05 Dhjetor 2019

Gazetarët kosovarë do të kenë përfaqësim dhe mbrojtje ligjore falas

Prishtinë, 16 nëntor - Për herë të parë që nga themelimi, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Oda e Avokatëve të Kosovës kanë nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi, i cili u mundëson të gjithë anëtarëve të AGK-së përfaqësim dhe mbrojtje ligjore falas.

“OAK do të ju ofrojë përfaqësim dhe mbrojtje ligjore falas anëtarëve gazetarë të AGK-së në raste kur ata bëhen pjesë e proceseve gjyqësore për çështjet që kanë të bëjnë me punën e tyre, përfshirë edhe konsultat ligjore për anëtarët e AGK-së, të cilat i ndihmojnë gazetarët ta mbrojnë punën e tyre.”, thuhet në Memorandumin e Bashkëpunimit të nënshkruar nga kryetarja e AGK-së, Gentiana Begolli Pustina dhe kryetari i OAK-së, Osman Havolli.

Palët nënshkruese, përmes këtij akti, janë zotuar për të bashkëpunuar në fusha të ndryshme.

Kryetarja e AGK-së, Begolli Pustina, tha se kjo është ndër marrëveshjet më domethënëse për AGK-në, marrë parasysh që shumica prej kolegëve tanë, për shkak të pagave të ulëta, privohen që ta ndjekin të drejtën e tyre ligjore për shkak të kostos së lartë financiare të mbrojtjes ligjore.

“Në një klimë të këtillë ku kemi dhjetëra raste të kërcënimeve, privimit të së drejtës së gazetarëve për ta ushtruar profesionin e tyre, mbrojtja ligjore falas ka qenë më shumë se e domosdoshme. Falënderoj kreun e OAK-ut, z.Osman Havolli i cili pati gatishmëri që në 46 vjetorin e themelimit të OAK-ut ta nënshkruajmë këtë Memorandum Bashkëpunimi.”, ka thënë pos tjerash Begolli-Pustina.

Ky është një hap më shumë në përpjekjet e AGK për t’ju dalë në ndihmë anëtarëve të vet me qëllim të krijimit të një ambienti më të lehtë të punës së tyre.

Kalendari

Ngjarjet e datës 5 dhjetor 2019 - Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në bashkëpunim me Misionin në Kosovë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë organizon konferencën për gazetarët e zhdukur dhe të vrarë në Kosovë. (Hotel Swiss Diamond, ora 9:30)

- Shoqata nacionale e mjedrës “Mjedra e Kosoves” se bashku me donatorët e saj GIZ,  USAID, SWISS Caritas, organizojnë konferencën e nivelit kombëtar të mjedrës “Konferenca e 4-të e Mjedrës në Kosovë”. (Emerald Hotel, ora 9:30)

- Zyra e Vullnetarëve të Kombeve të Bashkuara dhe UNICEF do të shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarëve 2019 me moton 'Të Bëjmë Punë Vullnetare për një Ardhmëri Gjithëpërfshirëse'. (Qendra për Komunitete Termokiss në Prishtinë, ora 10:00)

- Me rastin e 5 Dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare të Vullnetarizmit, Kolegji Heimerer organizon konferencën “Thuaj Po vullnetarizmit". (Kolegji Heimerer, ora 11:00)

- Qendra Kosovare për Studime Gjinore organizon konferencën “Fuqizimi i të drejtave të barabarta pronësore të grave në Kosovë”. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- Aleanca Kosovare e Bizneseve dhe rrjeti i marketeve Viva Fresh Store organizojnë hapjen e Ekspozimit dhe Promovimit të Prodhimeve Vendore në kuadër të “Javëve të Biznesit Kosovar 2019” me moto: Unë Konsumoj Produkte Vendore, Po JU? (Objekti i Viva Fresh Store në Veternik, ora 13:00)

- Ministria e Kulturës, në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit, OSBE-në, Zyrën e UNICEF-it, UN Volunteers dhe OJQ-në Lens, do të jenë nikoqirë të njërës nga ngjarjet më të mëdha të të rinjve për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit, me moton ndërkombëtare “Volunteer for an inclusive future”. (Hotel Emerald, ora 15:00)

- Galeria e Ministrisë së Kulturës organizon hapjen e ekspozitës së titulluar "Albanian Village Life - Isniq, Kosovo 1976", të fotografes dhe shkrimtares suedeze, Ann Christine Eek e cila përbëhet nga fotografi bardh e zi të realizuar në vitet e 1970-ta gjatë qëndrimit të saj në rajonin e Dukagjinit në Kosovë. (Galeria e Ministrisë së Kulturës, ora 19:00)

- Baleti Kombëtar i Kosovës shfaq premierën e katërt për vitin 2019, shfaqjen “Exil”. (Teatri Kombëtar, ora 19:00)