19 Mars 2024

Haradinaj kërkon zbatimin e ligjit për Zonën e Obiliqit dhe kontroll të ushqimeve

Prishtinë, 23 nëntor - Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, ka zhvilluar mbledhjen e pesëmbëdhjete, në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar vendime dhe dokumente të fushave të përgjegjësive te saja kushtetuese dhe ligjore.

Në hapje të mbledhjes, kryeministri Ramush Haradinaj ka kërkuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që të përgatisë të gjitha aktet nënligjore për zbatimin e Ligjit për zonën e rrezikuar të Obiliqit me qëllim që ky ligj të fillojë të implementohet.

Gjithashtu, kryeministri Haradinaj ka kërkuar raport dhe analizë për gjendjen e kontrollit të produkteve ushqimore që importohen, si dhe etiketimin e tyre kur plasohen në treg.

 Ai ka kërkuar nga Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit dhe nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë që të përgatisin këto analiza dhe raporte dhe t’i prezantojnë ato kabinetit qeveritar.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka shqyrtuar draftin e agjendës së takimit të përbashkët me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë, e cila do të zhvillohet me 27 nëntor 2017 në Korçë.

 Në këtë takim do të shqyrtohen dhe nënshkruhen shumë memorandume dhe marrëveshje të përbashkëta që do të rregullojnë fushat e bashkëpunimit në mes të dy vendeve.

Projektligji për Azil ka marr aprovimin e kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme. Projektligji trajton kushtet dhe procedurat për njohjen e statusit të refugjatit në Republikën e Kosovës.

Gjithashtu rregullon mbrojtjen, të drejtat dhe detyrimet e personave aplikues për statusin e refugjatit. Projektligji gjithashtu rregullon edhe procedurat e ankimimit, lëshimit të dokumenteve për personat me status të refugjatit, atyre me mbrojtje plotësuese dhe me mbrojtje të përkohshme.

Kabineti qeveritar ka miratuar Rregulloren për lokacionet, kushtet për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e strehimoreve, si dhe normat teknike për strehimore dhe adaptim të objekteve për strehim.

Në mbledhjen e sotme Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe Rregulloren për mënyrën e funksionimit të komisionit ndërministror për investimet strategjike. Komisioni do të merret me vlerësimin, përzgjedhjen, zbatimin dhe mbikëqyrjen e projekteve për investime strategjike.

Edhe Udhëzimi administrativ për formën dhe përmbajtjen e regjistrit lidhur me projektet që kanë marr statusin  e investimeve strategjike, ka marr miratimin e kabinetit qeveritar. Ky udhëzim administrativ përcakton Regjistrin e investimeve strategjike, si dokument publik i cili do të përmbajë të dhënat mbi investimet strategjike, të cilat kryhen në territorin e Republikës së Kosovës.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë është miratuar vendimi për themelimin e Këshillit Kombëtarë për inovacion dhe ndërmarrësi,
Është aprovuar propozimi i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për t’i rekomanduar Presidentit të Republikës së Kosovës që t’i japë autorizimin ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit për nënshkrim të Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin “Evropa Kreative”.
Qeveria ka miratuar edhe vendimin që t’i japë mendimin Kuvendit të Republikës së Kosovës për emërimin e një anëtari jo-ekzekutiv në Bordin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

Me vendimin e miratuar sot nga kabineti qeveritar, është plotësuar dhe ndryshuar vendimi për përbërjen e Komitetit Drejtues të rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit në Kosovë.

Qeveria ka aprovuar vendimin për shqyrtim të mëtejmë të kërkesës për shpronësim të pronave të paluajtshme për interes publik, të cilat preken nga ndërtimi i rrugës regjionale Deçan-Kozhnjer, në zonën kadastrale Hulaj të komunës së Deçanit.

Është miratuar edhe vendimi për emërimin e Qemajl Marmullakaj në detyrën e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Drejtësisë.

Kryeministri ka kërkuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik që të adresojë shqetësimet e sipërmarrësve vendorë për problemet në lidhje me furnizimin me energji elektrike. Ministri ka njoftuar kabinetin për angazhimet e deritashme dhe ka theksuar se distributori i energjisë elektrike ka premtuar investime në rrjetin e infrastrukturës së shpërndarjes së energjisë elektrike përmes tensionit të ulët, që do të reflektojë në përmirësimin e situatës.

Kryeministri ka propozuar që të ndahen mjete shtesë në buxhetin e Zyrës për Komunitete, në vlerë 24 950 euro, për mbështetjen e projekteve të kësaj zyre në Komunën e Leposaviqit.

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ka ngritur çështjen e përgatitjes së dokumentit të prioriteteve të Kosovës gjatë kryesimit të CEFTA-s, nga janari i viti 2018.

 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)