04 Tetor 2022

Gërvalla përmbyll vizitën në Izrael duke takuar përfaqësues të Parlamentit

Jerusalem, 11 maj - Në kuadër të vizitës bilaterale në Izrael, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, vizitoi dje parlamentin e Izraelit ku u takua me përfaqësues të ndryshëm të Knesset-it.

Gjatë takimit me z. Ram Ben Barak, kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Mbrojtje, ministrja Gërvalla nënvizoi natyrën e veçantë të marrëdhënieve mes Izraelit dhe Kosovës dhe bëri një përshkrim të mundësive dhe nevojës për zgjerimin dhe thellimin e mëtejshëm të tyre në të ardhmen. Theks i veçantë u vu gjatë bisedës në sfidat gjeopolitike të krijuara nga lufta ruse në Ukrainë dhe rrezikun e destabilizimit të Ballkanit Perëndimor.

Ministrja Gërvalla  ka zhvilluar takim edhe me  Zeev Elkin, Ministër i Jerusalemit dhe Trashëgimisë. Ata kanë diskutuar për një përfshirjeje më të mirë dhe efektive të gjeneratave të ndryshme të diasporës dhe mërgatës. Ministrja Gërvalla theksoi se Kosova mund të përfitojë shumë nga përvoja e gjatë dhe mbresëlënëse e Izraelit në këtë fushë.

Gjithashtu ministrja Gërvalla është takuar edhe me z. Ali Salalha, Kryetar i Grupit të Miqësisë Izrael – Kosovë. Me këtë rast Ministrja Gërvalla theksoi nevojën e një bashkëpunimi më të dendur parlamentar mes Knesset-it dhe Kuvendit të Kosovës.

Delegacioni i Republikës së Kosovës, e përfundoi ditën me një pritje në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Jerusalem, ku morën pjesë përfaqësues të ndryshëm të ekonomisë dhe shoqërisë izraelite, si dhe përfaqësues të diasporës shqiptare në Izrael. 

Përfaqësuesja e Republikës së Kosovës në Izrael, znj. Ines Demiri, gjatë fjalës së saj përshëndetëse vuri në pah në veçanti frymën shumë miqësore të marrëdhënieve mes Izraelit dhe Kosovës dhe theksoi potencialin e madh të bashkëpunimit në të ardhmen.

Delegacioni i Republikës së Kosovës gjatë vizitës në tre ditore në Izrael ishte i shoqëruar edhe nga ambasadorja e Izraelit për Kosovën, znj. Tamin Ziv dhe drejtori për Ballkanin pranë Ministrisë së Jashtme të Izraelit, z. Dani Oryan.

Në përmbyllje të vizitës në Izrael, delegacioni i Republikës së Kosovës vizitoi qendrat historike dhe arkeologjike të Jerusalemit. Nga Izraeli, Zëvendëskryeministrja Gërvalla ka udhëtuar për në Bruksel dhe do të marrë pjesë sonte në darkën e organizuar nga Përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep  Borrell me krerët e shteteve të Ballkanit Perëndimor.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 4 tetor 2022 - Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë takohet me delegacionin e administratës së Parlamentit të Republikës së Austrisë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 8:30)

- Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë organizon ceremoninë zyrtare të nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet komunave të rajonit, Prishtinës, Obiliqit, Lipjanit, Podujevës dhe Fushë Kosovës dhe Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë. (Hotel Amazona, ora 10:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon tryezën e diskutimit gjatë të cilës do të shpalosën të gjeturat nga analiza e procedurave të prokurimit publik lidhur me shpenzimet publike të realizuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar gjatë periudhës 2020 – 2022. (Restorant Boho, ora 10:00)  

- Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrton raportin e Auditorit të Përgjithshëm për Raportn Vjetor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2021. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 11:00)

- Në kuadër të aktiviteteve kulturore artistike brenda institucioneve korrektuese, nesër në Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan, do të shfaqet Filmi “ Sffaragette”. (Qendra Korrektuese për Femra Lipjan, ora 11:00)

- Me rastin e 4 Tetorit, “Ditës Botërore për Mbrojtjen e Kafshëve”,  Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në bashkë organizim me Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, OJQ-në Fondacioni për Mbrojtjen e të Drejtave të Kafshëve si dhe Fondacioni për mbrojtjen e kafshëve Vier Pfoten Kosova do të shënojmë këtë ditë në Pyllin e Arinjve Prishtina. (Fshati Mramor, afër liqenit të Badovcit, ora 11:00)
 
- Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Rahovec, përgjatë gjithë muajit tetor, si muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, çdo ditë pune ofron shërbimin e mamografisë falas për të gjithë. (Rahovec, ora 11:00)

- Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati së bashku me Ministren e Financave dhe Ekonomisë të Shqipërisë, Delina Ibrahimaj, Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave të Kosovës Agron Llugaliu dhe Doganës së Shqipërisë Genti Gazheli do të inspektojnë punët në hapësirat e përbashkëta të Portit të Durrësit. (Porti i Durrësit, ora 12:00)

- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, pret në takim ambasadorin e Francës, Olivier Guerot. (Kabineti i kryetarit, ora 12:00 - Mediat mund të marrin pamje në fillim të takimit!)

- Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti shqyrton në parim i Projektligjit për Sigurinë e përgjithshme të produkteve si dhe formon grupin e punës për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për komunikimet elektronike. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 12:00)

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës. (Selia e KQZ=së, ora 13:30)