28 Mars 2024

Gjakova do ta ketë mbështetjen e parezervë të Qeverisë së Kosovës

Gjakovë, 4 janar - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, vizitoi sot Komunën e Gjakovës, me ç ‘rast u prit nga kryetari i Komunës, Ardian Gjini me bashkëpunëtorë.

Në këtë takim është biseduar për qeverisjen lokale, funksionimin dhe nivelin e ofrimit të shërbimeve, shkallën e transparencës, pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje.

"Kemi biseduar edhe për nisjen e një dialogu të vazhdueshëm për gjendjen në arsim në Komunën e Gjakovës, veçanërisht vëmendje i është kushtuar testit PISA që pritet të mbahet në fund të prillit apo në fillim të majit si dhe për përgjegjësitë që dalin për komunën, për drejtorin e arsimit dhe drejtorët e shkollave, por edhe për gjithë ata që janë të përfshirë në këtë proces", tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj dhe kryetari Gjini kanë biseduar edhe për sektorin e shëndetësisë dhe partneritetin që mund të ketë niveli qendror me atë lokal, përfshirë këtu listën e barnave esenciale si dhe higjienën.

Kryeministri Haradinaj po ashtu tha se është biseduar edhe për sipërmarrësit, për sfidat dhe problemet e tyre. "Gjakova ka edhe një specifikë, procesin e privatizimit që ka ndodhur në të kaluarën dhe si rezultat i kësaj ka një ngecje dhe nuk është definuar çështja e kapaciteteve të mëhershme ekonomike", tha kryeministri, duke theksuar se në takim është biseduar edhe për një Zonë të lirë ekonomike, për të cilën tha se në momentin që vjen kërkesa në Qeveri, do të procedohet brenda 24 orëve.

Kryeministri Haradinaj dhe kryetari Gjini kanë biseduar edhe për të bërit biznes, konkurrimin e bizneseve në projekte të ndryshme dhe për përfitimin e fondeve, qoftë edhe nga institucionet monetare ndërkombëtare.

Temë diskutimi e takimit ishte edhe çështja e impiantit të ujërave të zeza, i cili është në proces, ndërtimi i stadiumit të qytetit, çështja e furnizimit me energji, çështja e kampusit universitar, si dhe çështjet që lidhen me kategoritë e lirisë, përfshirë këtu martirët, veteranët, viktimat e dhunës seksuale, të pagjeturit.

Kryeministri me këtë rast theksoi se Gjakova ka perspektivë të sigurt me kryetarin Gjini dhe këtë vit do të fillojë autorruga me katër korsi Gjakovë-Klinë, si dhe një numër projektesh brenda qytetit.

Kryetari i Komunës, Ardian Gjini vizitën e kryeministrit e vlerësoi të rëndësishme për Gjakovën. "Kjo jo vetëm për shkëmbim të mendimeve, por edhe për bashkërendim më të madh të asaj që Gjakova mund të marr nga qeveria, të përgatitjeve për sa më shumë thithje të fondeve, të cilat për një kohë të gjatë kanë munguar në Gjakovë", tha kryetari Gjini.

Më tej, kryetari Gjini tha se Komuna është e  gatshme për të gjitha punët që e presin, duke marrë edhe mbështetjen e Qeverisë së Kosovës dhe të kryeministrit Haradinaj.

Pas takimit që zhvilloi në komunë, kryeministri Haradinaj bashkë me kryetarin Gjini kanë zhvilluar një takim me personalitete të ndryshme të Komunës së Gjakovës nga fusha e sportit, kulturës, biznesit dhe kategorive të lirisë, të cilëve u premtoi se do ta kenë mbështetjen e plotë të tij dhe të Qeverisë së Kosovës në realizimin e të gjitha projekteve që janë me interes për qytetarët dhe komunën e Gjakovës në përgjithësi.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)