19 Prill 2024

Haziri takon diplomatë të 12 shteteve për bashkëpunim në zhvillim ekonomik

Gjilan, 10 maj - Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur në një takim pune diplomatë të 12 shteteve, të cilët i ka informuar për Gjilanin, me pozitën gjeografike dhe rëndësinë si qendër e mikroregjionit Kosovë, Maqedoni, Serbi, në aspektin e bashkëpunimit për zhvillim ekonomik, përkatësisht agrokulturës.

Në fjalën e tij, Haziri ka përmendur kulturën e duhanit, prodhimin dhe përpunimin e pemëve dhe perimeve dhe sektorë të tjerë të cilët mund të zhvillohen në Komunën e Gjilanit dhe në këtë regjion në përgjithësi.

Haziri, gjithashtu, i ka njoftuar ata për përbërjen e popullsisë, për etnitë e ndryshme që jetojnë në Gjilan, për konfeksionet fetare që praktikohen dhe për tolerancën që është në përgjithësi si model në nivel vendi.

Se Komuna e Gjilanit është e hapur dhe bashkëpunuese edhe me komuna e qytete në vende të ndryshme të botës, kryetari Haziri në fjalën e tij ka përmendur binjakëzimet që ka Gjilani me qytete të ndryshme në regjion, Evropë dhe deri në Amerikë, duke pohuar se bashkëpunimet janë forma e drejtëpërdrejtë e shkëmbimit të investimeve, përvojave dhe praktikave të ndryshme në shërbim të qytetarëve dhe ngritjen e zhvillimit.

Së fundmi, ai tha se Gjilani në partneritet me Komisionin Evropian është duke implementuar projektin e bashkëpunimit ndërkufitar me Komunën e Kumanovës në fushën e bujqësisë, pastaj projekti tashmë i përfunduar për valorizimin e zejeve me Komunën e Çairit të Maqedonisë dhe projekte që janë aktualisht në proces të implementimit me organizatat ndërkombëtare në infrastrukturë, arsim, shëndetësi, bujqësi dhe fusha të tjera.

Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Diplomatike, ambasadori Beqir Ismaili, ka folur për rolin  në trajnimin e diplomatëve të rinj të Kosovës dhe në përgjithësi punën e këtij institucioni. Ai tha se edicioni i shkollës pranverore, ka vënë theksin në ekonominë, e cila  është bërë një shkak i madh i shfaqjes së marrëdhënieve diplomatike midis shteteve, sepse sipas tij, nuk ka më tregje lokale apo kombëtare, por të gjitha janë bërë tregje globale.

Ndryshe, në këtë takim kanë marrë pjesë përfaqësues të ndryshëm nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Sllovenia, Hungaria, Senegali, Anglia, Singapori, Çekia, Tajlanda, të shoqëruar nga Akademia Diplomatike, në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)