17 Shkurt 2019

GAP publikon platformën për dinamikën e realizimit të premtimeve zgjedhore

Prishtinë, 10 tetor - Instituti GAP ka publikuar në platformën online për dinamikën e realizimit të premtimeve zgjedhore të dhëna nga kryetarët aktual të komunave në zgjedhjet e fundit lokale të mbajtura në tetor dhe nëntor të vitit 2017. 

Prej mbi 900 premtimeve të dhëna në 26 komuna, për pjesën e parë të këtij mandati janë përmbushur plotësisht 95 premtime, pjesërisht të përmbushura rezultojnë 53 premtime, ndërsa në 301 premtime ka pasur nisma në përmbushjen e tyre, përderisa 455 premtime akoma nuk kanë nisur së realizuari.

Numri më i madh i premtimeve të realizuara është shënuar në fushën e infrastrukturës, arsimit dhe administratës. Ndërsa fushat ku ka më së paku lëvizje në përmbushjen e premtimeve është ajo e ekonomisë, shëndetësisë, bujqësisë, shërbimeve publike si dhe në fushën e urbanizimit.

Disa nga kryetarët aktual nuk kanë zhvilluar fushatë zgjedhore, gjë që e bën vlerësimin e premtimeve të pamundur. Komunat si Skënderaj, Mamushë dhe  10 komunat e banuara me popullatë shumicë serbe, nuk kanë shpalosur ndonjë program zgjedhor dhe nuk kanë dhënë premtime konkrete.

Instituti GAP vlerëson faktin se kandidatët për kryetarë të komunave gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2017 kanë qenë më të kujdeshshëm në dhënien e premtimeve, zgjidhja e të cilave është kompetencë e niveleve tjera të qeverisjes.

Përmes vlerësimit të premtimeve zgjedhore, Instituti GAP ka për qëllim që të mbajë të përgjegjshëm kryetarët e zgjedhur për premtimet e dhëna dhe të ruajë besimin e qytetarëve rreth procesit zgjedhor. Në vazhdimësi, kjo bëhet edhe në bashkëpunim me organizatat lokale të cilat duhet të fuqizohen edhe më tej në monitorimin e qeverisjes lokale.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 17 shkurt 2019 - Qeveria e Kosovës mban mbledhje festive për nder të 11-vjetorit të Pavarësisë. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 8:00)

- Ngritja solemne e Flamurit të Republikës së Kosovës për nder të 11-vjetorit të Pavarësisë në të cilën marrin pjesë presidenti Hashim Thaçi, kreu i Kuvendit, Kadri Veseli dhe kryeministri Ramush Haradinaj. (Hapësira mes ndërtesës së Kuvendit dhe Qeverisë, ora 8:30) 

- Presidenti Thaçi, kryeparlamentari Veseli dhe kryeministri Haradinaj vendosin kurora lulesh te shtatorja e ish-presidentit Ibrahim Rugova. (Sheshi “Ibrahim Rugova”, para Kuvendit, ora 8:45) 

- Presidenti Thaçi, kryeparlamentari Veseli dhe kryeministri Haradinaj vendosin kurora lulesh në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. (Prekaz, ora 9:40)

- Në 11 vjetorin e shpalljes së pavarësisë të Kosovës, anëtarë të kryesisë së LDK-së bashkë më struktura të saj, bëjnë homazhe te varri i Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. (Velani, ora 10:00)

- Komuna e Gjilanit organizon homazhe  te varrezat e dëshmorëve. (Gjilan, ora 10:00)

- Federata e Ping-Pongut e Kosovës (FPPK) organizon turneun “Dita e Pavarësisë”.  (ShMU “Tefik Çanga”, Ferizaj, ora 10:00)

- “Star Kids” do të performojnë në sheshin “Skënderbeu” për nder të Pavarësisë. (Sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë, ora 10:00)

- Kuvendi i Kosovës mban seancë solemne për nder të 11-vjetorit të Pavarësisë. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:45) 

- Komuna e Gjilanit organizon akademi solemne dhe program artistik nga Shkolla e Muzikës në Gjilan. (Teatri i Qytetit, ora 11:00)

- Trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovë parakalojnë me rastin e 11-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. (Prej Sheshit “Nënë Tereza” deri te Sheshi “Ibrahim Rugova”, ora 12:20)

- Me rastin e 11-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës organizohet koktej për të gjithë të ftuarit në Parakalimin e Trupave të FSK-së. (Hotel “Swiss Diamond”, ora 13:00)

- Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovë në Gjilan bën përurimin e bustit të ish-presidentit Ibrahim Rugova (Gjilan, ora 13:00)

- Përfaqësues të organizatave studentore organizojnë një “protestë artistike” në lidhje me vonesën e liberalizimit për qytetarët e Kosovës. (Sheshi “Zahir Pajaziti”, ora 13:00) 

- Komuna e Vushtrrisë organizon manifestimin qendror për shënimin e 11-vjetorit të Pavarësisë. (Kalaja e Qytetit, Vushtrri, ora 13:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj pret në takim deputetët nga Mbretëria e Bashkuar, John Grogan dhe Martin Vickers. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 14:00)

- Shoqata e Gastronomëve të Prishtinës, në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës, organizon një event simbolik për Pavarësi. (Sheshi “Skënderbeu”, ora 14:00) 

- Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, dhe ministri i Kulturë, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, përurojnë Palestrën Sportive në Shtime. (Shtime, ora 15:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj pret në takim delegacionin 17-anëtarësh nga Shtetet  e Bashkuara të Amerikës, të kryesuar nga Senatori James Inhofe. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 15:00) 

- Komuna e Lipjanit organizon koncert festiv për 11-Vjetorin e Pavarësisë. (Qendra e Kulturës “Tahir Sinani”, Lipjan, ora 15:00)

- Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” mban koncert festiv për Pavarësi. (Sheshi “Zahir Pajaziti”, Prishtinë, 18:00)

- Për 11-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës bëhet ndezja e organizuar e fishekzjarrëve. (Sheshi “Zahir Pajaziti”, Prishtinë, ora 18:30)

- Me rastin e 11-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës organizohet pritja shtetërore nën përkujdesjen kryeministrit Ramush Haradinaj. (Hotel “Venus”, magjistralja Prishtinë-Ferizaj, ora 19:30)

- Mbahet koncerti festiv për nder të 11-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. (Sheshi “Zahir Pajaziti”, Prishtinë, ora 20:00)