOR-i është neutral ndaj statusit”, ka thënë KFOR-i në një komunikatë për media.

Vendimi për pezullimin e përkrahjes, mentorimit dhe trajnimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës është marrë nga komandanti i KFOR-it. Nuk është saktësuar ndonjë afat pezullimi.

Zyrtarë të Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës duan që situata të tejkalohet, ndërkohë që sinjalizojnë takime të mundshme gjatë ditës së sotme.

“Nuk jemi ithtarë të asaj që t’i përkeqësojmë marrëdhëniet me KFOR-in, sepse KFOR-i është partner i rëndësishëm yni dhe ka ndikuar në ngritjen e strukturës së FSK-së. Ne do ta vazhdojmë bashkëpunimin me KFOR-in”, thotë Ibrahim Shala.

Në anën tjetër, eksperti për çështje ushtarake, Ramadan Qehaja, thotë se udhëheqësit e vendit duhet sa më parë të ulen dhe të bisedojnë me komandantin e KFOR-it, apo edhe me vetë sekretarin e përgjithshëm të NATO-s për daljen nga kjo situatë.

“Ne, këtë situatë duhet ta tejkalojmë, duhet urgjentisht të ulemi me komandantin e KFOR-it - udhëheqja jonë, presidenti, kryeministri... Nëse ka nevojë, edhe me zotin Rasmusen të bëhet një bisedë dhe t’i shpjegojnë gjërat se si kanë ecur”.

“Ne nuk jemi të interesuar që t’i prishim marrëdhëniet me NATO-n assesi, sepse jemi të varur prej tyre dhe duhet të jemi falënderues për kontributin që kanë dhënë për formësimin e FSK-së”, thekson Qehaja.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka reaguar ndaj veprimit të KFOR-it, duke kërkuar që situata të qartësohet. Ai ka thënë se institucionet e Kosovës kanë bashkëpunim të shkëlqyer me KFOR-in dhe i janë falënderuese për sigurinë në vend.

Megjithatë, Kuçi ka thënë se askush nuk mund të kërkojë nga Kosova që të mos sillet si shtet sovran.

Por, Plani i Ahtisarit, në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës, parasheh që NATO-ja të ketë autoritet ekzekutiv ndaj FSK-së, derisa ajo të arrijë kapacitetin e plotë operacional. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)