21 Shtator 2020

FSK-ja me zyrtare ndërlidhëse në Kuvendin e Kosovës

Prishtinë, 16 shtator - Sot, në ambientet e Kuvendit të Kosovës, kryetarja e Kuvendit, dr. Vjosa Osmani dhe ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, nënshkruan Marrëveshjen e Mirëkuptimit, me të cilin mundësohet që Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja ta emërojnë një zyrtar ndërlidhës ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe MM-së, përkatësisht FSK-së.

Në takimin me ministrin Quni dhe gjeneral Ramën, znj. Osmani shprehu mirënjohjen e saj dhe të Kuvendit të Kosovës për punën e palodhshme Ministrisë së Mbrojtjes, strukturës udhëheqëse të FSK-së, por edhe të ushtarëve e ushtareve të kësaj trupe për t’i shërbyer atdheut, si dhe kënaqësinë e saj për arritjen e një marrëveshjeje për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit dhe Ministrisë së Mbrojtjes, përkatësisht FSK-së.

Kryetarja Osmani i falënderoi krerët e sigurisë për mbështetjen e idesë së saj që zyrtarja ndërlidhëse e FSK-së në Kuvendin e Kosovës të jetë grua, në funksion të fuqizimit të rolit në sferën e sigurisë. Me vendimin e komandantit të FSK-së, kapitenia Manushaqe Nura është emëruar në funksionin e zyrtares ndërlidhëse të FSK-së në Kuvendin e Kosovës.

“Kjo dëshmon për nivelin e lartë të organizimit të Forcës, por dhe zhvillimin e kapaciteteve profesionale të saj”, tha znj. Osmani.

Më tej, znj. Osmani dhe ministri Quni diskutuan për procesin e transformimit të deritanishëm të FSK-së në Ushtrinë e Kosovës. Ajo e siguroi ministrin Quni dhe komandantin Rama se institucioni të cilin ajo e udhëheq do të punojë ngushtë për krijimin e infrastrukturës së nevojshme për operim të FSK-së, përfshirë hartimin e legjislacionit të nevojshëm.

Ajo theksoi po kështu gatishmërinë e saj dhe të Kuvendit për ta përkrahur këtë forcë për zhvillimin e mëtejmë të kapaciteteve të nevojshme.

Ministri Quni dhe komandanti i FSK-së, gjeneral Rama, në anën tjetër, e falënderuan kryetaren Osmani për nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit, me të cilin mundësohet prania e zyrtares ndërlidhëse të Ministrisë së Mbrojtjes, përkatësisht FSK-së në Kuvend, si dhe për gatishmërinë e saj që ta ndihmojë në vazhdimësi zhvillimin e kësaj force. ​

Kalendari

Ngjarjet e datës 21 Shtator 2020

- Mbahet mbledhja e Qeverisë së Republikë së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 8:30)

- Fillon Shkolla Verore e BE-së në të cilën do të shtjellohet temat për zhvillimin ekonomik, qëndrueshmërinë mjedisore dhe shfaqjen e pandemisë globale. (Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ora 9:00)

- Mbahet mbledhja e komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione në të cilën do të votohet raporti i panelit përzgjedhës për shqyrtimin e aplikacioneve, intervistim dhe listën e ngushtë të kandidatëve për Avokat të Popullit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj Stublla takohet me Ambasadorin japonez, Mizutani Akira. (Kabineti i ministres Haradinaj Stublla, ora 10:00 - pa prezencen e mediave)

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, pret në takim delegacionin e Qeverisë së SHBA-ve, të udhëhequr nga Kryeshefi Ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA Adam Boehler, të cilit do t’i bashkohet edhe i dërguari special i SHBA-së për dialogun Kosovë - Serbi, Richard Grenell, përfaqësues të USAID, Kryetarin e Bankës së Eksport-Importit të Shteteve të Bashkuara, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë nga Departamentet e Energjisë dhe Tregtisë në SHBA. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 10:00)
 
- Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj Stublla dhe Ambasadori japonez, Mizutani Akira, nënshkruajnë marrëveshjen për donacionin e radhës të Japonisë për Kosovën. (Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ora 10:30)

-  Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë shqyrton listen e dëshmitarëve, përzgjedh ekspertët e jashtëm si dhe publikon adresën për dorëzimin e dëshmive nga qytetarët. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti merr pjesë në përurimin e shtatores së Heroit Ahmet Krasniqi, si dhe në inaugurimin e sheshit, i cili do të mbajë emrin e tij. (Sheshi “Ahmet Krasniqi” në Vushtrri, ora 11:00)  

- Mbahet ceremonia e dorëzimit të pajisjeve mjekësore për Sallën e Operacionit dhe Sallën e Lindjes për gratë e infektuara me COVID-19, pajisje këto të financuara nga partneri jonë Raiffeisen Bank në Kosovë dhe AMC. (QKUK, ora 11:00)

- Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi, do të takohet me U.D i Kryesuesit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji Arsim Janova, ku do të  nënshkruajnë një Marrëveshje Mirëkuptimi dhe Bashkëpunimi mes dy institucioneve, pas nënshkrimit të marrëveshjes do të ketë konferencë për medie. (Ish-objekti i Bankës së Lubjanës, kati i IV, ora 11:15)

- Seanca plenare e Kuvendit, e ndërprerë të premten do të vazhdojë sot. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 13:00) 

- Kryeministri Avdullah Hoti pret në takim delegacionin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 18:30)