28 Mars 2024

GAP: Qeveria së mos procedoj ligje për hir të BE-së

Prishtinë, 14 nëntor - Më 12 nëntor 2018, Kryeministri Haradinaj në takim me Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, ka kërkuar me urgjencë procedimin e ligjeve që janë pjesë e ERA-së dhe Programit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, të cilat do ta ndihmonin Kosovën në liberalizimin e vizave. Ato shtatë objektiva për të cilat kërkohet urgjencë janë procedimi i Kodit penal, Projektligji për konfiskimin e pasurisë të fituar me vepër penale, Projektligji për mbrojtjen e sinjalizuesve, Projektligji për përgjegjësinë disiplinore, Projektligji për Gjykatat, ai për Këshillin Gjyqësor dhe Projektligji për Këshillin Prokurorial.

Përmbushja e objektivave të Agjendës për Reforma Evropiane (ERA) dhe mobilizimi institucional nuk do të duhej të prioritizohen vetëm për të qëndruar mirë para Bashkimit Evropian dhe për t’i siguruar se po i “kryejmë detyrat e shtëpisë”, por u duhet dhënë përparësi për shkak të përfitimeve që ato objektiva sjellin për mirëqenien e qytetarëve të Kosovës dhe për zhvillimin e vendit në përgjithësi. Theksojmë që liberalizimi i vizave nuk do duhej të ishte qëllimi kryesor për të punuar në arritjen e objektivave të agjendës evropiane, por përftimi i qytetarëve nga këto objektiva në aspektin e sundim të ligjit, qeverisjes së mirë, rritjes së investimeve, konkurrueshmërisë së prodhuesve kosovarë, mirëqenies socio-ekonomike, dhe ngritjes së cilësisë së arsimit.

Në raportin e fundit të përbashkët të Institutit GAP, Institutit të Prishtinës për Studime Politike (PIPS) dhe Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), në të cilin kemi monitoruar arritjen e objektivave të Agjendës për Reforma Evropiane për periudhën janar-shtator 2018, del se në shumicën e objektivave, qeveria dhe kuvendi tashmë janë më shumë se një vit me vonesë. Disa nga objektivat kanë ngecur në fazën finale, pra në miratimin e projektligjeve nga ana e kuvendit, por shumë sosh as nuk kanë filluar.

Për secilën objektivë janë paraparë një numër veprimesh të veçanta, e që në total për tri shtyllat kanë qenë 108 veprime që dalin nga ERA 2017 si dhe vendimi i qeverisë nr. 01/13 për prioritetet kyçe të Agjendës për Reforma Evropiane 2018. Në bazë të të gjeturave tona del se në shtyllën e parë, qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit, janë plotësuar gjithsej 62% e veprimeve, 24% janë plotësuar pjesërisht dhe kanë mbetur të paplotësuara rreth 14% të tyre. Në shtyllën e dytë, konkurrueshmëria dhe klima e investimeve,  rreth 46% e veprimeve janë plotësuar në tërësi, 9% janë realizuar pjesërisht, dhe 34% e veprimeve mbesin të paplotësuara dhe 11% janë në realizim e sipër. Dhe në shtyllën e tretë, punësimi dhe arsimi, janë plotësuar rreth 45% e veprimeve, 33% e veprimeve janë plotësuar pjesërisht dhe të pa plotësuara mbesin 22% e tyre.

Këto rezultate të ulëta vijnë si pasojë e një qasje thellësisht neglizhuese të institucioneve kosovare në raport me kriteret e BE-së. Instituti GAP, PIPS dhe GLPS edhe përmes këtij reagimi i bëjnë thirrje Qeverisë dhe Parlamentit të trajtojnë obligimet dhe masat e dala nga MSA dhe ERA në mënyrë serioze dhe sistematike. Në vend se të shihen si dokumente për të kënaqur BE-në, këto masa duhet të shihen si përmirësim substancial i bazës ligjore dhe institucionale, rrjedhimisht përmirësim i jetës së qytetarëve të Kosovës. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)