23 Prill 2024

Haradinaj shpreson se dita kur do t'i bashkohemi familjes evropiane, nuk është e largët

Prishtinë, 8 maj - “Të rinjtë e Kosovës duhet të dinë që ne do t’i takojmë familjes së madhe evropiane, familjes qindra milionëshe. Tërë popujt që kanë bindje, perspektiva, vlera, ne do të jemi pjesë e tyre. Dhe kjo ditë nuk është e largët, këtë duhet ta dini. Koha po shkon shpejt, dhe besojmë se këtë vit do ta marrim lajmin e drejtë dhe të merituar për liberalizimin e vizave, por nuk duhet të shkoj në pakufi edhe pozicioni i Kosovës për t’u bërë anëtarë i BE-së, sepse këtë e meritojmë dhe është e drejtë e jona”, kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj në bashkëbisedimin me të rinjtë, me temën “Ardhmëri-Zhvillim-Perspektivë”, “Çka nënkupton integrimi evropian për të rinjtë e Kosovës”, që u organizua nga Ministria e Integrimit Evropian në shënim të ditës së Evropës.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj tha se Evropa është pak skeptike në zgjerim, pra nuk është aq entuziaste në zgjerim, por këtë skepticizëm nuk e ka të lidhur me Kosovën, por për shkak të proceseve të veta të brendshme.

“Njëkohësisht, Kosovën nuk e ka njohur Serbia dhe pesë vendet e BE-së dhe për këtë arsye për Brukselin është më i vështirë partneriteti me Kosovën. Megjithatë, edhe pse ka pasur një lodhje vitin që shkoi në marrëdhëniet Kosovë-BE, mendoj se e kemi rikthyer dinamikën  Kosovë-BE , dhe raporti i fundit i progresit për vendin është konfirmim se Kosova është në hartë, është pjesë e vendeve të Ballkanit dhe rinia  e Kosovës nuk janë të pabarabartë. Në fakt jemi më të vonuar, por jo të pabarabartë, dhe ne tash jemi në një etapë kur dikur kanë qenë vendet tjera, Shqipëria, Mali i Zi apo Maqedonia”, tha kryeministri Haradinaj.

Duke folur për proceset avancuese të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë, kryeministri Haradinaj tha se kur sot flasim për liberalizimin e vizave, nesër do të flasim për statusin kandidat, për hapjen e negociatave me Kosovën, e më vonë edhe për kapitujt veç e veç, dhe theksoi se gjithë kjo është ligë që Kosova duhet të kualifikohet, për të vazhduar garën mes popujve, ekonomive, e vendeve, edhe atëherë kur jemi anëtarë të BE-së.

Po ashtu, kryeministri Haradinaj u tha të rinjve, se edhe pas marrjes së liberalizimit të vizave, nuk duhet të gabojmë me veprime të cilat do të mund të ndikonin tek BE-ja, në ndaljen e vizave, pra duhet të jemi shumë të kujdesshëm në udhëtime dhe veprimet tona.

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha tha se e ardhmja jonë është në BE, por e ardhmja jonë nënkupton se duhet të bëjmë shumë punë që Kosovën të bëjmë vend ku të gjithë të kemi të ardhme të ndritur dhe secili nga ne e ka këtë rol.

Në këtë debat nga një fjalë para të rinjve, e kanë mbajtur edhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli dhe shefja e Zyrës së BE-së/përfaqësuese speciale e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova.

Në këtë debat kryeministri u përgjigj në shumë pyetje që u adresuan nga të rinjtë për proceset e rëndësishme nëpër të cilat po kalon vendi, me theks të veçantë proceset integruese euro-atlantike.

Debati u organizua nga Ministria e Integrimit Evropian në kuadër të 9 Majit, Ditës së Evropës. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)