28 Mars 2024

GJND i dha Kosovës vulën e legalitetit ndërkombëtar

Prishtinë 27 gusht - Kuvendi i Republikës së Kosovës mbajti sot seancë  solemne me rastin e vizitës në Kosovë të ministrit të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Guido Westerwelle.

Në seancë, të cilën e drejtoi kryekuvendari, dr. Jakup Krasniqi, e ku morën pjesë edhe presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e kryeministri Hashim Thaçi, si dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare në Prishtinë, deputetët e  kanë pritur dhe përcjellë me duartrokitje frenetike ministrin e Jashtëm të Gjermanisë.

Deputetëve me një fjalë rasti iu drejtua ministri Westerwelle. Pasi e përshëndeti dhe i uroi mirëseardhje kryediplomatit gjerman, kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi tha:

”Vizita Juaj Kosovës dhe Kuvendit të saj, zoti Westerwelle, na bën nder të madh dhe rikonfirmon miqësinë e thellë midis dy vendeve e popujve tanë. Gjermania mike, udhëheqësit e saj të lartë, kancelarja e shquar, zonja Merkel, populli i mrekullueshëm gjerman dhe Ju personalisht, zoti Westerwelle
, keni qenë dhe vazhdoni të jeni në mbështetje të Kosovës gjithanshëm, duke kontribuuar aq shumë për lirinë e njerëzve të këtij vendi, për drejtësinë, sigurinë dhe zhvillimin e përparimin e tij”.

Në vijim kryekuvendari Krasniqi i bëri një vështrim  të arriturave të Kosovës pas pavarësisë, duke theksuar se në këtë periudhë të shkurtër janë arritur ndryshime të mëdha pozitive, të brendshme e të jashtme për Kosovën, ndërsa shpallja e  opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i dha vulën e legalitetit ndërkombëtar pavarësisë dhe vjen në vlugun e proceseve të konsolidimit të plotë të institucioneve tona të shtetësisë dhe të demokratizimit, prosperitetit e të integrimeve evropiane.

Duke pasur parasysh këtë qëndrim të qartë të GJND-së, tha kreu i legjislativit të vendit, pastaj  besimin për mbështetjen e pakursyer të miqve të Kosovës shpresohet   shumë që Asambleja e Përgjithshme e OKB, e cila do të mbahet së shpejti, do të hapë shtigje të reja të fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së re.

Kryekuvendari Krasniqi shprehu në vazhdim mirënjohjen e thellë për ministrin Westerwelle, Qeverinë dhe Parlamentin gjerman për gjithë atë që kanë bërë për Kosovën e për qytetarët e saj. Mirënjohjen e thellë për popullin gjermanë kryekuvendari e përmbylli me këto fjalë: ”Ju siguroj zoti Westerwelle për ndjenjën e lartë dhe të përjetshme që ka Kosova për Gjermaninë mike dhe për Juve  personalisht”.

Duke iu drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Guido Westerwelle theksoi se është nder i madh që iu ka dhënë rasti të flasë para ligjvënësve.

“Ju jeni përfaqësues të parlamentit  që përfaqëson Kosovën demokratike dhe paqësore. E veçanta e shtetit demokratik është pikërisht parlamenti, sepse, përfaqësuesit e popullit kontrollojnë qeverinë dhe mbarë rrjedhat e një shteti. Në parlament janë shumica dhe pakica, pozita dhe opozita. Pikërisht këtu rrah zemra e shtetit demokratik, ndaj, ju keni përgjegjësi të lartë para qytetarëve”, tha ministri i Westerwelle.

Duke folur për opinionin e GJND-së për Kosovën, shefi i diplomacisë gjermane tha se pavarësia e Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe nuk e cenon atë. Gjermania e ka përkrahur pavarësinë e Kosovës, por, kjo përkrahje do të vazhdojë edhe në mbarë proceset tjera zhvillimore të Kosovës.

Duke folur për të ardhmen e Ballkanit, ministri Westerwelle  tha se skicimi i kufijve ka përfunduar, harta e Ballkanit Perëndimor ka përfunduar, ajo është vizatuar përfundimisht. Pavarësia e Kosovës dhe integriteti territorial i saj janë fakte të pakthyeshme.

Në vijim ai tha se tragjeditë që kanë ndodhur nuk guxojnë të përsëriten. Ato nuk guxojnë të bllokojnë rrugën drejt të ardhmes. Ky vend, tha ai, ka personalitete të larta, siç ishte Rugova, i cili ishte kundër dhunës dhe ravijëzoi rrugën drejt së ardhmes.

Në vazhdim të fjalës së tij, ministri gjerman u ndal në nevojën e një trajtimi të drejtë të komuniteteve pakicë. Në këtë frymë, ai tha: “E drejta kushtetuese  duhet të jetë edhe realitet kushtetues”.

Kosova e ka për detyrë të sigurojë jetë të përbashkët e të barabartë për të gjitha etnitë. Ai shprehu besimin se Kosova do të përmendet për ndërtimin e shoqërisë multietnike, duke përkujtuar se kjo betejë nuk është e lehtë, për shkak të trysnisë nga e kaluara. Në këtë aspekt, gjërat nuk mund të ecin shpejt, sepse identiteti duhet të zhvillohet në mënyrë të lirë, ndërsa kjo arrihet kur qytetarët kanë të drejta të njëjta. Pajtimi kërkon kohë, por është i nevojshëm për  një të ardhme të sigurt. Do të vijë një ditë që serbët dhe shqytarët do të jenë së bashku në BE.

“Secila qeveri në Kosovë, do të matet nga ajo se si sillet ndaj objekteve të trashëgimisë. Tash, Kosova ka marrë përsipër ruajtjen e manastireve ortodokse dhe asnjë zgjidhje tjetër nuk do të ishte e më e mirë. Në BE dhe në NATO çështja e objekteve të kultit, posaçërisht e sigurisë së tyre, po diskutohet në detaje”, theksoi Westerwelle.   


Si shembull të mirë të tejkalimit të konflikteve, ai përmendi Gjermaninë dhe fqinjët e saj, të cilët, pas Luftës së Dytë Botërore, i tejkaluan ato.

Duke folur për zhvillimet aktuale në Kosovë, ministri Westerwelle
tha se Kosova ka perspektivë evropiane. Fakti që në Kosovë nuk ka konflikte, tregon se kontributi i KFOR-it në Kosovë u tregua i suksesshëm. Ministri gjerman inkurajoi popullin dhe ligjvënësit në rrugën drejt BE-së, megjithëse në këtë rrugë do të ketë sfida. Por, Gjermania, do të jetë gjithnjë përkrah Kosovës  për tejkalimin e tyre.

Një vëmendje të veçantë, ministri gjerman i kushtoi edhe ndihmës ekonomike që Gjermania i ka dhënë e po i jep Kosovës. Ai me shifra e fakte, foli për kontributet që ka dhënë shteti gjerman, sidomos në sistemin bankar dhe në elektroenergjetikën e Kosovës. Ai më tutje përmendi edhe vizitat që kishte pasur në Zagreb, Sarajevë dhe Beograd.

 “Të gjithë ishin të vetëdijshëm se pa fqinjësi të mirë, nuk ka stabilitet, që është, njëherësh, edhe prioritet i BE-së. Gjermania do të lobojë që Kosova të marrë vendin e saj në familjen e popujve. E ardhmja e Kosovës është në Evropë”, tha duke përfunduar fjalën e tij, ministri i jashtëm i Gjermanisë, Guido Westerwelle. 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)