23 Prill 2024

Franca rikonfirmon mbështetjen për Kosovën

Prishtinë, 7 nëntor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim Drejtoreshën për Evropën Kontinentale të Ministrisë për Evropë dhe Punë të Jashtme të Francës, Florence Mangin.

Në këtë takim, Kryeministri Haradinaj, e ka njoftuar drejtoreshën Mangin për prioritetet e qeverisë në zhvillimin ekonomik, forcimin e rendit dhe ligjit, angazhimin e institucioneve për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, me theks të veçantë anëtarësimin në INTERPOL.

“Duke qenë pjesë e organizatave ndërkombëtare, Kosova bëhet partnere në luftimin e krimit transnacional dhe i kontribuon paqes në rajon dhe në botë”, tha Kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj, gjithashtu e informoi drejtoreshën Mangin për të arriturat e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave si dhe e quajti sukses anëtarësimin e Kosovës në organizatën Frankofone, duke theksuar se mbështetja e Francës është e një rëndësie të veçantë për vendin tonë.

“Franca ka luajtur rol konstruktiv në të gjitha proceset e shtetndërtimit të Kosovës, andaj populli ynë është përherë falënderues për ndihmën e madhe të këtij shteti mik. Në këtë etapë të konsolidimit ndërkombëtarë të vendit, ndihma e Francës është e nevojshme, veçmas në proceset integruese të Kosovës”, tha Kryeministri Haradinaj, duke kërkuar thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushate e interesit të të dyja shteteve, veçmas në fushën e ekonomisë.

“Kosova e meriton liberalizimin e vizave dhe ka përmbushur të gjitha obligimet e saj. Andaj, roli konstruktiv i Francës në këtë proces është i rëndësishëm. Me liberalizimin e vizave për Kosovë, vendet europiane fitojnë një partner më shumë, fitojnë një konsumator më shumë në ekonominë e tyre”, tha Kryeministri Haradinaj.

Nga ana e saj, Drejtoresha për Evropën Kontinentale të Ministrisë për Evropë dhe Punë të Jashtme të Francës, Florence Mangin, e ka përgëzuar Kryeministrin Haradinaj për punën e mirë që po e bën dhe për reformat e gjithmbarshme në vend, duke e konfirmuar mbështetjen e Francës edhe në të ardhmen.

Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori francez në Kosovë, Didier Chabert.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)