03 Dhjetor 2020

Hoti e inkurajoi kryetarin e BSPK-së që të mbroj të drejtat e punëtorëve

Prishtinë, 13 nëntor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti ka pritur sot në takim kryetarin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Avni Ajdini.

Kryeministri Hoti dhe Ajdini biseduan për gjendjen e punëtorëve në vend dhe u dakorduan që sa më parë të finalizohet Kontrata Kolektive Nacionale.

Drafti i kësaj kontrate është diskutuar në Këshillin Ekonomik Fiskal, mekanizëm, përmes së cilit promovohet dialogu social në vend, por mbetet të diskutohen edhe modalitetet e tjera, që ndërlidhen me kohën e fillimit të zbatimit të kësaj marrëveshjeje,  për shkak të kostos buxhetore dhe situatës së krijuar me pandeminë COVID-19.

Kryeministri Hoti e inkurajoi kryetarin e BSPK-së, Ajdini që të vazhdojë angazhimin për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të punëtorëve, sigurinë dhe shëndetin në punë, në përputhje me ligjet në fuqi.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 3 Dhjetor 2020

- Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, Handikos mban konferencën lansuese të Raportit vlerësues mbi qasshmërinë e fëmijëve me aftësi të kufizuara në ndërtesat shkollore të nivelit fillor dhe të mesëm të ulët në Kosovë. (Qendra e Resurseve të Handikos në Veternik, ora 9:30)

- Gjykata Themelore në Ferizaj mban seancën kundër të pandehurit Ibrahim Mustafa Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar. (Gjykata Themelore në Ferizaj, ora 9:30)

- Kuvendi i Kosovës mban seancë te veçantë në të cilën do të mbahet debat parlamentar për gjendjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara në Republikën e Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

-  Komisioni për Integrim Evropian shqyrton Projektligjin për rimëkëmbjen ekonomike – COVID-19, me amendamentet e Komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

-  Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim shqyrton Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike - COVID-19, me raport amendamente të Komisionit funksional për Buxhet dhe Transfere. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303 Koha: 10:00  

- Për nder të Ditës Ndërkombëtarë për Personat me Nevoja të Veçanta, ushtruesja e detyres Presidentja, dr.Vjosa Osmani bashkërisht me ambasadorin Britanik, Nicholas Abbott dhe ministrin e Arsimit, Ramë Likaj  nënshkruajnë panon e zotimit për gjithëpërfshirje. Oborri i Kuvendit të Republikës së Kosovës (hyrja nga sheshi, ora 11:30)

- OJQ EC Ma Ndryshe organizon aktivitetet ndërgjegjësuese që ka qëllim të përcjell porosinë vetëdijësuese për eliminimin e pengesave që janë krijuar për shkak të mungesës së gjithëpërfshirjes. (Parku i Qytet në Prizren, ora 11:00 - Keji përballë xhamisë së “Sinan Pashës”, ora 12:00 - Marash, ora 13:00)